“Ndalova të blija libra parashkollorë, kur dola nga kancelaria pashë Arianin”- Rrëfimi tronditës i Habib Rexhës: Kam dëgjuar disa herë të thonë ‘do t’i vrasim malokët’ dhe…

May 26, 2023 | 12:04
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Historia e përgjakjes së Kavajës duket se e ka tejkaluar atë masakër të ndodhur në mes të ditës dhe në mes të dhjetëra dëshmitarëve me 29 mars të këtij viti.

Atë ditë, Edmond Gosa (Armand) shihet në kamera teksa shan dhe fyen Altin Rexhën, i cili ishte bashkë me të birin. Pas asaj ngjarjeje të rëndë që tronditi mbarë opinionin publik, por me sa duket jo Policinë dhe Prokurorinë që ishin në ethet e fushatës, asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrën e sjelljes së palëve.

Dëshmia e asaj që është folur herë pas herë është zbardhur nga vetë Policia më në fund, që pranon që nuk kanë qenë të pranishëm mes dy familjeve që për dy muaj humbën 3 djem në moshë të re.

Është vetë Habib Rexha, i cili duke dashur të tregojë rrethanat e krimit të kryer prej tij, ka dëshmuar edhe paaftësinë dhe neglizhencën e Policisë së Shtetit dhe të institucioneve ligjzbatuese që i braktisën ato dy familje në fatin e tyre të keq.

Sipas tij, ai ka dëgjuar jo pak herë të thuhet se do t’i “vrisnin malokët”, ndërkohë që ai dhe familja e tij, gjithnjë sipas tij, janë kërcënuar disa herë përgjatë kohës. Por, ajo që bie në sy është se ditën e ngjarjes, Habib Rexha, pasi ka kryer krimin, ka shkuar në Durrës, ka qëndruar pak kohë në bregun e detit, ka marrë autobusë linje dhe ka mbërritur në Kukës, ndërkohë që viktima e tij, i ndjeri Arian Gosa ishte ende në vendin e ngjarjes, i pajetë dhe në duart e të atit.

Policia grumbulloi veç gëzhojën, ndërsa autori kishte marrë udhën e arratisë, pavarësisht faktit se vrasjen e kishte kryer haptas dhe i pa kamufluar.

Rrëfimi në Polici

“Pas kthimit, kam punuar si ndihmës te puna e vëllait duke punuar aty si shitës. Dua t’ju them se shtetasi i ndjerë Arian Gosa ka hapur fjalë në Kavajë dhe në lagjen ku banojmë ne se ‘do t’i vras malokët, nuk ju lë vend këtu’.  Jam ndjerë i frikësuar dhe në ankth se ndonjë nga familjarët e mi mund të pësonte fatin e Altinit. Kam shkuar në Kukës dhe në kufi kam marrë kontakt me një shtetas të Kosovës për të cilin nuk e di asgjë dhe i kam kërkuar që të më gjejë një armë zjarri dhe ai më ka siguruar një pistoletë të llojit TT të cilën ia bleva 200 euro.

Në datë 21.5.2023, pasi kam ndenjur deri në ora 16:00- 17:00 te puna e vëllait, Artur Rexha. Kam marrë makinën time të markës ‘Volswagen’ lloji ‘Tuareg’, me ngjyrë gri, me targa ‘AA488MC’ dhe kam shkuar te lokali ku ndodhi ngjarja. Ndërkohë, pistoletën e kisha me vete në xhaketë të maskuar dhe e kisha të mbushur. Kam dalë nga makina dhe kam shkuar te shkallët e lokalit të shtetasit S.O., ku kam vënë re që ndodhej shtetasi Arian Gosa i shoqëruar me një person tjetër, të cilin nuk e njihja. Menjëherë më lindi ideja për ta vrarë. Kam nxjerrë pistoletën dhe e kam qëlluar me një plumb në kokë dhe jam larguar me vrap në drejtim të makinës, e cila ishte rreth 200-300 m larg vendit të ngjarjes. Më pas, me makinën time kam ikur në drejtim të qytetit të Durrësit, kam lënë makinën në zonën e plazhit, mbaj mend që afër ishte një karburant ‘Gega Oil’, në krahun e djathtë, dhe pasi lashë makinën, kam ikur në këmbë deri te një vend te ‘Pista Liria’, ku janë ca gurë dhe aty kam hedhur pistoletën në det.

Më pas, kam ikur për në Kukës me autobusë të linjave, kam qëndruar deri ditën e sotme dhe vendosa që të vija të dorëzohem. Kam ardhur te shtëpia e vëllait, Artur Rexhës, kam ndërruar rrobat, kemi njoftuar shefin e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe jam dorëzuar tek ai dhe punonjësit e Policisë. Dua t’ju them se kurrë nuk kam pasur ndërmend të vras shtetasin Arian Gosa. Kemi pritur për t’u pajtuar, por meqenëse ai kishte përhapur fjalët që ju thashë më sipër dhe në dy rastet që u përballëm rastësisht, më kërcënoi, mendova se ai do me vrasë ose mua ose vëllezërit e mi, siç bëri vëllai i tij ndaj Altinit. Kështu që, për këtë arsye, e vrava unë. Tashmë, jam shumë i penduar, por e bëra nga frika se mos humbja familjarët e tjerë”.

Prania e Ervis Kurtit

“Dua t’ju them se atë ditë para se të vija në Kavajë mua me sheh një shok rastësisht në Luz të Madh, i cili quhet Ervis Kurti dhe më ka pyetur se nga po shkon dhe i thashë që ‘po dal një xhiro për qejf në Kavajë, a do vish për kafe dhe po munde merr dhe makinën pasi ti e di që skam patentë e mos na ndalon kot Policia’. E ka marr makinën Ervisi dhe unë kam qenë pasagjer. Kemi hy në Kavajë dhe i kam thënë Ervisit parkoje makinën se do shkoj të blej ca libra te një kancelari, e cila është përballë me lokalin ku ndodhi ngjarja. Kam hy në kancelari kam blerë librat parashkollorë dhe kur kam dalë nga kancelaria, kam vënë re shtetasin Arian Gosa në një lokal përballë. Kam shkuar te lokali dhe ndodhi ngjarja që ju sqarova më sipër. Shoku im nuk ka qenë në dijeni të veprimeve që kam bërë, madje unë u ktheva më pyeti që çfarë pate që po të merret fryma dhe i thash asgjë po hajde ikim ta pimë kafen në Durrës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura