“Na ka çue Shkodra ni fjalë”, mbrojta e qytetit nga serbo-malazezët! Libri i Xhemal Meçit sjell referenca të shumta nga autorë vendas e të huaj

Aug 22, 2024 | 11:08
SHPËRNDAJE

halilramaHALIL RAMA
“MJESHTËR I MADH”

“Na ka çue Shkodra ni fjalë”, libri i ri, i sapobotuar i studiuesit Xhemal Meçi, “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi” i Pukës, është një botim interesant me përmbledhje artikujsh, kryesisht për Luftën për mbrojtjen e Shkodrës së rrethuar prej ushtrive pushtuese serbomalazeze (Nëntor 1912 – maj 1913), si një prej luftërave më heroike dhe po aq të lavdishme të kombit shqiptar.

Autori i këtij libri ka meritën se për herë të parë sjell referenca të shumta nga autorë vendas e të huaj për qëndresën e shqiptarëve për mbrojtjen e Shkodrës që përbën epopenë më heroike e më madhështore në historinë e luftërave të shqiptarëve. Kështu, nëse në shënimet e Mareshalli turk Mustafa Fevzi Çakmak, pjesëtar i shtatmadhorisë së armatës turke për mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, ndër të tjera shkruhet që “Mbrojtja e Shkodrës të merret si shembull krenarie kombëtare!”, Xh.Meçi sjell edhe referencën e Gino Berri, korrespondent italian i luftës, i cili shkruan se “Luftën e bënin ata (shqiptarët,), që sapo kishin shpallur Pavarësinë e Atdheut, agimin e ri të vendit të tyre.

HISTORIA

Në artikullin ”110 – vjetori i Luftës së Shkodrës kundër ushtrive pushtuese serbo-malazeze gjatë rrethimit barbar 7 mujor, nëntor 1912-prill-maj 2013″, Xhemal Meçi sjell fakte dhe ngjarje që flasin për qëndresën heroike të shqiptarëve kundër pushtuesve barbarë. Ndër të tjera ai shkruan: ”Forca vullnetare të ardhura që nga Kavaja, Tirana, Kruja, Dibra, Lura e Mati numëroheshin deri në 4000 luftëtarë, të komanduara nga Esat Pasha. Ushtria malazeze bombaronte pa reshtur. Edhe sulmet e ushtrisë tokësore ishin të furishme drejt pozicioneve të mbrojtjes së Shkodrës. Në mënyrë të herëpasherëshme, çdo ditë, sulmonte edhe ushtria serbe nga fronti i lindjes dhe i jugut, por pa sukses. Humbjet e tyre ishin të shumta.

Mbas lufte Mali i Zi i Krajl Nikollës deklaronte se për mposhtjen e Shkodrës ka pasë më se 8000 luftëtarë të rënë. Prandaj Urrejtjen për këto humbje e shfrynin duke bombarduar qytetin, sidomos lagjet myslimane. Megjithatë Shkodra nuk jepej. Por pak nga pak armiku kryesor i saj u bë uria, jo vetëm për qytetarët, por edhe për luftëtarët. Mbas 5 muajsh rrethimi e lufte, u mbaruan të gjitha rezervat ushqimore, aq sa nga fillimi i marsit 1913 u mbyllën të gjitha furrat e bukës, nga që ishte sosur mielli. Kështu uria u bë masive me pasoja sëmundjesh e vdekjesh. Nga fillimi i prillit mesatarja e të vdekurve arriti në 25 vetë në ditë. Një ditë prej ditësh u gjet e vdekur një nënë me tre vocërrakët e saj rrotull qafës. Edhe ata të vdekur urie; Një burrë kah se nuk i shihte dot dy djemtë e tij vocërrakë duke u përpëlitur nga uria e vdekjes, se kishin 10 ditë pa ngrënë, hoqi koburen dhe i vrau (kurse vet u zhduk!!!). Edhe në ushtri gjendja qe po aq e rëndë, se u arrit që të ndaheshin vetëm 400 gram peksimet në ditë, po edhe ato me krimba.

Në vazhdim ranë në 200 e 100 gram. Kështu, luftëtarët shtriheshin në pozicione gjysmë të vdekur!! Ndërsa Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Londër u kujtuan së fundi, nën presionin e Austro-Hungarisë vetëm më 22 mars 1913, se duhej të ndërhynin ushtarakisht, si paralajmërim për Cetinën kokëfortë, se ia njihnin Shkodrën me rrethinë Shqipërisë, duke u kërkuar që të hiqnin rrethimin e Shkodrës. Më 12 prill 1913 u tërhoq ushtria Serbe, kurse ajo malazeze jo. Atëherë Fuqitë e Mëdha urdhëruan për një presion force… Kështu që në fillim të prillit një skuadrilje detare ndërkombëtare, nën komandën e nënadmiralit anglez Sesël Bërnei bllokoi Tivarin deri në grykën e Drinit. Por ushtria malazeze, rifilloi sulmet, sapo skuadrilja detare u largua. Gjendja e të rrethuarve u bë si edhe më parë e padurueshme. Më 14 maj 1913, hynë forcat e skuadriljes detare ndërkombëtare, kurse administrimin e qytetit e mori një komision ndërkombëtar i kryesuar nga anglezi Sesil Bërnej, i cili nuk lejoi festimin e Bajramit, as ngritjen e Flamurit kombëtar shqiptar në Shkodrën e shkretuar. Për më tepër, nuk përfilli as Qeverinë e Vlorës, e cila ishte e vetmja qeveri legjitime e Shtetit Shqiptar (me Shkodër) (!!!)” (fq. 12-14).

Po në këtë artikull Xh.Meçi sjell referencën e Dr. Dutton, profesor në Universitetin të Kolumbisë, sipas të cilit “Raporti i Komisionit Ndërkombëtar ishte një dokument tragjik, ndërsa dy luftërat ballkanike – si kapituj vdekjeje dhe tmerri, se viktimat më fatkeqe e më tragjike në masakrën e Ballkanit ishin Shqiptarët” .

Duke pasur si pikë referimi Prof. dr. Bajram. Xhafën që është edhe redaktor i librit, autori i këtij libri, që në hyrje na njeh edhe me frontet e mbrojtjes së Shkodrës. “Hasan Riza Pasha, Komandanti i Përgjithshëm i forcave mbrojtëse të Shkodrës me rrethinë, që pa fillue Lufta e Parë Ballkanike mori masa mbrojtëse, me punimet për fortifikime të menjëhershme, duke përcaktuar dy vija mbrojtëse: Vija e parë mbrojtëse, nga kështjella dhe kodrat në lindje të kalasë. Vija e dytë mbrojtëse ishte më e jashtme, e përbërë nga fortifikimet e Taraboshit, kodrat e Bërdicës, Beltojës, Vukatanës e Bardhajve. Në pozicione u vendosën 25 mijë forca luftarake me gryka zjarri artilerie të futura thellë në tokë mbi lartësitë e kodrinave. Kështu Shkodra mbrohej nga katër pikëmbështetje, që përbënin katër frontet kryesore: 1. Në veri, – Fronti i Shtojit, pjesa mes Liqenit dhe lumit të Kirit; 2. Në lindje, pjesa mes Kirit e Drinit, – Fronti i Bardhanjorit; 3. Në jug, pjesa në mes të Bunës e Drinit – Fronti Bërdicës; 4. Në perëndim, zona prej Bunës e Liqenit deri te mali Taraboshit, – Fronti i Taraboshit”..

