Ndërprerjet, CEZ: Nuk bëjmë dënime kolektive

Sep 15, 2012 | 12:00
Zyrat Qendrore të CEZ

Flet drejtori i Mirëmbajtjes dhe Operacioneve në CEZ Shpërndarje, Ardian Luarasi.

Drejtori Luarasi: Ja si po shkon mbledhja e debisë.

CEZ Shpërndarje prej kohësh ka filluar aksionin e saj për mbledhjen e debisë te konsumatorët që kanë vite që marrin energji dhe nuk paguajnë për të. Në zona ku individët janë mbi 90 për qind debitorë, janë marrë masa edhe për ndërprerje të energjisë, gjë që është shoqëruar me protesta. Në një intervistë, drejtori i Mirëmbajtjes dhe Operacioneve në CEZ Shpërndarje, Ardian Luarasi, sqaron edhe situatën.
Kohët e fundit ka pasur një seri protestash në fshatin Domje në kryeqytet dhe disa javë më parë ka pasur protesta në qarkun e Kukësit apo dhe në qarqe të tjera. Si i cilësoni ju këto protesta, duke qenë se ka pasur edhe ankesa nga banorët për ndëshkime kolektive?
Fushata që kemi nisur për ndërprerjen e debitorëve dhe shkëputjen e lidhjeve të paligjshme ka të bëjë gjithashtu me sensibilizimin e çdo qytetari në lidhje me këtë problem. Ne kemi filluar ndërprerjet e energjisë në të gjitha zonat ku ka debitorë, por në disa raste, kur ndërpresim një kabinë që është 100% debitore, ka ndodhur që kjo kabinë të rilidhet në mënyrë të paligjshme nga vetë klientët. Në momentin kur kryhet një ndërhyrje e tillë e paligjshme, e cila është jashtë kushteve teknike, fideri që del nga nënstacioni stakohet automatikisht dhe ne nuk mund ta rilidhim. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se ne nuk jemi në dijeni se në çfarë mënyre është rilidhur kabina (jashtë kushteve teknike), ndaj, për të mos rrezikuar jetët e atyre që e kanë rilidhur kabinën në mënyrë të paligjshme, jemi të detyruar ta mbajmë të stakuar fiderin. Për shembull, në rastet kur kryhet rilidhja e paligjshme në tension të mesëm, fideri bie menjëherë sepse një kabinë nuk mund të lidhet në qoftë se fideri është në gjendje pune. Në momentin kur fideri stakohet, ne jemi të detyruar, sipas rregullave teknike, që ta kontrollojmë fiderin deri në fund, sepse, siç e thashë më sipër, ne nuk e dimë nëse dikush po punon në mënyrë ilegale në rrjet, ndoshta një kabinë është lidhur keq. Pra, ne jemi të detyruar ta kontrollojmë të gjithë rrjetin që mbulon një fider, gjatësia e të cilit mund të mbërrijë deri në 50 km, ndaj dhe kërkon kohë, derisa të jepet urdhri për ta rivënë në gjendje pune. Në disa raste, kur punonjësit tanë dërgohen, sipas procedurës, për të kontrolluar zonën, ata hasin në rezistencën e banorëve, të cilët nuk i lënë të afrohen dhe ekipet tona pengohen për të shkuar në zonë. Në momente të tilla na duhet të njoftojmë policinë, të cilën e falënderoj që na ka ndihmuar në shumicën e rasteve për t’u dhënë zgjidhje këtyre situatave të vështira.
E vetmja rrugë për t’i bërë klientët të paguajnë energjinë elektrike është ajo e ndërprerjes së furnizimit. Energjia elektrike është një mall. Këtë mall ata e kanë marrë dhe, për rrjedhojë, duhet ta paguajnë. Duke u edukuar me këtë marrëdhënie, ata do të fillojnë të kursejnë energjinë elektrike. Klientët që nuk paguajnë, kanë edhe konsum më të madh, duke qenë se janë të bindur që nuk do ta paguajnë energjinë që konsumojnë.
Si bëhet ndërprerja e një debitori në rastin kur ka një kabinë, e cila është pjesërisht debitore?
Në raste të tilla nuk bëhet ndërprerja e kabinës. Në këto raste, janë dy departamente të veçanta, ai i humbjeve joteknike dhe ai i matjes, që shkojnë shtëpi më shtëpi për të bërë ndërprerjen individuale të furnizimit për debitorët. Ndërsa në rastet kur kemi pasur protesta, e gjithë zona ka qenë debitore. Për shembull, në Domje ka pasur tri kabina debitore, të cilave u është ndërprerë furnizimi. Në Laknas, që ndodhet afër Domjes, kemi pasur 7 kabina debitore.
Prej sa kohësh janë debitore këto kabina?
Ne kemi filluar përllogaritjen e debisë gjithmonë nga viti 2007, sepse CEZ Shpërndarje mbledh borxhin nga viti 2007 e në vazhdim.
Kjo do të thotë që nga viti 2007 e këtej banorët e këtyre zonave nuk kanë paguar energji elektrike?
Kabina quhet debitore kur secili klient që lidhet me këtë kabinë është debitor. Një klient i caktuar mund të ketë paguar vitin 2007, por i mbetet një pjesë tjetër e faturave pa paguar për vitet në vazhdim.
Z. Luarasi, mund të na tregoni për ecurinë e fushatës që ka nisur që në muajt e verës dhe si do t’i mblidhni këto debi, duke pasur parasysh protestat e banorëve?
Në të vërtetë, konsumatorët kanë filluar të reagojnë duke kryer pagesa. Unë mund të përmend zona të tëra ku kanë filluar të kryhen pagesa, si për shembull zonat Elbasan, Berat, Korçë, ku është paguar rreth 50 deri 60% e debisë.
Po zonat që kanë probleme?
Edhe zona të tjera kanë nisur të bëjnë pagesa. Unë mund të them që në disa zona informale në Tiranë është paguar deri në 90%, por ka zona të tjera, të cilat janë më të vështira në shlyerjen detyrimeve. Aty kemi arritur jo më shumë se 10% të arkëtime. Gjithsesi, është e rëndësishme që nëpërmjet këtyre aksioneve të arrijmë të ndryshojmë mendësinë e konsumatorit shqiptar. Konsumatori duhet të kuptojë që ka blerë një mall i cili duhet paguar. Ndryshimi i mendësisë do të sjellë një konsum më të përgjegjshëm të energjisë elektrike nga ana e klientëve dhe pagesa të rregullta të faturave. Ne po arrijmë shifra rekord në blerjet e energjisë elektrike.
Si ka qenë bashkëpunimi me strukturat vendore dhe me Policinë?
Përgjithësisht kemi bashkëpunuar në mënyrë korrekte me këto struktura. Ka pasur disa momente kur kemi hasur vështirësi në qarkun e Kukësit, por pas kësaj kemi vendosur një urë bashkëpunimi shumë të mirë me prefektin, të cilin dua ta falënderoj publikisht. Ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me kryetarët e komunave Breglumas dhe Shtiqën, të cilët po na ndihmojnë të arkëtojmë debitë. Po ashtu, ka pasur një bashkëpunim të mirë me kryetarët e komunave Moblicë, Voskovë, Miras në zonën e Korçës, Qukës  të Librazhdit, në Stërblevë të Elbasanit. Komunikimi me ta është shumë i mirë dhe gjithashtu policia na ka ndihmuar vazhdimisht.

© Panorama.al

Te lidhura