Ndahet nga e dashura, me granatë kanos “vjehrrin”

Jun 23, 2011 | 10:00

BERAT – Kërcënon me granatë babanë e vajzës me të cilën bashkëjetoi 6 vjet në Greqi. Policia e Beratit arrestoi dje një 32-vjeçar nga Memaliaj, si autor të kësaj ngjarjeje. Artan Malaj kishte shkuar në banesën e vajzës me të cilën tashmë ishte ndarë, duke kërkuar me ngulm që ajo t’i kthente makinën “Mazda”, të cilën ai pretendonte se e kishte pronë të tij. Por rezistenca e 70-vjeçarit, me inicialet R.T., si dhe e djalit të këtij të fundit ka bërë që Malaj t’i kërcënonte ata me një granatë dore që e kishte me vete. “Arrestimi i shtetasit Artan Malaj, nga qyteti Memaliaj në Tepelenë, është bërë pasi më 21 qershor, rreth orës 06:30, ka shkuar në banesën e shtetasit R.T., 70 vjeç, në fshatin Mbrakull, komuna Vërtop, për t’i kërkuar këtij të fundit mjetin tip ‘Mazda’ me targa YY 8272. Ky shtetas kishte bashkëjetuar prej gjashtë vjetësh me vajzën e 70-vjeçarit në Greqi, por më pas ata janë ndarë. Pas ndarjes, 32-vjeçari pretendonte se e dashura i kishte marrë makinën dhe e kishte sjellë tek prindërit e saj në Berat”, bëri të ditur Policia. Mësohet se i moshuari dhe djali i tij nuk kanë pranuar t’ia japin mjetin, duke i pohuar se ishte pronë e vajzës së tyre. Pas shumë debatesh midis tyre, i riu i ka kërcënuar ata, duke treguar edhe valixhen që kishte me vete, në të cilën ndodhej një granatë dore me gjithë ndezës, se do t’i vriste nëse nuk do t’i jepnin makinën. Duke dashur të neutralizonin situatën, i moshuari i ka kërkuar “ish dhëndrit”, që të kthehej në Poliçan dhe të blinte benzinë që të merrte mjetin, pasi nuk kishte karburant. Teksa 32-vjeçari është kthyer për të blerë benzinë, babë e bir sinjalizuan policinë. Blutë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe arritën të arrestonin memaljotin, duke i sekuestruar edhe lëndën plasëse.  d.xh

© Panorama.al

Te lidhura