
Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, në garën e tij për President takoi dje kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Ashtu siç ishte lajmëruar, takimi u zhvillua në hotel “Rogner” dje në mesditë, ndërsa Idrizi shoqërohej nga deputeti tjetër i kësaj force në Parlament, Dashamir Tahiri. Pas këtij takimi, që zgjati rreth një orë, Idrizi shprehu mbështetje për kandidaturën e Nanos për President, duke e cilësuar atë si kandidatin me profil të qartë politik dhe publik, profil që i duhet kreut të shtetit. “Ne vlerësojmë faktin se Presidenti jo vetëm duhet të jetë konsensual, por duhet të ketë profil të lartë dhe publik dhe politik. Në këtë kuptim ne vlerësojmë edhe kontributin e zotit Nano, platformën e tij. Zoti Nano është një person publik, është një person që ka eksperiencë në jetën publike shqiptare dhe besoj që e përmbush këtë profil”, u shpreh Idrizi. Pas takimit me ish-kryetarin socialist, kreu i PDIU-së shfaqet kundër idesë se kreu i ri i shtetit mund të zgjidhet vetëm nga maxhoranca. “Ky është një proces që nuk mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme. Ne donim të jepnim një kontribut që t’i japim Shqipërisë një president mbi palët, të mirëpranuar nga të gjithë. Figura e zotit Nano dhe dëshira që të kemi një proces konsensual do të kalojë në një proces negociatash me të gjithë forcat politike shqiptare, brenda dhe jashtë maxhorancës”, tha Idrizi.
Nano
Nga ana e tij, ish-kreu socialist, Fatos Nano, tha se është në rrugën e duhur për të zgjeruar dialogun politik. “Besoj se jemi në rrugën e duhur për të zgjeruar dialogun jo vetëm për zgjidhjen e çështjes presidenciale, që kërkon përmbushjen e dialogut, por edhe me një klimë të favorshme që kjo çështje të përkojë me integrimin e shqiptarëve në BE”, tha ai. Nano deklaroi më tej se “në rrugën që na bashkon, tashmë garuesit janë me tipare të qarta”. “Procesi i zgjedhjes së Presidentit duhet të jetë i zhveshur nga ndrojtjet”, ndërsa shtoi se “shumë shpejt do ketë edhe takime të tjera, ku do të paraqesë platformën e tij presidenciale”. Ish-kreu socialist është pyetur nga gazetarët edhe rreth nismës së Edi Ramës për takime me kryetarët e të gjitha partive parlamentare për çështjen e Presidentit. “Unë besoj se edhe për mua është një kënaqësi e veçantë që qoftë edhe për shkak të iniciativës sime po ndodhin kaq shumë takime të munguara në kaq pak kohë”, u shpreh Nano pas takimit me kreun PDIU-së, Shpëtim Idrizi. I vetmi kandidat i vetëshpallur për President, Fatos Nano, i ka prezantuar platformën e tij Edi Ramës, kreut të LSI-së Ilir Meta dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ndërsa ka premtuar se do të takojë të gjithë drejtuesit e partive parlamentare për të gjetur konsensus me ta për kandidaturën e tij.
Nano takon sot Vangjel Dulen
Sot në mesditë Fatos Nano pritet të takohet me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili edhe ai ka shprehur mbështetjen e tij për kandidaturën e Nanos për President. Gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, Dule është shprehur pro kandidaturës së Nanos. “Nano është politikani me marrëdhëniet më të mira me demokracinë jo vetëm si nocion, por kryesisht në formën e vet të aplikuar. Disa nga këto tipare që për vlerësimin tonë e bëjnë kandidaturën më dinjitoze për President. Deputetët e PBDNJ-së ishin firmëtarë të kandidaturës së z. Nano edhe në vitin 2007. E sigurisht, edhe tani”, u shpreh Dule.
ARISTIR LUMEZI











