Narkotrafiku dhe Shqipëria

Aug 29, 2011 | 10:23

ALFRED ÇAKO

Para pak ditësh patëm rastin e pazakontë të dëgjonim se në Tiranë erdhi për një marrëveshje me homologët shqiptarë drejtori i Agjencisë Federale të Kontrollit të Trafikut të Narkotikëve të Rusisë, zoti Viktor Ivanov. Madje, siç thuhet në sajtin e Këshillit të Ministrave, “Zoti Ivanov i paraqiti Kryeministrit një ekspoze të situatës së luftës kundër narkotikëve në Rusi, por edhe një përshkrim të përgjithshëm për sa i përket trafikut ndërkombëtar të drogës”; gjithashtu, “Në takim u vlerësua si një arritje shumë e rëndësishme fakti që rrugët e drogave të rënda, siç është heroina, nga Afganistani, janë zhvendosur tashmë nga Shqipëria, çka dëshmon për suksesin e fushatës së luftës me zero tolerancë të qeverisë shqiptare (Vërtet? shënim, A.C). Gjithashtu u vlerësua edhe fakti që kultivimi i kanabisit në Shqipëri është reduktuar në mënyrë drastike”. E quajtëm të pazakontë, pasi në përgjithësi jemi mësuar që organet e specializuara të luftës antidrogë në Tiranë kanë pasur marrëveshje me vendet kufitare ose bashkëpunime  me Drug Enforcment Agency (e famshmja DEA) të SHBA apo me agjencitë e kontrollit ndërkombëtar të drogës në varësi të INTERPOL-it, i cili është një superorgan i Kombeve të Bashkuara, i krijuar për të koordinuar luftën ndërkombëtare kundër narkotrafikut. Mbrapa misterit të kësaj vizite të Ivanovit mund të fshihet ose a)një ndërhyrje e kamufluar ruse në kontrollin ballkanik të narkotrafikut nga ana e Rusisë – meqë edhe ajo të jetë pjesë e këtij fitimi kolosal që rreshtohet me fitimet që sjell nafta, tregtia e armëve dhe turizmi – ose b) Shqipëria të bëhet vërtet një digë kundër këtij fenomeni fitimprurës që shkon në pjesën më të madhe në xhepat e armiqve perëndimorë të Rusisë. Nëse me këtë rast do të ndryshonim një thënie të studiuesit dhe ushtarakut gjerman Carl Von Clauseëitz mbi luftën, do të thoshim se “abuzimi me substanca është një alternativë tjetër e diplomacisë dhe, në disa raste, më me efekt se lufta”. Po e shfrytëzojmë këtë rast që të flasim për këtë fenomen, i cili edhe në vendin tonë po bëhet shumë i rrezikshëm nga segmente kriminale të lidhura direkt ose indirekt me shtetin, duke fundosur kështu shumë familje shqiptare. Flitet se tashmë në Shqipëri ka mbi 35 mijë përdorues të drogave të lehta e të rënda, kryesisht te rinia. Duhet thënë se tregtimi i gjerë i opiumit (lënda bazë e heroinës) ka filluar gjerësisht në tregtinë midis Kinës dhe Anglisë, të cilat kulmuan me dy luftërat e gjata të Opiumit, në vitet 1839-1842 dhe 1856-1860. Sot, dy drogat kryesore të ndaluara e që lidhen me narkotrafikun janë heroina e kokaina. Ndërsa në këtë shkrim do të flasim kryesisht për trafikun e heroinës – pasi edhe vizita e zyrtarit të lartë rus ishte e lidhur kryesisht me këtë lloj substance psikoaktive – po hedhim dy penelata të shpejta në lidhje me substancën tjetër, kokainën, e cila është në përdorim kryesisht në dy Amerikat etj. Qysh në krye të herës duhet thënë se të dyja këto substanca përdoreshin si anestezikë nga vendësit që e mbollën të parët kokainën në Peru dhe Bolivi (në vargmalet e Andeve) dhe heroinën në Indi e Persi (aziatikët e kanë përdorur kryesisht si analgjezik kundër diarresë). Fletët e coca-s u sollën për herë të parë në Europë për t’u përdorur si çaj nga kolonizatorët portugezë e spanjollë, së bashku me lëndë të tjera psikotrope, si: kafeja, duhani, kakaoja, erëza të ndryshme etj. Por, në ndryshim nga duhani, marijuana dhe heroina, kokaina nuk krijon varësi. I pari që ka folur për efektin e çajit të saj në gjallërimin e aktivitetit të trurit, të përdorur së pari nga farmacistët gjermanë, ka qenë K.Marksi. Kurse