Nallbani: Rubion do ta heqin për një muaj

Aug 22, 2011 | 11:40
Blendi Nallbani, ish-portieri i Tiranës

Blendi Nallbani i ka dhënë fund aventurës së tij 13-vjeçare me Tiranën, ndërsa është edhe pranë fundit të karrierës.Portieri 40-vjeçar ndihet i zhgënjyer për faktin se askush nuk e ka kujtuar gjatë kësaj kohe prej klubit bardheblu, të paktën në shenjë nderimi për kontributin e tij shumëvjeçar. “Mund të duket shokuese, por një nga momentet më të lumtura të karrierës sime futbollistike është largimi nga Tirana. Ika se nuk mund të qëndroja në një vend ku ka njerëz të fëlliqur, që bëjnë si specialistë futbolli, ndërkohë që nuk janë të tillë. E prisja që ikja ime do gëzonte mjaft persona brenda klubit, por kurrë nuk e prisja që telefoni im nuk do binte kurrë, qoftë për të më falënderuar për kontributin tim. I vetmi nga ish-shokët e skuadrës që më ka telefonuar, madje shumë shpesh, ka qenë Andi Lila. Gjithsesi, kjo nuk më ka shqetësuar aq shumë. Ajo për të cilën më ka ardhur me të vërtetë shumë keq, është fakti që pas largimit tim nga Tirana hoqën edhe tim bir, Marvinin”, deklaroi “Tata”. Ai nuk pranon që i ka dhënë fund zyrtarisht futbollit, ndërsa stërvitet dy herë në ditë, sëbashku me djalin. Por, Nallbani nuk mund të rri pa komentuar edhe mbi situatën që po kalon klubi bardheblu.
Merkato
“Te Tirana vijnë futbollistë të huaj, pa u parë, por duke u bazuar te fjalët e bukura. Shpresoj që të jenë aq të mirë, por nuk kam parë ndonjë gjë të më mahnisë. Pastaj, ekipi nuk bëhet duke bërë merkato, sa herë që të jepet mundësia. Duhet kohë”.
Trajneri
“Unë nuk kam asgjë kundër trajnerit aktual, madje kam shumë respekt për eksperiencën e tij dhe për aq sa ka treguar deri tani. Por, njëkohësisht më vjen keq, pasi jam i sigurt që ai nuk do vazhdojë të jetë në krye të skuadrës pas javës së tretë të kampionatit. Do e bëjnë që të largohet, pasi ne shqiptarët jemi të paduruar. Duam suksese menjëherë. Trajnerët e huaj nuk kanë qëndruar asnjëherë gjatë dhe kjo nuk është e rastësishme. Mendoj se do i bëjnë “puç” si gjithmonë”, u shpreh 40-vjeçari.
Financat
“Një klub kaq i madh nuk mund të mbahet nga një person i vetëm. Duhen disa njerëz që të investojnë fuqishëm në aspektin financiar. Vetëm ashtu mund të jetë në nivelet që meriton. Tirana nuk është një klub që të fitojë Superkupën dhe të gëzojë sikur ka pushtuar botën. Kam disa rroga pa marrë aty, gjithsesi ua kam falur, pasi e di që janë në krizë financiare”, shtoi Nallbani.
Karriera
“Kam fituar rreth 20 trofe si futbollist dhe sigurisht që nuk janë pak. Bëhet fjalë për 10 tituj kampion, të gjithë me Tiranën. Nuk mund të them se i kam dhënë fund karrierës, pasi për momentin nuk e kam marrë ende atë vendim me zemër. Gjithsesi, “Tata” ka lënë gjurmë që nuk harrohen në futboll dhe për këtë jam krenar. Shpresoj që tifozët të mos i kem zhgënjyer asnjëherë, pasi çdo arritje, nuk e kam bërë vetëm për vete, por mbi të gjitha për “ata”, përfundoi deklaratën e tij 40-vjeçari.

20 TROFE të fituar gjatë karrierës së tij: konkretisht, me fanellën e Tiranës: 10 tituj kampionë, 5 kupa dhe 4 Superkupa; plus një Superkupë të fituar gjatë kohës që luante me Partizanin.

13 VITE ka luajtur me fanellën e Tiranës portieri legjendar Blendi Nallbani. Ish-gardiani i bardhebluve e ka mbrojtur për plot 310 ndeshje katërkëndorin e 24 herë kampionëve të vendit.

© Panorama.al

Te lidhura