
Kandidati i vetëshpallur për kreun e shtetit, apel krerëve të partive.
“Dal garant për kreun e SHISH dhe kryeprokurorin”
Ish-lideri socialist, Fatos Nano, i vetëshpallur kandidat në garën për President të Republikës, i kërkon politikës shqiptare që të zgjedhë një President që t’u dalë zot sfidave të rëndësishme që ka vendi. Në një njoftim të lëshuar për mediat nga zyra e tij, “Nano inkurajon të gjithë liderët politikë në vend që të bëhen së bashku në një Aleancë të Madhe Mirëbesimi, për të ndërtuar procese të mirëbesuara e mirëkuptuara në mënyrë që të sigurohen produkte demokratike, të lira, properëndimore, proeuroatlantike”.
“Për të përmbushur reformat që vendi ka përpara, Shqipërisë nuk i duhet një President i dobët, i trysnueshëm, i joshshëm nga pushtetet dhe loja politike e palëve, apo jo sipërmarrës dhe mostrazues i ujërave. Shqipërisë i duhet një President dalëzots.
Fatos Nano është dalëzots dhe, nëse do të jetë President, ai do të jetë një President dalëzots”, thuhet në njoftimin e zyrës së lëvizjes “Nano President”. Sipas kësaj deklarate, “Nëse Fatos Nano do të jetë President Republike, ai synon të jetë ushtrues i një Presidence sipërmarrëse, negociatore, nxitëse dhe kërkuese e një reforme të thellë, qelizore dhe gjithëpërfshirëse në drejtësinë shqiptare. Liria dhe demokracia në Shqipëri do të kenë kuptim vetëm nëse do të jenë të kombinuara me drejtësinë. Presidenti i ardhshëm e ka për detyrë kushtetuese që të jetë negociator, paqebërës, institucional, sipërmarrës politik, unifikues, zgjidhës konfliktesh, si edhe garant i një zgjedhjeje të drejtë dhe me maturi demokratike në respekt të instrumenteve demokratike brenda vendit dhe kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë euroatlantikë, për kryetarin e SHISH, Prokurorin e Përgjithshëm dhe përfaqësuesit e Gjyqësorit”. Në deklaratë, kandidati i vetëshpallur për President shprehet kundër kategorizimit të kandidaturave për Presidentin e vendit, që sipas tij bëhet nga palët për të fshehur dështimin, ndërsa thekson se përtej ngërçeve të sotme, kryetarët e partive do të dinë ta gjejnë kurajën dhe përgjegjshmërinë demokratike për të zgjedhur Presidentin më të mirë që meritojnë shqiptarët dhe që përputhet edhe me kërkesat e partnerëve euroatlantikë. “Proceset e deformuara japin fryte të këqija. Kategorizimi i kandidaturave dhe hulumtimi nëpër secilën kategori nga kryetarët, duke përjashtuar arbitrarisht kategori të caktuara apo emra të ndryshëm, është vetëm shprehi e paaftësisë dhe mendësisë së gabuar të kësaj klase politike që po rrezikon ta shndërrojë çdo ditë e më tepër Shqipërinë në një vend kryetarokratik”, thuhet në njoftim.
“Presidenti para ardhjes së Saninos”
Për ish-kreun socialist, zgjedhja e kandidatit konsensual duhet të përfundojë para ardhjes së Stefano Saninos në Tiranë. “Fatos Nano inkurajon kryetarët e partive që të bëjnë të gjitha përpjekjet që të mbërrijnë me pjekuri në marrëveshje parimore, transparente, shqipëridashëse, shqiptarëdashëse dhe në favor të përparimit të axhendës së Integrimit Europian të vendit tonë, para ardhjes në Shqipëri të Stefano Saninos, i dërguari i Komisionerit Stefan Fyle. Ne shqiptarët, ne klasa politike shqiptare kërkohet të dëshmohemi të aftë për të prodhuar zgjidhje e të bëjmë zgjedhje të mira dhe se e meritojmë të bëhemi një vend i denjë anëtar i Bashkimit Europian”, thuhet në njoftimin e zyrës “Lëvizja Nano për President”.
Apeli: Shultz: Zgjidhni një President konsensual

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shultz, vlerëson se zgjedhja e kreut të ri të shtetit duhet të jetë një vendim i pranueshëm për popullin, dhe më pas edhe për Botën, pasi ai ka një rol të rëndësishëm në drejtim e vendit, por edhe për përfaqësimin e Shqipërisë në Europë. Shultz i bëri këto deklarata gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm, njëkohësisht zv/kryeministrin shqiptar Edmond Haxhinasto në Bruksel. “Zgjedhja e Presidentit duhet të jetë e pranueshme nga populli. Kur ajo është e pranueshme nga populli, atëherë është edhe nga bota e jashtme. Pra, zgjedhja e Presidentit në një moment kur në vend ka jo pak probleme, është e nevojshme dhe ne shpresojmë që vendi do të gjejë një President, duke ditur gjithashtu influencën e madhe që ai ka në sistemin e Drejtësisë në Shqipëri. Pra, zgjedhjet luajnë një rol madhor për kredibilitetin e rolit të Presidentit brenda vendit dhe përmes tij, luan gjithashtu rol në kredibilitetin e përfaqësimit të jashtëm të vendit”, u shpreh Presidenti i PE-së. Shultz vlerëson se procesi i reformave është i domosdoshëm lidhur me përafrimin e vendit me Bashkimin Europian. “Zgjedhja e Presidentit është një element në jetën e një vendi, por nuk mund të zëvendësojë hapa të tjerë të domosdoshëm që janë në vijim”, vijoi më tej Shultz.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











