Nano, lëvizja kundër Ramës do nisë nga Qyteti Studenti

Jun 16, 2012 | 12:47

Fatos Nano

Ish-kreu i PS, kontakte me anëtarë të Asamblesë e ish-deputetë.

Reçi: Ka pasur interes për takime nga unionet studentore.

Lëvizja e Fatos Nanos për fitoren e socialistëve do të nisë fushatën e saj për rimarrjen e Partisë Socialiste nga Qyteti Studenti. Burime pranë lëvizjes “Nano për fitoren e socialistëve” bënë të ditur për “Panorama” se rimarrja e selisë rozë do të nisë nga Qyteti Studenti, njësoj si vite më parë, kur lëvizja studentore rrëzoi regjimin komunist të diktatorit Enver Hoxha. Një fakt i tillë konfirmohet dhe nga përkrahësit e ish-liderit të selisë rozë, Bardhyl Agasi dhe Enver Reçi. Të kontaktuar nga “Panorama”, përfaqësuesit e Lëvizjes Nano pohuan se unionet studentore kanë shfaqur një interes për lëvizjen e re të Nanos, kështu që Qyteti Studenti do të jetë një pikë nisjeje e rimarrjes së Partisë Socialiste. “Historikisht, nga vendosja e demok-racisë, Qyteti Studenti ka qenë vatër e rëndësishme e lëvizjeve të mëdha të ndryshimit të sistemit dhe të partive politike. Duke qenë se ka një interes të gjerë të rinisë për lëvizjen e zotit Nano, është menduar që të mbahet në qendër të vëmendjes fillimi i një lëvizjeje, duke filluar me Qytet Studenti. Në takimet që ka zhvilluar zoti Nano ka pasur një interes të madh nga unionet studentore dhe për t’i bërë pjesë studentët në lëvizjen “Nano për fitoren e socialistëve”. Lëvizja me studentët do të nisë shumë shpejt”, deklaroi Enver Reçi. Ndërkohë, vetë ish-lideri i selisë rozë, Fatos Nano, ka zhvilluar takime intensive dhe kontakte të vazhdueshme me anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Si një nga figurat e PS-së së qytetit të Durrësit, Bardhyl Agasi, theksoi se muajt e verës do të jenë vendimtarë në marrjen e mbështetjes së bazës së Partisë Socialiste dhe bashkimi i tyre me Lëvizjen Nano. “Mund të them që lëvizja po gjen mbështetje edhe nga krerët e organizatës së PS-së. Dhe gjithashtu mund të them se vazhdojnë kontaktet edhe me anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Vetë zoti Nano ka marrë kontakte të vazhdueshme me anëtarët e Asamblesë së PS-së”, deklaroi Agasi. Ndërkohë që përkrahësi i Lëvizjes Nano, Enver Reçi, theksoi se qëllimi i Lëvizjes nuk është dëmtimi i PS-së, por rikthimi i saj në fitore në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013. “Fillimisht nuk tentohet të jetë parti politike, por që të bëjë presion te lidershipi aktual i PS-së, duke evidentuar në pah se gjatë këtyre viteve kanë humbur burimet njerëzore të së majtës. Në rast se Lëvizja jonë nuk do të dëgjohet, atëherë ne dhe zoti Nano do të vlerësojmë daljen me listat tona në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, deklaroi Enver Reçi.

Shtatori
Përfaqësuesit e lëvizjes “Nano për fitoren e socialistëve” deklarojnë se muaji shtator do të nisë me një fushatë intensive brenda Partisë Socialiste, me strukturat e reja, në mënyrë që të ndërgjegjësohet baza socialiste se duhet larguar kryetari aktual i PS-së, Edi Rama. Bardhyl Agasi deklaroi dje se Lëvizja Nano ka mbështetje të gjerë edhe te krerët e pushtetit vendor të PS-së, të cilët kanë firmosur pranë Lëvizjes Nano.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura