Naço: Rregullore e re për kërkimin e prodhimin e hidrokarbureve

Jul 9, 2011 | 10:09

Subjektet që operojnë në sektorin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve do të përballen me një mbikëqyrje më të madhe nga autoritetet shtetërore, duke pasur si objektiv rritjen e sigurisë, mbrojtjen e mjedisit dhe efiçencën e shfrytëzimit të burimeve.
Miratimi i Rregullores së kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në vendin tonë pritet që të jetë një hap që do të ndikojë direkt në mënyrën se si funksionon ky proces. Për ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, rregullorja që do t’i shkojë shumë shpejt Këshillit të Ministrave për miratim, synon që të rritë efiçencën e mbikëqyrjes së institucioneve mbi këtë sektor dhe të vendosë rregulla të qarta mes shtetit dhe investitorëve që operojnë në këtë fushë. Gjatë prezantimit të kësaj nisme ditën e djeshme kreu i METE, Nasip Naço, u shpreh se miratimi i “Rregullores për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve” vjen në një kohë kur Shqipëria po rrit ndjeshëm volumin e prodhimit të naftës, ndërkohë që edhe kompanitë që janë të përfshira në këto operacione janë të shumta. “Për vitin 2011, prodhimi i naftës bruto pritet të arrije në rreth 850 mijë ton, nga të cilat rreth 800 mijë ton do të prodhohen në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure. (Në 6-mujorin e parë 2011 janë prodhuar rreth 428 mijë ton nafte bruto, nga të cilat rreth 398 mijë janë prodhuar në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure)”, tha ministri. Ai dha detaje edhe lidhur me investimet që janë kryer në kërkimin e hidrokarbureve, operacione që në total kapin vlerën 800 milionë dollarëve. Por, çfarë synon realisht miratimi i rregullores që do të sanksionojë mënyrën e operimit të gjithë aktorëve të përfshirë në sektorin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve? Ministri Nasip Naço u shpreh dje se rregullorja synon vendosjen e një disipline të plotë tekniko -shkencore në veprimtaritë e kryera në këtë sektor dhe njëkohësisht ka si synim edhe ruajtjen e mbi e nëntokës dhe mjedisit në tërësi. “Rregullorja sanksionon ushtrimin e së drejtës së kontrollit dhe auditimit ekonomik e financiar, nga organet që administrojnë në rrugë zyrtare aktivitetin në sektorin energjetik hidrokarbur. Përcaktimin dhe marrjen e masave për parandalimin e ngjarjeve të pakontrolluara në këtë sektor dhe organizimin e funksionimin e njësive përkatëse”, tha Naço.

© Panorama.al

Te lidhura