për herë të parë kokainën bruto e ka prodhuar më 1885 Alfredo Bignon, një farmacist nga Lima, Peru. Paralel me të po punonte edhe i riu S.Frojd, i cili po përpiqej ta adaptonte si anestezik në Austri e Europë. Qyteti më i famshëm peruan që do prodhonte kokainën do të bëhej Huanuko dhe, nëpërmjet Limas, droga eksportohej në N.Y. I pari kontrabandist ‘qesharak’ në pamje të jashtme që gajasi amerikanët për ‘rrezikun’ nga kjo drogë ishte këmbshtrembri peruan me nëntë shtëpi, Eduardo Balarezo të cilin gazeta The N.Y. Daily Mirror do e paraqiste në gusht të 1949 si më të rrezikshëm se “Lucky” Luciano. Ka pasur dy periudha të tregtimit të kokainës: 1890-1950 (tregtia legale) dhe koha e narkotrafikut të kokainës mbas vitit 1950, kur ky pluhur i bardhë do ndalohej të tregtohej nga Byroja Federale e Narkotikëve të SHBA dhe OKB. Ka pasur dy rrugë ashpërsisht konkurrente tregtimi gjatë periudhës së parë: nga Lima në fabrikat franceze, amerikane dhe gjermane të ilaçeve dhe, e dyta, rruga nga Azia ku cocain-a përpunohej nga holandezët dhe japonezët në Java dhe Formosa. Dihet se nga vitet 1970, nga një shqetësim andean (Peruane e Boliviane), coca u bë një problem amazon-ian, pasi mbjellja, përpunimi dhe tregtimi i saj u krye më së shumti nga kolumbianët, të cilët janë edhe sot kryesorët në këtë fushë me kartelet e tyre Cali dhe Medelyn. Natyrisht që narkotrafiku shpeshherë ka nxjerrë në pah përfshirjen e gjerë edhe të shumë segmenteve shtetërore dhe të drejtuesve të lartë të tyre. Kulmi u arrit me çështjen Iran-Contras, ku u përfolën emra të njohur të politikës së SHBA si Regan-Bush plaku dhe më pas edhe Bill Klinton (me çështjen White Water), O.North etj. Në rastin e parë u ndihmuan Contra-sit për përmbysjen e sandinistëve të Nikaraguas dhe në operacione u përfshinë financat e fituara nga kokaina e Contrasve (të cilët e kishin bazën e stërvitjes në Arkansas), në shkëmbim të armatimeve. Në këtë kohë edhe B.Klinton ishte Guvernator i Arkansasit. Gjithsesi, duhet thënë se antikultura e drogës u fut në SHBA, së pari, nëpërmjet punëtorëve të droguar kinezë të ndërtimit të hekurudhave prej A.Harrimanit nga lindja në perëndim të SHBA-ve (vitet ’20-’30), te punëtorët e tjerë vendës, kryesisht negër. Gjithashtu, një moment tjetër i antikulturës së drogës ishte kur u krijuan e u pompuan grupet e famshme të rrokut në vitet 1960 si Beatles (Brian Epshtaindhe kompozitori i tyre Teodor Adorno quhen mbretërit që solli rok-drogën në SHBA dhe shpikën fjalën ‘teenager’), Rolling Stones, The Doors (ky e ka marrë emrin nga libri i parë që i thur lavde drogës “The Doors” e O.Hakslit), krijimi i kanalit muzikor MTV i “Warner Communications”,  e të tjera më pas. Daullja shoqëruese e muzikës së tyre atonale (me 12 tonalitete) ishte huazuar nga muzika e lashtë egjiptiane në nder të kultit të Dionisit dhe shoqërohej me një drogë-eksituese. Thirrja e tyre për rininë ishte: “Turn on, tune in, drop out” (“Hajde sintonizohu; braktise shkollën”) dhe që arriti kulmin me historinë e njohur të koncertit të Monterreit, ku qindra-miëra të rinj u mbajtën disa ditë të bllokuar në mes të një fushe dhe u ngopën me drogën sintetike LSD. Duhet thënë se nxitja indirekte e përdorimit të drogave ka lidhje edhe me planin e lojës së Klubit të Romës të themeluar nga G.Anjeli, sipas ideve maltusiane të kontrollit të popullsisë dhe mostolerimit me politikat e mbështetjes sociale. Madje, qysh në vitin 1928, nipi i S.Frojdit, Edvard Bernejz, do të thoshte se sipas shkallës së zhvillimit të civilizimit, nevoja për një qeveri të padukshme bëhet gjithnjë e më shumë evidente. Për këtë arsye duhen shpikur e përpunuar mjete të kontrollit të opinionit shoqëror.

***
Po çfarë ishin dy Luftërat e Opiumit midis Kinës dhe Anglisë, të cilat më 1860 përfunduan me djegien e grabitjen e të famshmes rezidencë perandorake kineze të “Summer Palace” (Versajën kineze) dhe që sollën përfundimisht atë që quhet rëndom varësia e një perandorie nga droga dhe korruptimi i një tjetre? Anglezët, në kohën e ambasadorit të tyre, Lordit Elgin, të shtypur nga bilanci negativ i pagesave në argjend me tregtinë me mallrat e pakonkurrueshme kineze, si çaji kinez, porcelanet, letrën e barutin, e gjetën limanin e shpëtimit te tregtia e opiumit indian të Bengalit dhe Hastingsit. Po të fantazojmë se ç’ka ndodhur me këto dy lufëtra, si krahasim me ditët e sotme, po ju ftojmë të imagjinoni skenarin me aktorët e sotëm të drogës, sikur karteli Kolumbian i kokainës kolumbiane, Medellin arrin një fitore ushtarake të suksesshme, kundër Shteteve të Bashkuara; për më tepër e detyron U.S. të legalizojë kokainën, si dhe të lejojë kartelin të importojë drogë në pesë qytetet kryesore amerikane, të pakontrolluara dhe të patatuara nga U.S.. Qeveria amerikane bie dakord të lejojë lordët e drogës kolumbiane të qeverisin të gjithë shtetasit kolumbianë, të cilët punojnë në këto qytete, plus faktin se U.S. duhet të paguajë shpërblimin e luftës, prej $ 100 bilionë – kostoja kolumbiane e pasojës së luftës për të importuar kokainë në Amerikë. Sigurisht, ky skenar është absurd dhe përtej imagjinatës së shumë shkrimtarëve të njohur, të letërsisë fantastiko-shkencore. Megjithatë, një situatë e ngjashme u përsërit jo vetëm një herë, por dy herë, në Kinë, gjatë shekullit të XIX. Në të dyja rastet, në vend të tregtarëve kolumbianë të drogës, ishte kombi më i përparuar teknologjikisht në botë, Britania e Madhe, e cila vendosi kushte të ngjashme me këto ndaj Kinës së dinastisë Qing, superfuqisë mendjemadhe të atëhershme. Opiumi hyri në Kinë, në kurrizin e një deveje dhe përfundoi me shkatërrimin e një kombi të tërë. Familjet kryesore që u morën me tregtinë e opiumit me Kinën kanë qenë Rasellët (këta janë delfinët e Ruzveltëve), Forbes-ët, Perkinset e Bostonit etj. Po sot, ku prodhohet opiumi? Kultivimi i opiumit të lulëkuqes është përqendruar kryesisht në Azinë Jugore, në vendet e “Trekëndëshit të artë” (Laosi, Birmania, Tailanda) dhe “Gjysmëhënës së artë” (Afganistani, Pakistani, Irani – shahu u përmbys se filloi ta luftonte kultivimin dhe narkotrafikun e Iranit). Në Azi, lulëkuqet për opium rriten në një zonë të ngushtë malore në lartësinë 1400 metra, që zgjatet në 6000 kilometra gjatësi. Pak para pjekjes së plotë, lulëkuqja lulëzon; një javë më vonë, petalet e luleve bien dhe mbetet vetëm kapsula e farës, me të cilën përgatitet pasta e opiumit. Përfaqësuesit e fiseve për lëndën e parë të opiumit marrin pagesën në formën e shufrave të floririt prej një kilogrami, të cilat përgatiten nga banka zvicerane “Credit Suisse”.  Shufrat standarde të floririt përdoren në tregun e Hong-Kongut nga blerësit e mëdhenj të opiumit ose pjesërisht të heroinës së përpunuar. Ka dy rrugë kryesore të transportit: njëra nëpërmjet Turqisë dhe vendeve të Ballkanit (një nëndegë nëpërmjet Shqipërisë dhe M.Zi opiumi përfundon në punishtet e Sicilisë, ku pastrohet me anhidrid acetik, duke e kthyer opiumin në heroinë) dhe tjetra, me anije që përfundojnë në laboratorët e Korsikës, Marsejës dhe Monte Karlos, ku dominon familja Grimaldi.

***
Natyrisht që Shqipëria përveç kultivimit të drogës së lehtë të marijuanës, është përmendur fort si një vend transit i lëndës së parë të opiumit, por edhe për heroinë e madje, për tregti kokaine. Gjatë kaosit dhe luftërave në ish-Jugosllavi, natyrisht që vendet e Ballkanit janë raportuar si vende të përfshira ethshëm në tregtinë ndërkombëtare të drogës. Sot, rrjetet e vjetra të brendshme të lidhura haptas me krerë politikë e drejtues të pushtetit lokal të PS, kur kjo ishte në pushtet në 1998-2005 (tashmë të gjithë e dimë eliminimin e disa prej këtyre grupeve të rrezikshme të drogës në Tiranë, në luftë për kontrollin e narkotrafikut nëpërmjet Shqipërisë) janë zëvendësuar me rrjete të tjera, të cilat kontrollojnë edhe tregtinë e brendshme të drogave, të cilat në shumicë janë vrastare e të një cilësie të keqe, që shkatërrojnë shëndetin e rinisë sonë të papjekur prej këtyre kriminelëve pa atdhe, të cilët kanë dalë nga kontrolli i familjes. Kjo tregti rëndom bëhet me dijeninë e zyrtarëve më të lartë të policisë sonë ‘syshqiponjë’ e të pamposhtur, madje shpeshherë edhe me përfshirjen në fitim të këtyre të fundit. Madje, edhe zyrtarë të lartë të qeverisë mund të kenë dijeni dhe heshtin për interesa dhe detyrime që kanë ndaj këtyre klaneve, duke parë shkatërrimin e një pjese të konsiderueshme të familjeve dhe rinisë sonë. E dini kush ka qenë kulmi rozë i luftës zyrtare ndaj narkotrafikut? Bravo, e gjetët: koha e miqësisë Erdogan-Nano-Berluskoni në vitet 2003-2005. Duhet thënë se bashkë me drogën, antikultura e kultivuar nga disa programe televizive në shqip, fatkeqësisht po hedhin farën e një shoqërie shqiptare në degradim

© Panorama.al

Te lidhura