Nano: Avokatia e Berishës për Ristanin, provokim

Jul 4, 2012 | 14:15
Fatos Nano

Lëvizja Nano akuzoi dje Kryeministrin Berisha se po privatizon institucione siç është KQZ dhe kërkon të marrë zgjedhjet e ardhshme përmes Ristanit. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Lëvizja Nano shprehet se avokatia e Berishës për Ristanin është provokative. “Avokatia që Sali Berisha i bën Arben Ristanit është provokative dhe e patolerueshme dhe një atentat i rëndë që i bëhet nevojës për mirëbesim dhe mundësive për bashkëpunim me opozitën shqiptare” thuhet në njoftimin për shtyp të Lëvizjes Nano. Në deklaratë u kërkohet partive politike të tejkalojnë pozicionet partiake për të arritur në një bashkëpunim në funksion të një strategjie kombëtare për plotësimin e 12 kritereve për marrjen e statusit në vjeshtë. “Inkurajojmë udhëheqësitë politike të majta e të djathta në Shqipëri, që të gjejnë mendjehaptësinë dhe urtësinë për të vendosur interesat kombëtarë si parësorë duke zgjeruar aftësitë, hapësirat dhe vullnetin për mirëbesim, bashkëpunim e bashkërendim në funksion të një marrëveshjeje e strategjie të madhe kombëtare, plotësimin e 12 kritereve te vendosura nga BE. Nuk duhet humbur asnjë ditë, asnjë orë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Lëvizjes.

© Panorama.al

Te lidhura