SHKODER – Nisin të prishën ndërtimet pa leje të bëra gjatë periudhës parazgjedhore. Ka qenë drejtori i Inspektoratit Ndërtimor në Shkodër, Roland Çomo, i cili në një prononcim për mediat ka bërë publike aksionin e fundit të ndërtimoreve. “Ne po bëjmë vetëm zbatimin e ligjit. Për ne janë të ligjshme vetëm ndërtimet që kanë lejen e Bashkisë së Shkodrës, të KRRT-së, të tjerat do të shemben”, ka pohuar Roland Çomo. Ai ka bërë të ditur për mediat një dukuri që është vënë re muajt e fundit: shtimin e ndërtimeve pa leje. “Kam bindjen se njerëzit kanë menduar që të përfitojnë nga periudha që kemi kaluar. Sipas mendimit të tyre, gjatë kësaj periudhe nuk do të funksiononin institucionet. Por në fakt, kanë gabuar, pasi kanë bërë investime që do t’u shkojnë dëm”, ka pohuar kështu Çomo. Sipas tij, Inspektorati Ndërtimor ka qenë në krye të detyrës gjatë gjithë periudhës. Janë bërë inspektime në terren dhe janë marrë të gjitha të dhënat për ndërhyrjet e paligjshme që janë bërë në terren. “Ne ua kemi bërë të qartë të gjithëve se po shkelin ligjin dhe ndaj do të ndëshkohen. Kemi bërë procesverbale për të gjitha ndërtimet pa leje, kemi bërë procesverbalet dhe tani ka ardhur koha të veprojmë”, sqaroi Çomo. Sipas tij, do të ndërhyhet gradualisht në të gjitha pikat. Mësohet se janë rreth 30 ndërtime pa leje që do të shemben. r.d











