Nafta, gjiganti SHELL vjen në Shqipëri, blen aksionet e Petromanas

Feb 14, 2012 | 10:47
Berisha dje më përfaqësuesit e SHELL

Kërkimi i naftës në Shqipëri duket se është një objektiv i ri i kompanisë ndërkombëtare “SHELL”. Kjo kompani tashmë ka hyrë në marrëveshje me kompaninë tjetër “Petromanas Energy”, e cila prej kohësh operon në kërkimin e arit të zi në disa zona në vend. Plani i kompanisë SHELL u zbulua dje nga zëvendëspresidenti për Strategjinë Internacionale të kompanisë “Marcus Antonini” gjatë një takimi me Kryeministrin Berisha në të cilin ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i grupit kanadez “Petromanas Energy Inc”, Glen McNamara. Përfaqësuesit e dy kompanive informuan Kryeministrin lidhur me marrëveshjen e tyre për të ndarë me nga 50 për qind aksionet e “Petromanas” në Shqipëri dhe po kështu, edhe vlerën e investimit që ato do të kryejnë. Drejtori i Përgjithshëm i “Petromanas”, McNamara u shpreh gjatë takimit se plani i veprimit i grupit të ri dhe të zgjeruar do të fillonte me punën kërkuese nëpërmjet shpimit të puseve në tri zona, në Juban të Shkodrës, Shpirag të Beratit dhe në bllokun Papër, pranë fshatit Gracen të Elbasanit. Në fazën e parë të eksplorimit, kompania “SHELL” do të mobilizojë rreth gjysmën e investimit prej 51 milionë USD që parashikohet të ndërmerret gjatë këtij viti. Ai theksoi që shpimet fillojnë në muajin mars e vazhdojnë me radhë në muajt në vijim. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë Sali Berisha ka vlerësuar pozitivisht bashkimin e dy kompanive të njohura, duke shprehur edhe gatishmërinë që do të ketë qeveria shqiptare për të mbështetur këto kompani në zbatimin e planit të tyre. Një pikë tjetër ku Kryeministri u ndal gjatë takimit ishte ajo e shtrirjes të punës së kërkimit të këtyre kompanive në zona të reja të paeksploruara më parë si Mbreshtan, duke theksuar se zona të tilla janë premtuese sa u përket rezervave të naftës që mendohet se mbajnë.

50 për qind të aksioneve të kompanisë “Petromanas” në Shqipëri janë blerë nga kompania tjetër e njohur “SHELL”. Kjo kompani në fazën e parë të eksplorimit do të investojë 51 milionë dollarë.

© Panorama.al

Te lidhura