Është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare deputeti i PD për qarkun e Shkodrës, Gëzim Dibra. Deputeti Dibra ka ndërruar jetë mesditën e së premtes në një nga spitalet e shtetit fqinj, Italisë, ku ishte shtruar për t’u kuruar, pasi siç mësohet ai prej muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme. Trupi i pajetë i deputetit Dibra pritet të vijë në atdhe mëngjesin e ditës së diel dhe do të niset për në qytetin e tij të lindjes, Shkodër. Në hollin e Bashkisë së Shkodrës, familjarë kolegë, të afërm dhe miq të deputetit Gëzim Dibra do të zhvillojnë homazhe për nder të tij. Ndërkohë që pasdreken e ditës së diel do t’i jepet edhe lamtumira e fundit deputetit Dibra. Ai është zgjedhur si deputet i legjislativit shqiptar që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 për qarkun e Shkodrës. Gjithashtu, deputeti i së djathtës ka qenë edhe anëtar i komisionit parlamentar për veprimtaritë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin. Deputeti Dibra vinte nga radhët e shoqërisë së biznesit dhe njihej në opinionin e gjerë të Shkodrës si njeri korrekt, punëtor dhe human. Që në fillim të viteve të para të demokracisë, Gëzim Dibra së bashku me tre miq të tij kanë ngritur një biznes i cili aktualisht është ndër më të suksesshmit në zonën e Veriut të Shqipërisë. Sëmundja e tij kishte dhënë shenjat e para rreth një vit më parë, ndërsa ajo është përkeqësuar së shumti ditët e fundit. Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, kanë shprehur ngushëllimin e tyre për ndarjen nga jeta të deputetit të PD-së. “Lajmi i ndarjes nga jeta i njeriut tuaj më të dashur, Gëzimit, më ka pikëlluar thellë mua, familjen time dhe mbarë Partinë Demokratike. Gëzim Dibra nuk do të jetë më midis nesh, por ai ka lënë për ju, miqtë e tij, Shkodrën, qytetin e tij të dashur, Parlamentin e vendit dhe Partinë Demokratike, emrin dhe kujtimin e tij si njeri i mrekullueshëm, prind shembullor, mik i vërtetë, qytetar dinjitoz, biznesmen i talentuar, politikan demokrat dhe deputet i përkushtuar”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Kryeministrit. Në Parlament, pas ndarjes nga jeta të deputetit Dibra, në vend të tij do të jetë Ramiz Çoba, i cili ishte i teti në listë në qarkun e Shkodrës.











