
Ish-kreu socialist i bën thirrje anëtarësisë të regjistrohet për një referendum në parti.
“Nismë statutore për largimin e Edi Ramës nga kreu i PS”
Ish-kryetari socialist, Fatos Nano, u ka bërë apel dje të gjithë socialistëve të mbështesin lëvizjen e re dhe të regjistrohen pranë saj për t’i bërë ata fitues në zgjedhjet e ardhshme.
“Lëvizja Nano për fitoren e socialistëve’ u bën thirrje të gjithë anëtarëve të PS dhe të gjithë popullit të majtë, popullit opozitar, që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje duke regjistruar emrat e tyre pranë zyrave përkatëse të koordinimit që po ngrihen me shpejtësi në çdo qytet e fshat”, thuhet në njoftimin e shpërndarë dje nga “Lëvizja Nano për fitoren e socialistëve”. Sipas këtij njoftimi, “procesi i regjistrimit të mbështetësve e vullnetarëve të kësaj lëvizjeje ka filluar, e shumë shpejt do t’ju bëjmë të njohur emrat e të gjithë koordinatorëve kudo, në çdo cep të Shqipërisë, si dhe detajet e kontakteve ku mund të drejtoheni”. “Lëvizja Nano për fitoren e socialistëve’ është një projekt përbashkues i socialistëve, popullit të majtë, popullit opozitar, e si i tillë, është një projekt fitues. Ne jemi dalëzotsa dhe motoja jonë është: Unë jam, unë mundem. Ne jemi, ne mundemi. Bashkë e bëjmë Shqipërinë fituese. Bashkë e bëjmë Shqipërinë europiane”, thuhet në njoftim. Si anëtar i Asamblesë Kombëtare, Nano duket se ka nisur një lëvizje referendare brenda PS për të larguar Ramën. “Lëvizja Nano për fitoren e socialistëve’ së shpejti do të nisë nismën statutore me anëtarët e PS për të kërkuar largimin e kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik Edi Rama, si edhe për të sjellë në krye të PS kryetarin historik dhe fitues Fatos Nano”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes. Fatos Nano shprehet se ka qenë gjithnjë fitues në garat e tij në krye të PS dhe ka ditur të mundë Sali Berishën. “Fatos Nano i sjell në vëmendje kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik të PS, Edi Rama, se Nano ka qenë për 15 vite kryetar i PS e sot është aktualisht anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS. Askush nuk mundet t’i mohojë, të deformojë apo zhbëjë historinë dhe vlerat më të mira ndër vite të PS bashkë me Fatos Nanon. Askush nuk mundet ta nxjerrë Fatos Nanon jashtë PS. Historia e Fatos Nanos me PS është histori fituese. Kujtojmë këtu se PS nën drejtimin e Nanos e ka mundur Sali Berishën që në zgjedhjet lokale në korrikun e vitit 1992, pak muaj pas fitores zulmëmadhe të Sali Berishës në 22 marsin e pandalshëm për shkak të rrjedhës historike. PS me Fatos Nanon e kanë mundur Sali Berishën në kushte shumë më të vështira konkurrimi se sa këto në të cilat ndodhet apo për të cilat ankohet sot kryetari i pamerituar dhe humbës i PS, Edi Rama”, thuhet në njoftim. E vetmja humbje e Nanos në zgjedhje ka qenë 2005-a, e cila, sipas tij, erdhi dhe për shkak të qëndrimit kundër PS të Edi Ramës: “Fatos Nano ka humbur vetëm zgjedhjet e vitit 2005 për shkak të ndarjes së PS, por edhe për shkak të pabesisë dhe kurtheve e goditjeve pas shpine dhe nën brinjë të Edi Ramës me lëvizjet e krijuara e mbështetura prej tij, të njohura asokohe si MJAFT, më vonë si G99 e sot si grushti i çeliktë rreth Edi Ramës për uzurpimin, keqpërdorimin dhe humbjet e pareshtura të PS”.
Festa e PS
Në përvjetorin e 21-të të themelit të Partisë Socialiste, Fatos Nano nuk ishte prezent, edhe pse kishte marrë ftesë nga selia rozë, por u ishte drejtuar me një letër të gjithë socialistëve ku kërkonte bashkimin e së majtës me atë në krye dhe largimin e Edi Ramës. “Unë ju bëj thirrje, të dashur socialistë, që ne të vazhdojmë të ecim bashkë, të fitojmë bashkë e ta qeverisim dhe transformojmë Shqipërinë bashkë. Unë jam tashmë para jush i gatshëm për t’ju udhëhequr drejt fitoreve të reja. I vetmi që na ndan ne sot është vetëm ai njeri që e quan veten kryetar të Partisë Socialiste, edhe pse ai që ditën që ka vënë këmbë në krye të partisë sonë ka shkaktuar veç humbje, humbje, dhe humbje. Edi Rama sot ju ka shkaktuar juve të dashur socialistë humbjen e radhës”, u shpreh Nano.Rama: Mllef primitiv i Nanos
Kreu i PS, Edi Rama, i cilësoi mllef primitiv akuzat e Nanos ndaj tij. “Unë nuk dua të humbas kohë me komentet e këtyre gjërave, që as di se si t’i quaj, se janë vërtet të neveritshme këto shfrime të një mllefi primitiv që s’ka lidhje fare as me PS-në, as me mua, as me historinë e këtyre 7 viteve dhe as me dhimbjen e PS-së, por ka lidhje me një paaftësi për të menaxhuar emocione shumë negative, për të cilat mua më vjen shumë keq”, u shpreh dy ditë më parë Rama.Kandidimi
Ish-kreu socialist u vetëshpall për të qenë kandidat konsensual për President. Ai kërkoi konsensus nga të gjitha partitë politike parlamentare, ndërsa nga Partia Socialiste dhe Edi Rama kërkoi që ta konkurronte duke i dhënë 20 firmat që i duheshin. Por në asnjë rast Rama nuk e artikuloi emrin e Fatos Nanos në të dyja tryezat e negociatave që zhvilloi me kreun e maxhorancës, Sali Berisha.
Koordinatorët, Majlinda Keta në Tiranë e Bardhyl Agasi në Durrës
Lëvizja “Nano” nis organizimin në rrethe
“Lëvizja Nano për fitoren e socialistëve” ka nisur të organizojë dhe strukturat e saj në qytetet kryesore. Pas takimit që zhvilloi dje me ish-drejtues të Partisë Socialiste, Nano ka caktuar si koordinatorë të Lëvizjes për Tiranën, Majlinda Ketën, ish-kryetaren e Forumit të Gruas Socialiste, forum i cili ka nisur të ringrihet pasi ka qenë inekzistent qëkur Keta u largua nga PS. “Lëvizjes Nano” i është bashkuar dhe ish-sekretari socialist për Marrëdhëniet me Publikun, Bardhyl Agasi, i cili do të jetë koordinator i Lëvizjes për qytetin e Durrësit. Gjatë ditës së djeshme, Nano ka takuar edhe anëtarin e Këshillit Bashkiak Enver Reçi, ish-prefektin e Korçës, Paqësor Zeneli, e socialistë të tjerë që datojnë me themelimin e PS-së. Mësohet se edhe sot Nano do të zhvillojë takime me kryetarë bashkish dhe komunash socialiste që kanë shprehur mbështetje ndaj lëvizjes së tij. Takimet do të vijojnë dhe me ambasadorë të njohur në Tiranë me të cilët Nano do të ndajë shqetësimet e tij për zhvillimet në PS shtatë vitet e fundit.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











