
Kanë kaluar shumë kohë që kur uleshin në të njëjtën tavolinë në Klubin e Shkrimtarëve, pranë Teatrit Popullor.Plaku hokatar që nuk linte rast pa e ngacmuar të riun, i thoshte: E di se do të vijnë ato zogëzat (aktoret e teatrit) të të takojnë dhe të paktën t’i shoh edhe unë nga afër. Nasho Jorgaqi ishte tek të 30-at atëherë, ndërsa Ali Asllani, tashmë i shtyrë në moshë. Këtë vit bëhen 45 vjet që nga vdekja e tij dhe studiuesi Nasho Jorgaqi i bën një homazh figurës së poetit, duke mbledhur në një botim të vetëm gjithë krijimtarinë e tij. Më pas, kësaj nisme iu bashkua edhe botuesi Ardian Klosi, i cili i shtoi të tjera materiale përmbledhjes. Pas prezantimit të veprës në Teatrin e Metropolit, Jorgaqi na tregon jo vetëm për krijimtarinë e Ali Asllanit, por edhe për njohjen personale që ka pasur me të. Kush është njeriu që shërbeu si sekretar i qeverisë së Ismail Qemalit, pjesëmarrës dhe frymëzues i Luftës së Vlorës, por dhe anëtar i Këshillit të Lartë gjatë pushtimit fashist. Poeti i dashurisë, por edhe i himnit “Vlora, Vlora”.
Sapo ka dalë në qarkullim vepra e plotë e poetit Ali Asllani e përgatitur nga ju, ç’ju nxiti?
Lidhjet e mia me Ali Asllanin janë sa profesionale, aq edhe personale. Për 30 vjet me radhë kam dhënë Letërsinë Shqipe të Pavarësisë, ku përfshihej edhe vepra e krijimtaria poetike e Ali Asllanit. Gjithashtu kam pasur fatin ta njoh personalisht dhe të fitoj miqësinë e tij. Para 5 vjetësh, kur ai kishte 40-vjetorin e largimit nga jeta, QNK-ja organizoi një takim jubilar. Një takim që për fat të keq dështoi se kishin ardhur gjithsej vetëm 6-7 veta. Të gjithëve na erdhi keq, sepse bëhej fjalë për një figurë madhore, e cila e meritonte homazhin e publikut shqiptar në kushtet që po jetojmë. E vetmja gjë e mirë ishte njohja me të nipin, Adrian Asllanin. Duke e ndierë si një borxh shpirtëror ndaj Xha Aliut, i propozova realizimin e një antologjie, jo vetëm me krijimtarinë e tij më të mirë, por edhe dokumente, diskutime e fotografi. Punën përgatitore e përfundova një vit më parë. Kisha menduar një shtëpi tjetër botuese, por ishte dëshira e trashëgimtarit që ta botonim te shtëpia botuese e Ardian Klosit. Në bisedë me këtë të fundit, u hodh ideja e realizimit të veprës së plotë të Ali Asllanit. Ardian Klosi u bë edhe bashkëpërgatitës i librit duke hequr e duke shtuar ca pjesë të tjera në libër. Vepra u prezantua mbrëmë në një ceremoni ku nuk merrnin pjesë 7 veta, por rreh 200 syresh dhe u ndjeva vërtetë mirë për këtë respekt që iu bë figurës së Ali Asllanit dhe faktit që kontribuova sado pak në të.
Ka një kontradiktë në jetën e Ali Asllanit, nga një luftëtar i Luftës së Vlorës, në një “bashkëpunëtor” me pushtuesit italianë..

Ali Asllani ka pasur një të kaluar patriotike të admirueshme. Ka marrë pjesë në shpalljen e Pavarësisë, kur ishte sekretar i Ismail Qemalit dhe i qëndroi besnik atij derisa u largua në 1914. Madje, dokumenti i largimit të Ismail Qemalit është shkruar nga dora e Ali Asllanit. Ndërsa gjatë Luftës së Vlorës ishte në krah të kryengritësve, hartues i programit të kryengritjes dhe poeti i këngës himn “Vlora, Vlora”. Pati edhe në vijim poste të larta. Por detyrat më të rëndësishme i ka pasur në shërbimin diplomatik. Fillimisht konsull, pastaj ministër fuqiplotë në Trieste, Sofje dhe Athinë. Kur ishte në Athinë, ishte ngarkuar të zgjidhte çështjen e pasurive të shqiptarëve në Greqi, një çështje që vazhdon edhe sot. Deri në vitin 1939 ka qenë kryetar Bashkie i Vlorës. Por, pas pushtimit italian, në ’39-n, ky patriot që kishte luftuar kundër “breshkaxhinjve”, u bë anëtar i Këshillit të Shtetit. Kjo e ka rënduar biografinë e tij politike, por edhe ndërgjegjen e tij. Ai ishte i ndërgjegjshëm dhe e kuptonte që nuk kishte vepruar mirë. Këtë dramë shpirtërore ai do ta shprehte në vjershat që do të shkruante ilegalisht. Vdekja e Perlat Rexhepit, të cilin e kishte të afërt, e indinjoi aq shumë saqë shkroi dhe një nga poezitë më të bukura të krijimtarisë së tij. Një tjetër vjershë kundër qeverisë kuislinge ishte ajo e titulluar “Hakërrimë”. Dhe, në ato kushte që ishte, e tregoi patriotizmin e tij.
Kjo pa dyshim ndikoi në jetën e tij si letrar, iu mohua botimi, si iu hap rruga më pas?
Gabimi është njerëzor dhe nuk duhet marrë në mënyrë dogmatike, siç u mor për 50 vjet. Nëse kishe bërë një gabim, ishe i dënuar për jetë. Ali Asllani nuk e njohu burgun, por njohu diskriminimin, izolimin. Ai e thoshte edhe vetë që “unë nuk i përkas kësaj kohe, por do të shkoj pas të rinjve”. Ai ishte një nga themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por u la mënjanë. Nuk i botoheshin veprat. Nuk kishte asgjë të shkruar për këtë, por kush kishte ndonjë njollë në biografi, në mënyrë automatike ishte i përjashtuar. Vinte shpesh në shtëpinë botuese ku unë punoja aso kohe. Ishte shumë i sjellshëm, asnjëherë nuk ankohej. Deri sa një ditë i them: Xha Ali, duhet ta kërkosh më lart këtë punë. Pastaj ishte Hysni Kapo që shkroi një letër, ku thoshte: Ti hapet rruga poetit të këngës “Vlora, Vlora”. Kaq u desh. Pas viteve ’60 iu botuan 3-4 vepra, të cilat e gëzuan pa masë.
Më vonë ai do të bënte poezi edhe për partinë, e bënte kjo një poet të kompromisit?
Ali Asllani ishte patriot i kohës së tij. Librin e parë me poezi ai ia kushtoi Mbretit Zog. Ishte një vëllim titulluar “Mbretit” me 14-15 poezi. Ai e vlerësonte Zogun, sepse, sipas tij, ai krijoi shtet. Para tij Shqipëria ishte në kaos dhe Zogu si njeri praktik themeloi shtetin. Më pas ai do të thoshte se ishin nacionalçlirimtarët që do t’i hapnin sytë edhe gjatë socializmit do të bënte poezi edhe për partinë, edhe për aksionet e rinisë e për Sputnikun, satelitin e parë lëshuar në hapësirë. Gjatë përgatitjes së librit, ishim në dilemë nëse duhet t’i përfshinim edhe këto poezi e në fund vendosëm të botonim disa syresh. Lexuesi mund të japi gjykimin e tij.
Ju e keni njohur personalisht, ç’mund të na rrëfeni për të?
Në planin njerëzor ai ishte shumë i hapur, i sinqertë, me një botë të pasur dhe kjo e bënte të lidhej me ne të brezit të ri. Isha 30 vjeç aso kohe dhe të kisha miqësi me një personalitet si Ali Asllani ishte nder. I pëlqente të rrinte me të rinjtë. Tema e parë dhe e fundit e tij ishte dashuria. Na thoshte “Jemi njerëz të bukurisë, or tungjatjeta!”. Herë pas here e përsëriste si refren: “Amore e Felicita”. Vazhdimisht na ngacmonte me pyetje të karakterit intim: “Ke rënë në dashuri? Kush është ajo vajza? E takove? E përqafove?..”. Ndonjëherë na bënte të skuqeshim. Por, për Xha Aliun bukuria dhe dashuria ishin temat kryesore.
Le të ndalemi këtu, ç’e karakterizonte krijimtarinë e tij letrare?
Ali Asllani është një nga poetët më të shquar lirikë. Ka shumë poezi kushtuar dashurisë, por ka edhe nga ato satirike. Një nga veprat e tij më të rëndësishme është “Hanko Halla”, ku dënon zakonet prapanike, luftën ndaj së resë dhe së vjetrës, ishte progresist dhe këtë e tregon në “luftën” mes Hanko Hallës dhe Hanko Nuses. Të gjitha këto janë dhënë bukur, me humor. Por, më e rëndësishme nga ana artistike është krijimi i karaktereve. Karakteri i Hanko Hallës është i rrallë, sa i takon poezisë. Do të mbeten në letërsinë shqipe poezitë e tij me karakter patriotik, ku një nga faqet më të bukura janë ato të Pavarësisë, por akoma më shumë ato të Luftës së Vlorës, ku ai ishte pjesëmarrës.
Megjithatë, ai njihet më shumë si poeti i dashurisë, apo jo?
Nivelin më të lartë poezia e Ali Asllanit e ka arritur në fushën e poezisë erotike. Aty ai është sovran, një poet tepër i hollë, spontan, origjinal. Ai është pjellë e trevës së Labërisë, u ushqye me folklorin lab dhe poezia e tij përgjithësisht është shartuar me të. Kjo do t’i jepte kolorit dhe frymë të veçantë (bukuria zjarr/ dashuria zjarr/ ti po dy herë zjarr/ unë përherë i marrë). Kjo e ka bërë t’i rezistojë kohës dhe unë vë re që lexues të brezave të ndryshëm, ndonëse është shkruar në “labërisht” apo ka edhe orientalizma, jo vetëm e kuptojnë, por edhe e shijojnë. Qysh në vitin 1933, Mitrush Kuteli e cilëson: Poet klasik të letërsisë shqipe. Aurel Plasari e thotë bukur: Poetika e Ali Asllanit është poetika e hireve të bukurisë.
ALMA MILE
© Panorama.al