KOMANDANTI

Për herë të parë në këtë libër (botim i “FIORENTIA”, Shkodër 2024) gjejmë edhe në një portret Hasan Riza Pashës (1871-1913) – Vali dhe komandant i garnizonit ushtarak të Shkodrës. Ai kishte lindur në Bagdat nga një nënë me origjinë shqiptare. Studimet ushtarake i kreu në Stamboll dhe i plotësoi në Akademinë e Luftës në Berlin (1899 – 1903). Shërbeu në detyra të larta ushtarake në Janinë dhe në Manastir. Në janar 1911 caktohet komandant i korpusit Ushtarak (Garnizonit) Shkodër. Mars 1912 u emërua edhe Vali i Vilajetit Shkodër. Organizoi e drejtoi me vendosmëri e guxim gjatë rrethimit të plotë nga ushtritë pushtuese serbo – malazeze mbrojtjen e qytetit të Shkodrës me një efektiv prej 22.000 trupash, ndër to 7000 oficerë e ushtarë vullnetarë shkodranë, kundrejt afro 55 000 trupash rrethuese serbo – malazeze, duke u shprehur: “Nuk do ta dorëzoj Shkodrën edhe sikur t’i vinte urdhër nga Stambolli”. U vra si doli, nga shtëpia e Esad Pashës, më 30 janar 1913. U varros në Shkodër. Më 1993 është dekoruar “Për veprimtari patriotike të Klasit Parë. (Përparim Rexhepi, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 2009, f. 2253 – ’54).

MBROJTJA

Në një tjetër artikull po aq interesant, historiani Meçi përshkruan qëndresën e malësorëve të zonës Pukë – Mirditë në mbrojtje të Shkodrës së rrethuar nga ushtritë pushtuese serbo – malazeze para 111 viteve. Risi në këtë artikull është përjetësimi i heroizmit të shqiptarëve nëpërmjet këngëve popullore. Janë këngë që përjetësojnë qëndresën e 400 vullnetarëve të udhëhequr prej Mustafë agë Kryziut dhe Mehmet Dervishit, të cilët brenda fillimit të nëntorit 1912 u vendosën në pozicionet e Bërdicës, ku gjatë luftimeve me malazezët ranë dëshmorë të atdheut tre kabashës trima: Dem Ismail Ibrahimi, Kurt Nezir Cina dhe Rexhë Adem Baci. “Me të ardhë porosia e Bajram Beg Currit, Zenel Mustafë Aga i Iballes me Mustafë agë Kryeziun dhe Salih agë Malziun (Vaspas) vendosën me kërkue ‘një burrë për shpi me i shkue Shkodrës në ndihmë’ para se të rrethohej nga ushtritë serbo – malazeze për t’u ndihmuar forcave shkodrane me pushkë për sy”, shkruan Xh.Meçi. Ndërsa referuar të dhënave gojore, ai e njeh lexuesin me faktin se “Në çdo katund u vendos të merreshin masat për t’u vetëmbrojtur dhe të bëheshin përpjekje që me çeta të vogla ta sulmojnë ushtrinë pushtuese serbe, sapo të futej në Shtatë Bajraktë. (në krahinën) e Pukës, që nga Vaspasi e deri në Flet, Qafë-Mali, Fushë-Arrëz, Pukë e Kabash. Katundet e Rrugëmadhes: Flet-Xath, Kulumri, Sakat-Trun. 80 shtëpi Thaç, lidhen besë me ia fillue pushkën që nga Fleti e mos me ia da deri sa të tërhiqet krejt. Po kështu si Vaspasi edhe Pistë-Gdheshtë. Në Lejthizë vendosën të sulmonin prapavinë e kësaj ushtrie, duke i shkaktuar sa më shumë humbje! Sepse kështu do të dobësoheshin edhe sulmet serbe të divizionit “DRINA” mbi mbrojtësit e Shkodrës. Por ky divizion goditjen e parë e mori në Vaspas nga çeta e Ismajl Arifit”.

