Nano uron Nishanin: Sot duhet të bashkohemi

Jun 11, 2012 | 20:05
Fatos Nano

UPDATE- – Kandidati i vetëshpallur për postin e Presidentit të vendit, Fatos Nano ka uruar  presidentin e sapo zgjedhur, Bujar Nishani.

Menjëherë pas votimit në Parlament, lëvizja “Nano për President” doli me një komunikim për shtyp ku thuhej se, “Fatos Nano i shpreh urimet më të sinqerta Presidentit të sapozgjedhur të Republikës Bujar Nishani. Sot Shqipëria ka Presidentin e saj më të ri i cili ka dalë nga një votim transparent në Kuvend. Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë të bashkohen, e Presidenti i ri Bujar Nishani më tepër se kurrë duhet të simbolizojë unitetin kombëtar. Të gjitha energjitë tona të përbashkëta, të të gjithë klasës politike, qeveri dhe opozitë, të qytetarëve dhe në bashkëpunim me partnerët euroatlantikë duhet të fokusohen tek reformat e integrimit europian dhe manifestimet sa me dinjitoze te atdhetarise ne kete 100 vjetor të shtetit shqiptar.”

Ndërkaq, njoftohet se Lëvizja Nano për President që sot e konsideron të përmbyllur misionin e saj, dhe lidhur me trajtën e saj të re do të ketë njoftime në vazhdim.

Nano, maxhorancës: Me Nishanin ke shkelur Kushtetutën

Lëvizja “Nano për President” i ka kujtuar maxhorancës qeverisësë se me propozimin e ministrit, Bujar Nishani për President ka shkelur kushtetutën.

Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e të vetëofruarit për President, Fatos Nano, thuhet se “Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një Ministër i Kabinetit Qeverisës nuk mund të kandidojë për President në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen.”

Deklarata thekson se, Fatos Nano i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse që të mos e thellojnë krizën duke bërë edhe shkelje kushtetuese përveç shkeljeve të rënda morale e politike që janë bërë deri sot.

“E mbi të gjitha i bëj apel shumicës qeverisëse që të respektojë e vlerësojë me qetësi e seriozitet te thellë, thirrjen e vazhdueshme të partnerëve tanë euroatlantikë për të mos e kthyer procesin e zgjedhjes së Presidentit në një proces të zgjedhjes së një Ministri të Kabinetit”, – mbyllet deklarata.

Nano, thirrje PS-së: Ta fitojmë këtë garë bashkë

Lëvizja “Nano për president” ka reaguar me një deklaratë për mediat pas zhvillimeve më të fundit në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe tërheqjes nga gara të të zgjedhurit të maxhorancës, Artan Hoxha.

Duke kujtuar se Fatos Nano po ndjek me vëmendje kaosin e krerëve të partive politike, lëvizja thekson se ai mbetet i vetëofruar për klasën politike e publikun, për të pasur konsensusin e palëve ose për të fituar në garën në Kuvend.

Ai i ka bërë thirrje Partisë Socialiste që të vendoset në lartësinë që e kërkon momentin, që duke “bashkuar traditën, historinë, ta fitojmë këtë garë bashkë.”

Deklarata e plote

“Fatos Nano po ndjek me vëmendje të gjithë këtë kaos total që po shkaktojnë Kryetarët e Partive të cilët tashmë për shkak të llogarive e axhendave të tyre të ngushta partiake, po e kthejnë procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në një proces të turpshëm dhe në një rrezik të madh për fatet e vendit dhe të integrimit europian.

Turp dhe vetëm turp mund të konsiderohet gjithçka po ndodh me procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Turp sepse ka arratisje nga serioziteti.

Turp sepse ka arratisje nga përgjegjshmëria.

Turp sepse ka arratisje nga integrimi.

Turp sepse ka arratisje nga Europa.

Turp sepse ka arratisje nga gara e lirë dhe e ndershme.

Turp sepse ka arratisje nga konsensusi.

Turp sepse ka arratisje fatale nga atdhedashuria.

Ky është momenti, kjo është dita që përtej dështimit të derisotëm, Kryetarët e Partive, gjithsesi të ngrihen përmbi honet e llogarive të ngushta politike partiake që fundosin Shqipërinë, dhe të lartësohen me përgjegjshmëri të lartë kombëtare në nivelin e parimeve të atdhedashurisë për ta ngritur Shqipërinë në meritën e vlerën që i takon si një vend Europian.

Fatos Nano ka deklaruar e ripërsërit se mbetet i vetëofruar për klasën politike shqiptare dhe publikun shqiptar për të patur mundësinë për të synuar konsensusin, ose për të garuar e për ta fituar këtë garë.

Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që kërkon momenti, e të mos i shmanget e as druhet garës. Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që së bashku me Fatos Nanon duke bashkuar traditën, historinë, vlerat më të mira të Partisë Socialiste në këto 22 vite, ta fitojmë këtë garë bashkë, bashkë, bashkë. Fitorja e përbashkët e sotme le të jetë parathënie e hyrjes në historinë fituese të mëtutejme për Partinë Socialiste, për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë. Së bashku të bëjmë fituese Shqipërinë,” thuhet në deklaratën e Nanos.

© Panorama.al

Te lidhura