Nano: Berisha me investime paranojake pa vizion

Jul 6, 2012 | 13:11
Fatos Nano

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve ka shprehur dje shqetësim për situatën ekonomike në vend, e cila nuk mund të kapërcehet me qeverinë aktuale të drejtuar nga Sali Berisha.
Në reagimin e tij publik, ish-lideri i Partisë Socialiste, Fatos Nano, e ka cilësuar si mjaft kërcënuese për të ardhmen e vendit përqendrimin e pasurive në duart e pak individëve që janë të lidhur ngushtë me qeverinë “Berisha”. Sipas Nanos, qeverisja aktuale ka rritur polarizimin social, çka përveç dështimit në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, rrezikon dhe një thellim të varfërisë e shtim të papunësisë. “Qeveria e sotme ka dështuar, sepse jo vetëm ka deformuar kërkesën e tregut me investime paranojake dhe klienteliste, pa vizion, pa arsyetim zhvillimor, me baza popullsitë elektorale, por nuk e ka pasur kurrë si objektiv të politikave të punësimit, të taksimit dhe të mbrojtjes sociale që të krijojë një shpërndarje më të drejtë dhe më të ndershme të përfitimeve të rritjes ekonomike midis grupeve shoqërore në vend. Përqendrimi i pasurisë në pak individë të lidhur me qeverinë ‘Berisha’ ka rritur polarizimin social, ka thelluar varfërinë dhe kërcënon jo vetëm statusin e Shqipërisë -kandidate për anëtare në BE, por dhe zhvillimet e ardhshme ekonomike, sociale dhe politike në vend”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Nano.
Zgjedhjet
Në deklaratën e tij, ish-lideri i selisë rozë, Fatos Nano, shprehet me tone kritike ndaj mungesës së zgjidhjes së problemeve nga qeveria, por edhe nga opozita e sotme. Nano thotë se nuk duhet lejuar bjerrja e vlerave, ndërkohë që shton se Shqipëria po shëmtohet çdo ditë, ndaj duhet ndalur ky turravrap. Lëvizja Nano thekson se zgjidhja e tatëpjetës ekonomike është në shtimin e vendeve të punës dhe krijimin e mundësive në zgjerimin e qyteteve, dhe këto të fundit të bëhen të banueshme. “Zgjidhjet e këtyre problemeve nuk munden të vijnë as nga programet, strategjitë e projektet e mëdha të qeverisë qendrore, as mund të ngrihen mbi burimet e vakëta a të mangëta të autoriteteve lokale, as nga vullneti i shumicës në pushtet apo objektivat e opozitës. Ato kërkojnë që të gjithë ne së bashku të krijojmë një klimë, kulturë, shprehi dhe koncepte të reja të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit mes palëve politike, institucioneve, grupeve të interesit, qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, si edhe një derregullim më kreativ ndërmjet qeverisë qendrore dhe komuniteteve vendore. Vetëm rritja e punësimit dhe ulja e papunësisë mund të zbusë deficitin e rritur nga Berisha të fondeve të pensioneve dhe të mbështesë më mirë rritjen graduale të tyre. Por Berisha është i paaftë ta kuptojë dhe realizojë këtë objektiv strategjik”, shprehet Nano. Për ish-kryeministrin, opozita e bashkuar do të jetë fituesja e zgjedhjeve parlamentare të 2013-s dhe që do t’i mundësojë Shqipërisë një qeverisje të pastër, transparente dhe vend i denjë i BE-së.

Fation Binjaku

© Panorama.al

Te lidhura