Naço:Po sigurojmë energji 24 orë pa ndërprerje

Feb 9, 2012 | 17:54

VAU I DEJES- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço tha sot se qeveria ka marrë të gjitha masat për furnizimin e vendit me 24 orë energji elektrike, ndërkohë që pohoi se METE është në dijeni të avarive që ka në furnizimin me energji.

Komentet, Naço i bëri gjatë një inspektimi në hidrocentralin e Vaut të Dejës, nga ku garantoi qytetarët shqiptarë për furnizim 24 orësh me energji elektrike në çdo shtëpi.

“Jemi gati që të ndryshojmë dhe buxhetin e shtetit për të garantuar importin e energjisë elektrike dhe që qytetarëve tu sigurohet 24 orë drita në shtëpitë e tyre. Ne jemi të ndërgjegjshëm që ka dhe defekte teknike, defekte që janë duke u eliminuar në kohë”, u shpreh Naço.

Sipas tij, METE, KESH, OST dhe CEZ kanë hartuar masa për menaxhimin e situatës së krijuar.

Naço shoqërohej nga drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Ëngjëll Zeqo, drejtues të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe drejtues të lartë të CEZ Shpërndarjes.

Zeqo u shpreh se konsumi i energjisë elektrike është në nivele rekord, prej 25 milionë kilovatorë në ditë dhe theksoi se situata në të tre hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin po monitorohet nga afër nga KESH dhe METE.

© Panorama.al

Te lidhura