E cilësuar së fundmi nga revista “Grazia”, si një nga diplomatet më sharmante në Milano, është pinjolle e një mbiemri të njohur. Konsullja e Shqipërisë në Milano, tregon përvojën e saj si nënë e diplomate. Një karakter i fortë ku harmonizohet e tanishmja dhe e shkuara e familjes së saj, me lidhje solide me diplomacinë e huaj. Një shkodrane e cila nuk përton t’ju shkojë gjërave deri në fund.
Është e lehtë të mendosh që puna e një konsullje femër, që ndër të tjera fati, dhe jo vetem ai, i ka shkruar ta përfaqësojë vendin e saj pikërisht në Milano, është puna më “Glamour” e mundshme. Së jashtmi gjërat janë kaq të thjeshta. Ta shohësh Nausika Spahinë në një takim zyrtar, do të mendosh me siguri që është dikush në banesën e saj që kujdeset për rrobat, dikush tjetër për kuzhinën, dikush për fëmijët, pra janë të gjithë sektorët të sistemuar. Nuk është fare kështu. Natyrisht që revista italiane “Grazia”, kur përzgjodhi gratë në karrierë diplomatike për të treguar edhe një farë zilije që kanë të gjithë ndaj elegancës së tyre, nuk u mor asfare me këto gjërat e tjera, ajo e përkufizoi Nausikën si një trendsetter, si dikush që “dikton” stil e elegancë për të tjerët dhe si një grua me një karrierë të jashtëzakonshme. Nausikës i pëlqen t’i japë kujdesin e nevojshëm vetes, në ato pak orë që mundet ta bëjë këtë. Atëherë kur të dy fëmijët janë sistemuar në kopsht, oraret e takimeve të ditës janë mbyllur, bashkëshorti, shef i kirurgjise okulistike, ka gati gjithë ç’i duhet…Sepse kjo është dita e konsulles së përgjithshme të Shqipërisë në Milano. Turravrap ose jo, duhet t’i bëjë të gjitha, dhe duhet t’i bëjë mirë, paçka se përmes ekranit apo fotografisë ne mund të shohim vetëm të jashtmen e saj, elegancën e kuruar, që duket se e ka specialitet.
Vendi ku jetoni, Milano, ju jep pa dyshim dorë për t’u dukur kaq mirë, megjithatë duhet të shpenzoni kohë për të parë trendet e reja, shooping-un. Si i organizoni të gjitha? Në fakt, i rashë kaq gjatë me shpresën që në fund të mësoj pak edhe për formën e mirë fizike…
Ju falënderoj, e me këtë rast po e nis përgjigjen nga fundi. Sado që më pëlqen shumë të gatuaj, koha kur jam në kuzhinë më shkarkon nga të gjitha tensionet, ama më pas, kur gjithçka është gati, nuk kam nevojë të ha tepër, më mjafton të jenë cilësore, qoftë dhe gatimet më të thjeshta dhe kënaqem me fare pak. Organizoj shpesh darka në shtëpi, edhe punë, rezultojnë të jenë më produktive kur bëhen në ambiente familjare, jemi të gjithë më të qetë. I pergatis të gjitha vetë, dhe kjo është një tjetër kënaqësi kur merr komplimente në fund të mbrëmjes. Duke ju treguar kuzhinën dhe atmosferen e shtëpisë sime, ju tregoj miqve edhe se kush jam unë.
Meqë është temë delikate e mund të bëjmë të vuajnë shumë njerëz, rikthehemi te pjesa e parë e pyetjes: trendsetter, siç ju kishte përkufizuar revista “Gracia”…
Kohë tërësisht timen nuk mund të kem, sepse dita që në mëngjes më nis impenjative. Bëj gati fëmijët për në kopsht, pastaj merrem me veten në atë kohë që më mbetet deri kur më duhet të jem në zyrë. Megjithatë, është një pjesë që më përket dhe e konsideroj një kotur të rëndësishëm të personit, por pa e vënë përpara thelbit të tij. Stili i të veshurit duhet të ndërthuret doemos me atë të komunikimit, për ta bërë dikë të duket elegant. Gjërat estetike duhet të kenë harmoni, por kjo nuk përfshin për mua vetëm veshjen, siç ju thashë më parë, përfshin të shtruarit e një tryeze këndshëm, me gjëra të mira, të prezantuara bukur, po s’po ju ngacmoj më…aredimin e një ambienti. Në Milano është e vërtetë që merr shumë kollaj frymëzim, por ka edhe influenca ndërkombëtare.
Kur i bëni të gjitha vetë, kush kujdeset për fëmijët në rastet kur zyra duhet t’ju kthehet në shtëpi deri në mbrëmje vonë?
Për fat të mirë kanë gjyshërit pranë që na ndihmojnë, do ta kisha shumë të vështirë psikologjikisht t’i mendoja me një babysitter.
Na tregoni pak për gjithë rrugët që ju është dashur të ndiqni për të mbërritur deri këtu, shkollimin, përvojat në punë…
Do ta nis pak herët, në vitet e studimeve tetëvjeçare, kam studiuar për violinë në shkollën e muzikës së Shkodrës. E nisa prej këtej, për të treguar dashurinë që më ka mbetur për muzikën klasike, sepse po t’i bija vetë violinës sot, ndoshta thjesht do dëmtoj veshin. Edhe gjimnazin e kam bërë në Shkodër, në vitet më të vështira kur nisën lëvizjet e para antikomuniste. Edhe pse ende në gjimnaz, përfshirja në radhët e studentëve erdhi e natyrshme, ndoshta edhe prej frymës së familjes dhe tim ati, që kishte dashur gjithnjë më të mirën për të ardhmen tonë dhe vendit të tij. Pas këtyre ngjarjeve, fitova një bursë studimi në Itali, ku shkova në Lice e më pas nisa studimet e larta për Shkenca Politike me specializim në Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Pavia. Një pjesë e studimeve universitare kanë qenë edhe në Angli.
(Ndërsa për shumicën e shqiptarëve Italia ishte shpresa e vetme për t’i mbijetuar urisë, për Nausikën kishte qëllime të tjera, por po aq të domosdoshme. Nuk ishte fare e lehtë, për askënd, cilatdo qofshin qëllimet, të luftonte me një botë të re, shumë larg të tijës. Edhe asaj i ndodhi të ëndërronte për datën e ardhshme, pas kushedi se sa kohësh, kur do të prekte receptorin e telefonit për të dëgjuar zërin e familjarëve. Të bënte përpara përgjumjes mbledhje-zbritje të liretave që kishte në xhep, për të llogaritur a do të mjaftonin sa për një biletë trageti. Për fat, edhe pse shpesh nuk ishin mjaftueshëm, sot Nausika është atje për ta bërë më të lehtë gjithë këtë proces për vendësit e saj, për sakrificat dhe përpjekjet e të cilëve ka nje respekt të jashtëzakonshëm)
Babai juaj, Ali Spahia, akoma sot kujtohet si një ndër politikanët më të shquar të vendit. A ishit ndikuar nga kjo, apo nga vetë ai për përzgjedhjen e degës?
Im atë ka qenë pa dyshim frymëzim, dhe bisedat me të, qofshin këto komente fare të zakonshme për ngjarje apo situata, më kanë shërbyer për formim të vazhdueshëm, por që për t’u thelluar më tej kërkon kualifikim. Pastaj, përzgjedhja e degës kishte të bënte me pasionin për politikën dhe me bagazhin kompleks që mund të merrje prej saj, mësoje nga Drejtësia, Ekonomia, Historia e Filozofia.
Si ka nisur për ju karriera administrative?
Kam nisur me bashkëpunime të herëpashershme qysh kur isha studente me Drejtorinë Politike të Këshillit të Europës, kam qenë pjesë e stafit të kësaj drejtorie të drejtuar nga Z. Hans Peter Furrer, personalitet i shquar i politikës ndërkombëtare, mik i ngushtë i Shqipërisë. Përveç studimeve e specializimeve, edhe kjo përvojë ka qenë një shkollë e pazëvendësueshme. Kam punuar më pas si supervizore në një kompani ndërkombëtare për konsulencë ligjore deri sa mbërriti specializimi i radhës.
Që ishte?
Një tjetër bursë studimi në Angli, këtë herë për një master pasuniversitar, nga 70 veta që përzgjidheshin nga e gjithë bota, isha e përzgjedhura e vetme e Italisë, për Zgjidhje konfliktesh dhe Diplomaci.
Në 2005-n u riktheva në Shqipëri, pjesë e stafit të Kryeministrit të vendit, këshilltare për politikat e jashtme. Është pa dyshim ëndrra e kujtdo që ka studiuar në diplomaci që të mbërrijë deri këtu, nje privilegj, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në vitin 2009, u emërova konsull i përgjithshëm në Milano.
Përveç se u rikthyet në një ambient familjar që lehtëson dashur pa dashur edhe punën, ku konsiston përditshmëria e punës së një konsulli?
Në radhë të parë e mbi të gjitha, një konsull është aty për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë. Konsullata në Milano ka shtrirje shumë të madhe, përfshin 11 rajone, pra të gjithë Veriun e Italisë, kështu që përditshmëria të përball me qindra problematika nga më të ndryshmet, me marrëdhëniet, me institucionet e shtetit italian e atij shqiptar. Në zyrat tona kalojnë çdo ditë mesatarisht rreth 200 persona. Por, përveç problematikave dhe sfidave me të cilat duhet të perballem çdo ditë, arrin të marrësh edhe shumë sodisfaksione. Paçkase gjithnjë ke ndjesinë se duhet dhe mund të bëhet më tepër. Një nga prioritetet që kisha që studente, por që u konkretizua tani që më është dhënë mundësia dhe që njëkohësisht e kam edhe detyrë institucionale, është përmirësimi i imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, i cili nuk ishte ai i duhuri, siç dihet. Tani shqiptarët nuk shihen më si emigrantë problematikë, por si pjesë e mireintegruar, e cila kontribon në zhvillimin ekonomik e kulturor të shoqërisë italiane.
Megjithatë, tani jemi në një fazë nga ku shqiptarët po përpiqen të largohen edhe nga Italia, si pjesë e Europës të prekur nga kriza financiare…A keni të dhëna nëse po rritet numri i atyre që po tentojnë të rikthehen në vend?
Qeveria shqiptare në këtë drejtim po intesifikon marrjen e iniciativave konkrete të koordinuara mes Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, Ministrisë së Jashtme, Organizatës Ndërkombëtare të Imigracionit, Agjencisë për Investimet dhe Zhvillimin (AIDA)etj., në mënyrë që të adresojë dhe të asistojë me efikasitet emigrantët që vendosin të rikthehen në Shqipëri.
Ne si Konsullatë jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe po mbështesim emigrantët që po shohin mundësinë për t’u rikthyer, po studiojnë terrenin për t’u rivendosur në atdhe, kjo falë edhe trendit pozitiv të rritjes ekonomike në Shqipëri.
ANI JAUPAJ











