Rikthimi në PS: Nano shpall lëvizjen për rrëzimin e Ramës

Jun 13, 2012 | 12:30

Fatos Nano

Zyrtarizohet “Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve”: Ta largojmë humbësin Edi Rama dhe të fitojmë kundër Berishës.

Ish-kreu i PS shpall lëvizjen e tij të re për t’u rikthyer në krye të Partisë Socialiste.

“Qeveria u tall me këtë palo kryetar në Gjirin e Lalzit”

Fatos Nano i bën thirrje bazës socialiste që të bashkohet për të larguar nga drejtimi i PS-së Edi Ramën, në mënyrë që e majta të fitojë zgjedhjet e vitit 2013. Në dy njoftime të djeshme për mediat, ish-kryeministri socialist shprehet se lëvizja e re do t’i heqë drejtimin e partisë Ramës, i cili, sipas Nanos, është një humbës i palodhur. “Njëkohësisht, kjo Lëvizje do të mbështesë të gjithë sensibilitetin e socialistëve të ndershëm në të gjithë Shqipërinë, për t’i dalë zot fateve të Partisë Socialiste duke larguar Edi Ramën nga pozicioni që ai ka uzurpuar si kryetar i pamerituar dhe humbës i palodhur. Ta largojmë humbësin përsëritës dhe kronik Edi Rama që të fitojmë kundër Sali Berishës në vitin 2013″, shprehet Nano. Ai thotë se gjatë drejtimit të selisë rozë nga Edi Rama, kjo parti ka njohur vetëm humbje, ku e fundit është ajo e dy ditëve më parë për garën presidenciale. “I vetmi që na ndan ne sot është vetëm ai njeri që e quan veten kryetar të Partisë Socialiste, edhe pse ai që ditën që ka vënë këmbë në krye të partisë sonë, ka shkaktuar veç humbje, humbje dhe humbje. Edi Rama sot ju ka shkaktuar juve, të dashur socialistë, humbjen e radhës. Beteja, qëndrimi dhe strategjitë e tij noprane, pamend dhe prej arlekini, i dhuruan Sali Berishës fitoren e radhës duke i lënë fushë të lirë Berishës që ta zgjedhë vetë Presidentin që donte”, theksoi Nano.
Gjiri i Lalzit
Duke iu referuar takimit të disa javëve më parë në shtëpinë e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit, ish-kryeministri socialist thotë se Rama shiti brenda një nate viktimat e 21 janarit dhe të Gërdecit. “Ky palokryetar ka guximin e më akuzon mua se qenkam përdorur si diversion dhe tallje nga qeveria, në një kohë kur Edi Rama rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet e 2009-s, grevën e urisë të dhjetëra deputetëve dhe socialistëve, e mijëra e mijëra sakrifica madhore që socialistët e mirë dhe të ndershëm kanë bërë për të”, thotë Nano. Sipas tij, “pas darkës së Gjirit të Lalzit, nëse ka pasur një njeri që qeveria e ka përdorur dhe tallur keqas, ky është Edi Rama. Edi Rama në darkën e Gjirit të Lalzit, por edhe në tryezat me Sali Berishën, ka këmbëngulur vetëm te një pazar i ndyrë: kushdo le të zgjidhet President, vetëm Fatos Nano të mos zgjidhet. Qeveria e përdori Edi Ramën kundër Fatos Nanos, dhe Edi Rama ia plotësoi dëshirën qeverisë. Sot President është zgjedhur ministri i Brend-shëm i Berishës, ndërsa Fatos Nano dhe socialistët kanë humbur për shkak të Edi Ramës. Qeveria u tall në Gjirin e Lalzit me Edi Ramën sepse me një pjesë të qeverisë i ofruan ngjala për darkë dhe i krijuan iluzionin idiotesk se mund të rrëzohej qeveria e të plotësohej ëndrra perverse e Edi Ramës për t’u bërë Kryeministër. E tallën dhe e lanë me gisht në gojë këtë humbarak pervers dhe liganak”.
Thirrja për Ruçin
Nano i ka bërë thirrje PS-së, kryetarit të Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, si dhe deputetëve, që në këto momente të bëhen dalzotësa për të tejkaluar këtë ngërç politik. Në fund, ish-kreu i PS-së theksoi se “së bashku me mua keni fituar gjithmonë dhe e keni mundësinë të vazhdoni të fitoni. Nderojeni historinë dhe traditën tonë të përbashkët fituese, por edhe transformuese pozitive, në mënyrë që së bashku të bëjmë fituese Shqipërinë. U shpreh mirënjohjen të gjithë atyre përfaqësuesve të Partisë Socialiste, por edhe të zgjedhurit e saj në komuna e bashki, nga çdo cep i Shqipërisë, të cilët këto ditë më kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për projektin tim fitues. Me Fatos Nanon fiton e majta, fitojnë socialistët, fiton edhe Shqipëria”.

“Lëvizja Nano”
Ish-kryeministri Fatos Nano ka krijuar dje lëvizjen e re që do të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Në një njoftim për shtyp thuhet se kjo ka ardhur pasi një numër i madh socialistësh iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së ish-kryetarit të PS-së. Sipas Galdinit, “të inkurajuar e të nxitur nga numri i madh i mbështetësve nga Veriu në Jug, ne, një grup përfaqësuesish të Partisë Socialiste, të shoqërisë civile, intelektualë dhe akademikë, të rinj e të reja, së bashku me z. Fatos Nano vendosëm që të krijojmë një grup koordinimi të Lëvizjes sonë të re. Lëvizja e re e sapokrijuar është vendosur që të quhet: Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve.

© Panorama.al

Te lidhura