Nano: Berisha dështoi me BE, kërkon strehim politik në KiE

Jun 29, 2012 | 13:10

Fatos Nano

Ish-kryeministri: Kodi Zgjedhor të shenjtërojë barazinë e votës.

Ish-kryeministri Fatos Nano akuzon kreun e qeverisë, Sali Berisha, se po përdor si sukses personal marrjen e Presidencës së Këshillit të Europës. Në një deklaratë për mediat, Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve shprehet: “Ne ndihemi të vlerësuar si shqiptarë dhe krenarë për marrjen e Presidencës së KiE nga Shqipëria, por Kryeministri Berisha nuk mund të tolerohet në përdorimin e kësaj ngjarjeje si sukses personal apo qeveritar, në një kohë kur praninë e tij në Asamblenë e KiE e përdor si justifikim për arratisjen nga reformat dhe nga detyrimi për bashkërendim me opozitën, me grupet e interesit dhe me institucionet e pavarura kushtetuese, duke dëmtuar rëndë mundësitë e Shqipërisë për integrimin në BE”. Sipas kësaj lëvizjeje, Kryeministri Berisha po kërkon strehim politik te Presidenti i Azerbajxhanit, Aliev. “Sali Berisha nuk mund të tolerohet në arbitraritetin e tij të pashërueshëm, kur ndërsa dështon me integrimin në BE, kërkon strehim politik në KiE. Sali Berisha nuk mund të tolerohet në paaftësinë e tij qeverisëse, me të cilën po thellon krizën ekonomike e sociale në vend dhe po vazhdon të devijojë aksin e zhvillimit demokratik, perëndimor dhe integrues të Shqipërisë, ndërsa rend për të kërkuar ’strehim’ politik dhe afarist në krahët e Presidentit të Azerbajxhanit, Aliev”. Duke u ndalur te reforma zgjedhore, Nano shprehet se shqiptarët nuk e meritojnë si Kryeministër bllokues, të paaftë dhe pengues. Sipas kësaj lëvizjeje, kreu i qeverisë po vendos pushtetin mbi shtetin dhe partinë mbi kombin. “Lëvizja Nano për Integrim Europian kërkon që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë sa më parë, me konsensus të plotë dhe parimor, një Kod Elektoral që shenjtëron votën e lirë dhe barazinë e votës sipas standardeve të BE. Lëvizja Nano për Bashkimin e Opozitës inkurajon dhe kërkon që opozita e bashkuar të punojë në solidaritet për të bërë  ligjin më të mirë elektoral dhe për të garantuar kushtet për zbatimin me përgjegjshmëri, ndërgjegje europiane dhe ndershmëri të lartë të ligjit standard elektoral që ka nevojë Shqipëria europiane”, thuhet në deklaratën për shtyp të Lëvizjes Nano për Fitoren e Socialistëve.

© Panorama.al

Te lidhura