Ndërmarrjet shtetërore, trualli të privatizohet brenda 2012-s

May 5, 2012 | 12:51
Ministria e Financave

Të gjithë ata që kanë privatizuar ish-ndërmarrjet shtetërore, kanë afat deri në fund të këtij viti për të privatizuar edhe truallin. I gjithë dokumentacioni, sipas kërkesave të përcaktuara në ligj, do të duhet që të dorëzohet pranë Ministrisë së Financave në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Në një njoftim të saj dje, Ministria detajon specifikisht se të gjithë personat, fizikë apo juridikë privatë, duhet të bëjnë blerjen e truallit të ndërmarrjes apo objektit që kanë privatizuar nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, ish-degët AKP në rrethe, nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore me degët e tyre në rrethe. E njëjta gjë, sipas Financave, vlen edhe për trojet e paprivatizuara mbi të cilat janë ndërtuar ndërtesa, në bazë të lejeve të ndërtimit të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.08.1991 e në vazhdim. Afati i fundit që është lënë në dispozicion të atyre që duhet të privatizojnë truallin, është fundi i këtij viti ose, në të kundërt, sikurse përcaktohet në njoftim mbi personat do të rëndojë vjelja e detyrimeve të papaguara të qirasë si dhe taksa e përdorimit të truallit shtetëror. “Blerja e truallit do të bëhet sipas ligjit nr. 10270, dt. 22.04.2010, i ndryshuar. Në bazë të këtij ligji, afati i fundit i blerjes së truallit është data 31.12.2012. Pas këtij afati, në rast se nuk është blerë trualli i objekteve nga pronarët apo dorëzimi i kërkesës për blerje trualli, fillon zbatimi i pagesës së taksës për të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror si dhe vjelja e detyrime të papaguara të qirasë së përdorimit të truallit nga data e privatizimit apo ndërtimit të objekteve deri më datën 07.06.2010”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura