
TIRANE- Lëvizja “Nano për President” ka dalë me një deklaratë për shtyp ku thotë se politizimi i tepruar që po i bëhet procesit të përzgjedhjes së kreut të ri të shtetit është rrezik për integrimin e vendit.
Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë së shtetit shqiptar kjo festë rrezikohet të festohet mes krizash, ngërçesh, mosmarrëveshjesh, papjekurie politike si edhe bjerje të shpresës, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
“Jemi në prag të provimit të tretë për të marë statusin e vendit kandidat për në BE por politizimi i tepruar, mungesa e mirëbesimit mes palëve, mbytja e garës dhe konkurrencës së lirë, nxitja e konfliktualitetit, e llogorizimit, e militantizmit shterpë, apo e klientelizmit privat te kryetareve, po e lëvizin Shqipërinë jashtë aksit të meritës për ta kaluar me sukses këtë provim. Rrezikojmë seriozisht të bëhemi vendi i vetëm, 3 herë i rrëzuar nga BE, ndërkohë që rekordin e kemi thyer duke i humbur dy vitet pararendëse”- thekson deklarata.
Nëpërmjet kësaj deklarate, ish lideri socialist i bën thirrje kreut aktual të Partisë Socialiste, Edi Rama, kyetarit të Grupit Kuvendor të PS, Gramoz Rucçi, dhe drejtpërdrejtë të gjithë deputetëve të Gurpit Kuvendor të PS që të marrin vendime të drejta në tejkalimin e këtij ngërçi politik të stërzgjatur, duke i dhënë Shqipërisë Presidentin më të mirë, i cili do të jetë mbi palët, garant i kushtetutës, mbrojtës i institucioneve të pavarura, simbol i unitetit kombëtar, jo noter partish, i cili do të garantojë realizimin e reformave që do të përshpejtojnë proçesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por edhe do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme në vitin 2013.
Nano e ka quajtur amorf qëndrimin, që sipas tij PS ka adaptuar prej javësh.
“Prej javësh është vënë re këmbëngulja e paarsyetur e zyrës së Ramës, se kjo parti nuk ka emër për të propozuar ngase PS është pakicë, nuk ka numrat për ta zgjedhur Presidentin, se PS synon vetëm konsensusin me kandidatet e maxhorancës, e të tjera deklarata të tilla vetëpërjashtuese të opozitës nga vendimmarrja parlamentare”
Më poshtë deklarat e plotë e Levizjes “Nano për President”
Jemi në vitin e 100-të Pavarësisë së shtetit shqiptar dhe rrezikojmë të festojmë mes krizash, ngërçesh, mosmarrëveshjesh, papjekurie politike si edhe bjerje të shpresës. Jemi në prag të provimit të tretë për të marë statusin e vendit kandidat për në BE por politizimi i tepruar, mungesa e mirëbesimit mes palëve, mbytja e garës dhe konkurrencës së lirë, nxitja e konfliktualitetit, e llogorizimit, e militantizmit shterpë, apo e klientelizmit privat te kryetareve, po e lëvizin Shqipërinë jashtë aksit të meritës për ta kaluar me sukses këtë provim. Rrezikojmë seriozisht të bëhemi vendi i vetëm, 3 herë i rrëzuar nga BE, ndërkohë që rekordin e kemi thyer duke i humbur dy vitet pararendëse.
Fatos Nano e falënderon dhe i shpreh mirënjohjen e thellë Stefano Saninos, të dërguarit të Komisionerit Stefan Fule në Shqipëri,për misionin e tij të sotem moderator në vendin tonë e për përpjeket dhe inkurajimin që ai ka bërë për të zgjidhur ngërçin e zgjedhjes së Presidentit. Ndihma dhe mbështetja e institucioneve europiane dhe e të gjithë partnerëve euroatlantikë është e shumëçmuar dhe tejet e rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve në vendin tonë.
Fatos Nano, duke shprehur e ritheksuar edhe njëherë mirëbesimin e tij, u bën thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, Kryetarit të Grupit Kuvendor të PS Gramoz Ruçi, dhe drejtpërdrejtë të gjithë deputetëve të Gurpit Kuvendor të PS që të marrin vendime të drejta në tejkalimin e këtij ngërçi politik të stërzgjatur, duke i dhënë Shqipërisë Presidentin më të mirë, i cili do të jetë mbi palët, garant i kushtetutës, mbrojtës i institucioneve të pavarura, simbol i unitetit kombëtar, jo noter partish, do të garantojë realizimin e reformave që do të përshpejtojnë proçesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por edhe do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme në vitin 2013.
Prej javësh PS nëpërmjet Kryetarit Rama, ka adoptuar qëndrimin për një proçes amorf, nëpërmjet të cilit do të shkohet tek një kandidat konsensual. Prej javësh eshte vene re këmbëngulja e paarsyetur e zyres se Rames, se kjo parti nuk ka emër për të propozuar ngase PS është pakicë, nuk ka numrat për ta zgjedhur Presidentin, se PS synon vetem konsensusin me kandidatet e maxhorancës, e të tjera deklarata të tilla veteperjashtuese te opozites nga vendimmarrja parlamentare.
Fatos Nano e respekton të drejtën e PS zyrtare për të mbajtur qëndrime të qarta partiake dhe të motivuara nga interesa dhe kalkulime të logjikës e lojës politike për pushtet, por nuk mund të mos shprehë mosmirëkuptimin e tij për këtë mendësi jodemokratike e joperëndimore bllokuese të garës dhe të konkurencës së lirë. Fatos Nano tërheq vëmendjen se Kryetari i Partisë Socialiste, Lideri i Opozitës, nuk mundet të mos kuptojë se ka ditë, ka momente kur vendi, shoqëria shqiptare, kombi, janë më të rëndësishëm sesa Partia, sesa cilado parti.
Sot Shqipëria ka nevojë për një President dinjitoz, për Presidentin më të mirë. Opozita nuk mundet të heqë dorë nga mundësia e saj për ti dhënë Shqipërisë Presidentin më të mirë. Opozita nuk mundet të mos jetë në përpjekje të pashterrshme dhe qëllimlarta për të hapur mundësitë e garës së lirë, duke siguruar krahasueshmërinë dhe konkurimin e vlerave e personaliteteve më të mira që ka PS dhe vendi. Opozita nuk mund të mjaftohet me një proçes që prodhon vetëm konsensus kryetarësh, por aspak Presidentin më të mirë për shqiptarët. Opozita nuk mund të deklarojë dështimin apo pamundësinë e saj për të mbështetur e ofruar kandidatin më të mirë, më të vlerë dhe më dinjitoz për shqiptarët por edhe sipas kërkesave më dashamirëse të partnerëve tanë euroatlantikë. Opozita nuk mundet të bëhet bashkëautore dhe bashkëfajtore në një proçes të arrestimit të garës dhe konkurencës së lirë e të ndershme, si edhe të zvogëlimit, shpërfilljes dhe denigrimit të personalitetit dhe rolit të njeriut që do të bëhet President Republike duke kaluar vetëm nga filtri i vjeteruar i Kryetarëve. Vini re, se me këtë mënyrë veprimi, me këtë mendësi otomane antigarë, kundër çlirimit të energjive më pozitive të politikës dhe qytetarëve shqiptarë, shpërfillet dhe asgjësohet edhe dinjiteti e vullneti i lirë edhe i vetë deputetëve. Opozita nuk mund të lejohet që të rrëzohet ndërsa bën gabimin duke shmangur Presidentin. Opozita mund të rritet duke lartësuar Presidentin.
Kjo është Shqipëria jonë, ky është atdheu ynë, të cilin e duam kaq shumë, por që na duhet të shtojmë arsyet për ta dashur më shumë. Ndaj edhe Fatos Nano po ju drejtohet deputetëve të Grupit Kuvendor të PS me këtë thirrje, njelloj si personalitete te tjera te spikatura kombetare, pikërisht për të shtuar arsyet për ta dashur më shumë këtë vendin tonë të kaqshumë vuajtur e kaqshumë nëpërkëmbur nga politika dhe politikanët e konflikteve dhe ngërçeve, refuzimeve dhe bllokimeve, urrejtjes dhe mosalternativave, retorikave dhe mosideve.
Shqipëria, Partia Socialiste ka bërë një udhë të vështirë në këto 22 vite drejt demokracisë, plot arritje e dështime, rënie e ngritje, por ka bërë edhe transformime të mëdha. Në këto 22 vite pak njerëz janë ata që e kanë drejtuar shtetin shqiptar si Presidentë, Kryetarë Kuvendi apo Kryeministra. Ndër ta janë edhe reformatoret e transformuesit e mëdhenj. Me të mirat e këqijat e tyre, me sukseset dhe dështimet e tyre, Shqipëria ka fituar një grup këshilltarësh të çmuar të kësaj shoqërie në kërkim të Europës dhe europianizimit. Këta shtetarë, janë e kërkohet të vlerësohen si aseti më i çmuar, pika e referimit, ku ne si shoqëri duhet të gjejmë drejtimin e duhur. E kur njëri prej tyre, ish-Kryeministri Fatos Nano që ka qenë njëkohësisht për 15 vite edhe Kryetari i PS, ka javë e javë që kërkon mbështetjen tuaj dhe të PS për të konkuruar që të shërbejë si President te Republikes.Ky është një nga lajmet më të mira që duhet të ndjellë veç inkurajim. Eshtë në nderin tuaj si Deputete të PS, por është edhe në nderin e PS e të drejtuesve të saj aktualë që ta mbështesin kandidimin e Fatos Nanos për President te Republikes. Eshtë një mundësi e madhe për PS që e ka pranë saj, pjesë të historisë së saj, në traditën e saj ofertën më të mirë për Presidentin më të mirë. Fatos Nano i ka të gjitha mundësitë të jetë President konsensual pra i mirëbesuar, bashkëvendosur dhe bashkëvotuar nga shumica dhe opozita, ose President i zgjedhur nga një garë e lirë dhe e ndershme me rregulla e vullnete konsensualisht të bashkëvendosura për ta lejuar këtë garë si të tillë. Mbeshtesni Fatos Nanon për President që ta rrisni PS duke e lartësuar Presidentin. Fatos Nano është dalëzots dhe i fton gjithashtu deputetët e PS që të bëhen dalëzotsa, duke i dalë për zot dinjitetit të tyre, integritetit të tyre, Partisë Socialiste, demokracisë shqiptare, lirisë e drejtësisë, si edhe mbarëvajtjes së punëve në Shqipëri në mënyrë që të gjithë së bashku ta festojmë 100 vjetorin e Pavarësisë edhe me Statusin Kandidat në BE të fituar.
© Panorama.al











