
Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve e akuzoi dje Kryeministrin Berisha se çdo ditë po dëshmon se është dëmtues i axhendës europiane të vendit. Përmes një deklarate për shtyp, Lëvizja Nano shprehet se ftesa e djeshme e Berishës për takim me Ramën kërkon të bllokojë reformat. “Sali Berisha u dëshmua ndarës dhe dëmtues i axhendës së integrimit europian të Shqipërisë në procesin e zgjedhjes së Presidentit, sikurse edhe në të gjithë administrimin e procesit të reformave që ndihmojnë integrimin në periudhën post zgjedhjes së Presidentit. Sali Berisha sot u deklarua i hapur për takim me kryetarin e PS, Edi Rama, ndërsa është e qartë për çdo mendje të shëndoshë se ai po bën lojë politike të ngushtë e meskine partiake me ftesa e qëndrime provokative, duke i ofruar opozitës një konsensus negativ kryetarësh në mënyrë që të çmontojë dhe zhbëjë betejat dhe qëndrimet parimore për një reformë parlamentare dhe reformë zgjedhore në përputhje me interesin kombëtar, qytetar, demokratik dhe integrues europian”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Nano.
Duke vlerësuar dhe deklaratën e Presidentit të PE-së, Martin Shultz, se klasa politike shqiptare dështoi për të zgjedhur një President konsensual, Lëvizja Nano shprehet se “konsensusi negativ i kryetarëve vetëm mbyt e vret demokracinë, sikurse edhe dëmton e pengon përparimin e axhendës së integrimit europian të Shqipërisë”. “Lëvizja Nano shpreh mbështetjen e saj për çdo takim e marrëveshje pozitë – opozitë, që do të vendosë në themelin e saj transparencën për publikun dhe ndershmërinë e parimeve e qëllimeve në favor të krijimit të kushteve për një aleancë të madhe të mirëbesimit mes gjithë aktorëve e faktorëve politikë e civilë në luftën pa kompromis kundër korrupsionit, për krijimin e hapësirave e kushteve për një qeverisje të pastër, të ndershme dhe llogaridhënëse, për organizimin më 2013-n të zgjedhjeve të lira, të ndershme, të pakontestuara dhe në përputhje me standardet europiane, si dhe për suksesin e udhëtimit shqiptar drejt BE-së”, thuhet në deklaratë. Në deklaratë i kërkohet Edi Ramës që të tregojë projektin e tij për bashkimin e të gjithë socialistëve. “Lëvizja Nano e përshëndet turin e kryetarit të PS, Edi Rama, në bazën e PS-së, por e fton Edi Ramën që të mos humbasë kohë t’iu shpjegojë socialistëve arsyet përse Edi Rama nuk e mbështeti Fatos Nanon për President, por të gjejë motivimin dhe ndjeshmërinë e duhur për t’iu treguar socialistëve se cili është projekti i tij për bashkimin e popullit opozitar në mënyrë që të fitohen zgjedhjet e vitit 2013 dhe që në Shqipëri të vijë një qeverisje e pastër, transparente, llogaridhënëse, që do të bëjë të mundur transformimin e Shqipërisë në një vend dinjitoz europian. Lëvizja Nano shprehet e vendosur në projektin e saj për bashkimin, përfaqësimin dhe udhëheqjen e të gjithë popullit opozitar drejt fitores së zgjedhjeve të vitit 2013. Së bashku ne e mundim Sali Berishën. Së bashku ne fitojmë”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Nano.