Në pjesën e parë të këtij libri, mbrojtja e Shkodrës kundër ushtrisë pushtuese serbo – malazeze jepet edhe nëpërmjet këngëve të rapsodit Prendush Gega, Artist i Merituar. Kështu autori sjell të freskëta për lexuesin vargjet: ”Kur erdh serbi me Karadak,/ Shkodra vogel u ba marak:/ “Nuk e lshoi vendin pa gjak!, /nuk e lshon vendin pa u shkri!”… Dhe po aty, (fq.26) vargjet kuptimplota: ”Top e pushkë digjet Shkodra!/ Top e pushkë Shkodra shkret!/ Për Shkipni po don me dek!” …Autori këtu sjell edhe referencën nga Miss Durham: ”Malazezët të tërbuar nga që nuk po arrinin ta merrnin Shkodrën me forcën e armëve dhe nga dështimi i bisedimeve për dorëzim… deklaronin se do ta asgjësojnë gjithë popullsinë muslimane të Shkodrës!.

Ky libër ka vlera të veçanta se pikërisht në këtë 111 vjetor të asaj lufte heroike legjendare na njeh me qëndresën e shqiptarëve kundër pushtuesve barbarë serbomalazez.

SHQIPTARËT

Pjesë interesante e librit është edhe historia e Norës së e Mirditës (Marshterpa e Spaçit), për të cilën autori Xh. Meçi shkruan se “Ndërsa Nora legjendare e Kelmendit ishte e shek. XVII, NORA e Mirditës ishte rreth 150 vjetë më përpara, por e mbetur në heshtjen e harresës”. Po ashtu në këtë libër mësojmë për qëndresën e Pukës dhe Malësisë së Gjakovës që shpëtojnë nga arrestimi i forcave osmane Hafiz Haxhi Ymer Prizrenin, kryetar i Komitetit Drejtues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1881).

Autori i këtij libri, Xhemal Meçi është i kudogjendur në përvjetorë të ngjarjeve e personaliteteve historike. Dhe jo vetëm fizikisht, por me shkrime mbresëlënëse. Të tillë janë në këtë libër artikujt: “Përurohet pllaka përkujtimore kushtuar atdhetarit Haxhi Rrustë Kabashi” (fq.41), ku më tej (fq.47) boton edhe fjalën e mbajtur nga gjeneral Rrahman Parllaku – Nderi i Kombit në këtë përkujtimore (me titullin sinjifikativ: Shqiptarët, një komb unik, si kurrë ndonjëherë në historinë tonë kombëtare”.

Po në këtë linjë është edhe analiza e librit të poetit, prozatorit e kantautorit të njohur Naim Berisha “Të jetosh në paqe”, ku sipas këndvështrimit të tij, hedh dritë mbi të vërtetën e origjinës të gjeneralëve të Skënderbeut Dhimitër e Nikollë Berisha.

Studiuesi i mirënjohur Xhemal Meçi (autor i librave të mëparshëm: ”Puka që në lashtësi”; “Kanuni i Lekë Dukagjinit, variant i Pukës, Itali 1996”; “Ndue Jak Pjetri ‘Mësues i Popullit”; “Migjeni në Pukë”; “Kanuni i Lekë Dukagjinit, variant i Mirditës, Tiranë 2001; “Kabashi”- monografi; “Poeti i Malësisë” dhe “Komani, trashëgimi iliroarbërore”) në këtë liber (“Na ka çue Shkodra ni fjalë”) shkruan edhe për Zenel Xhemajl Kabashin, këtë burrë fisnik të Kabashit të Prizrenit, që sipas autorit ishte vetë historia dhe ndërgjeja konbëtare kosovare.

Në funksion të edukimit atdhetar të të rinjve tanë, Xh.Meçi bën pjesë të këtij libri edhe shkrimet me titujt: ”Recitohen ‘vaje’nga ‘Lahuta e Malcis” e Fishtës në provim shteti (Instituti i Lartë Pedagogjik , Tiranë, Qershor 1968); “Piktori Abdurrahim Buza puthi në Pukë për herë të parë flamurin kombëtar shqiptar” (1922); “Legjenda dhe burime për shqiponjën e zezë dykrenare” (Prof. dr. Bardhosh Gaqe) etj.

KONKLUZIONE

Në këtë libër gjejnë pasqyrim veprimtari akademiko – shkencore, të zhvilluara në Shkodër, Pukë e Tiranë, me objekt studimin e historisë së rezistencës së shqiptarëve në Luftën për mbrojtjen e Shkodrës së rrethuar prej ushtrive pushtuese serbo-malazeze (Nëntor 1912 – maj 1913), si një prej luftërave më heroike dhe po aq të lavdishme të kombit shqiptar, si dhe për traditat, kulturën e lashtësinë e gjuhës shqipe.

Nëpërmjet hulumtimesh e studimesh skrupuloze, autori i këtij libri sjell për lexuesin shkrimet interesante: “Puka – një qytet i bukur turistik malor” (ballë madhështisë së Alpeve Shqiptare), në 110-vjetorin e hapjes së shkollës Shqipe të Kabashit (1914-2024); “Abacia e Shën Palit të Pukës, Grykë Kabash në 1440 – vjetorin e saj” (për të cilën i referohet prof. Injac Zamputi, historian dhe përkthyesi i relacioneve të shek. XVI-XVII, që e radhit krahas abacive ma të njohuna në Shqipni). Po ashtu Xh.Meçi shkruan për personalitetin e shquar islam dhe të kulturës kombëtare Hafiz Haxhi Hysen Ismail Muçaj – një erudit në traditën e dijes dhe të kulturës sonë gjuhësore mbarëkombëtare shqiptare. Ndërsa në 50 – vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 20-25 nëntor 1972), trajton referencën e Ndre Mjedës “Kjoft mallkue kush qet ngatrrime ndër kto vllazen shoq me shoq, kush i dan me fjalë e shkrime, çka natyra vet përpoq!”…., për të vijuar me tej me shtjellimin e referatit të Profesor E. Çabej në Kabash të Pukës për sesionin e parë shkencor për toponimet, Kabash Qendër, 21 maj 1977, si dhe me profilin e Prof. David Luka i cili ndërroi jetë duke lënë pas kujtimin e një studiuesi të përmasave akademike, vazhdues i denjë i akademikut E. Çabej për gjuhësinë shqiptare, autor i botimit të 20 vëllimeve “Studime Gjuhësore”.

Në librin “Na ka çue Shkodra ni fjalë”, autori Xhemal Meçi shkruan edhe për veprimtarinë kërkimore – shkencore të Jeronim De Radës në fushën e studimeve filologjike dhe në lëmin e gjurmimeve onomastike e në atë të toponimisë historike (referuar kumtesës së Prof. dr. Jup Kastrati, botuar në kuadrin e 100 vjetorit të lindjes së tij (1924- 2024)…, shkruan për kontributin e Prof. dr. Eqrem Zenelaj, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” në fushën e studimeve dhe botimeve për pasqyrimin e historisë së popullit shqiptar dhe prejardhjes sonë iliro-pellazge,…

Në këndvështrimin tim analitik të kësaj vepre, interes për lexuesin paraqesin edhe artikujt: “Iballa sipas albanologut të shquar Han” ((JOHANN GEORG: von HANN, albanolog i shquar, 1811-1869) në botimin “Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit”, 1863; “Migjeni në Pukë”, si dhe studimi i gjuhëtarit të njohur Petro Zheji: “Shqipja është mëma e të gjitha gjuhëve”, studim ky që u vlerësua nga Kadare, por u injorua nga Akademia e Shkencave.

Në tërësinë e tij libri “Na ka çue Shkodra ni fjalë” bart vlera të rëndësishme studimore për faktin se në të gjejmë prurjet më të reja në fushën e studimeve për historinë kombëtare shqiptare. Në faqet e tij ka studime dhe artikuj që përbëjnë arritjet më të reja të historiografisë shqiptare për ngjarjet dhe figurat historike./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura