Nderimi për Mbretin Zog

Oct 7, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

Ekrem spahiuEKREM SPAHIU *

Nderimi për Mbretin Zog është nderim legjitim për shtetin shqiptar (Me rastin e 129-vjetorit të lindjes)

Pas Ismail Qemalit, i cili ka meritën unike historike që e shkëputi Shqipërinë nga zgjedha otomane dhe e shpalli të lirë e të pavarur, shtetari i parë afatgjatë, që kornizoi Shqipërinë europiane, është Ahmet Zogu, madje në periudhën më kritike të botës, atë midis dy luftërave botërore. Është fakt, që historia e shtetit shqiptar të asaj kohe është edhe historia e Ahmet Zogut, sepse është vepër e tij. Prandaj, nderimi për Ahmet Zogun, është nderim legjitim për shtetin shqiptar. Absolutisht është legjitim nderimi për aktin e madh të shpalljes së pavarësisë, por është po aq legjitim nderimi i faktit që Ahmet Zogu përfaqësoi krahinën e Matit në Kuvendin e Vlorës dhe, në roje të pavarësisë së saposhpallur të vendit, organizoi dhe angazhoi forcat e tij kundër forcave serbomalazeze në Kakarriq, duke vënë jetën e tij në altarin e sakrificës për lirinë e atdheut. Është legjitim nderimi për Kongresin e Lushnjës. Por është po aq legjitim nderimi i faktit që Ahmet Zogu, përveçse ishte një ndër protagonistët kryesorë për thirrjen dhe organizimin e atij kongresi, iu besua edhe detyra për sigurimin e tij, duke e zgjedhur madje në qeveri, në detyrën delikate për kohën, atë të ministrit të Brendshëm. Me këtë autoritet legjitim, ai i hapi rrugën qeverisë së dalë nga ai kongres për t’u zhvendosur dhe instaluar në Tiranë, si dhe për të vënën nën kontroll, në emër të asaj qeverie, të gjithë territorin e vendit. Është legjitim përcaktimi i vendit të duhur në histori e në protokoll për të gjithë kryeministrat e vendit. Prej këtej, është imponim të nderohet edhe kryeministri Ahmet Zogu, që qeverisi më gjatë vendin në ato vite të trazuara të pas Luftës së Parë Botërore.

Është legjitim nderimi për arritjet e çdo kohe çfarë ka qenë interes kombëtar shqiptar. E për këtë arsye, shteti shqiptar e ka për detyrim zyrtar të nderojë faktin se Mbretëria Shqiptare ishte shteti më i konsoliduar shqiptar që orientoi të gjitha strukturat dhe institucionet e qeverisjes për nga modelet më të mira Perëndimore. Si rrallëherë në historinë e Shqipërisë, ai thirri ekspertizën më të mirë juridike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike të shteteve perëndimore. Statuti Themeltar, Kodi Civil, Kodi Tregtar, Kodi Penal, Kodi i Procedurës Civile etj., të hartuara nën këtë ekspertizë, shënuan shkëputjen e plotë nga legjislacioni i periudhës otomane dhe e orientuan zhvillimin e Shqipërisë për nga potencialet demokratike. Ministrat, deputetët dhe ambasadorët e kohës së Mbretërisë Shqiptare u zgjodhën nga njerëzit më të ditur të vendit, të cilët i vunë aftësitë e tyre në shërbim të shtetit dhe shtetasve, siç e kërkonte statusi i tyre social dhe formimi i tyre. Mbi këto baza, u krijua edhe administrata e shtetit, dokumentacioni zyrtar i së cilës mbetet edhe sot etalon korrektese ligjore. Me përvojën dhe autoritetin e krijuar, kontrolli i territorit u forcua në atë shkallë sa, në të gjitha kohërat më pas, kujtohet me nostalgji fakti që një xhandar i vetëm, mbante rendin e qetësinë në një zonë të caktuar.

Me ekspertizën më të mirë perëndimore u ngrit Ushtria Kombëtare, me të gjitha strukturat krahasuese europiane, të cilës iu dha një mbështetje e pashembullt, duke i alokuar buxhet përparësor. U shenjtërua prona dhe kadastra si elemente themelore të së drejtës.

Liria e shprehjes dhe e shtypit ishte e garantuar. Në atë periudhë u botuan gazeta të gjithëfarllojshme opozitare, në të cilat nuk ishte blasfemi dhe nuk ndëshkohej kush pse shkruante kundër qeverisë apo edhe vetë Mbretit.

U ndërtua nga fillimi infrastruktura rrugore dhe ura të shumta. Pikërisht në atë kohë mori formë kryeqyteti shqiptar, me korpuset kryesore, të cilët akoma edhe sot përbëjnë pasaportën e identitetit të tij urban.

Shteti në kohën e Mbretit Zog e bëri krenar shqiptarin: me politikat e ndjekura, iu garantua lëvizja e lirë, me pasaportë të denjë për të paraqitur identitetin e tij në çdo vend të botës. Paraja shqiptare, napoloni i famshëm, ishte një nga monedhat më të forta të kohës. U masivizua arsimi kombëtar duke i dhënë prioritet edukimit të brezit të ri me frymë kombëtare.

U respektuan, si në asnjë vend fqinj, të drejtat e minoriteteve për arsimim në gjuhën e tyre. Mbretëria shqiptare garantoi me ligj lirinë e besimeve fetare. Me një lëvizje të vendosur dhe të papërsëritshme, Ahmet Zogu krijoi të gjitha kushtet për shpalljen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Qysh në vitin 1925, ai kishte garantuar ngritjen në Shqipëri të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Askush nuk mund t’i mohojë këto vlera në historinë shtetërore të Shqipërisë. Atëherë shteti duhet të jetë serioz me veten që, në ceremonialin zyrtar të Shqipërisë, të përfshihet edhe përkujtimi i ngjarjeve historike e jetësore që lidhen me Mbretërinë Shqiptare.

Është një detyrim ndaj shtetarit të rrallë shqiptar, Ahmet Zogut.

*Bashkëkryetar i LZHK

/Gazeta Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura