Na ishte njëherë Amerika

Dec 7, 2024 | 7:51
SHPËRNDAJE

NGA AGRON LOCI AGRON LOCI

Në mesin e viteve ‘80, regjisori i njohur Sergio Leone, realizoi filmin “Once upon America” (shqip: na ishte një herë Amerika) që konsiderohet edhe si magnum opus-i i tij. Subjekti i filmit rrok temën e ngritjes dhe rënies së njërit prej grupeve mafioze në SHBA, temë që nuk ka të bëjë me atë që do të trajtohet në vijim, por titulli i atij filmi është intrigues dhe përputhet me perceptimin e shumë europianëve lidhur me marrëdhëniet aktuale mes kontinentit të vjetër dhe SHBA si dhe me projeksionin e tyre për të ardhmen. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, SHBA u kthyen jo vetëm në “engjëllin mbrojtës” të vendeve europiane të bllokut perëndimor, por për shumë dekada ato ishin pika e orientimit, e adhurimit dhe e modelit që duhej ndjekur. Sa breza të kontinentit të vjetër admiruan deri në marrëzi dhe u rritën e edukuan me artin dhe kulturën amerikane me Sinatrën apo Bob Dylain, me Elvis Presley apo Michael Jackson, me artistët hollivudianë, me mënyrën amerikane të jetesës, me jeans e filmat me cowboy, me Mc Donalds apo Burger King, me NBA, apo edhe NASA-n, që pasi kish bërë të sajën dimensionin tokësor, imagjinatën e shtrinte përtej tij duke “pushtuar” edhe skutat më të largëta të galaktikës sonë. “Uncle Sam” u kthye në simbolin e lirisë, demokracisë, ai ishte personifikim i modelit të shoqërisë më të përparuar të globit. SHBA, si askush më parë në historinë e njerëzimit, pavarësisht se nuk kish koloni, arriti të “pushtonte botën” me idealet, vlerat, mundësitë që të ofronte në arritjen e suksesit, si vendi ku ëndrrat bëheshin realitet.

Ndërkohë, që me vullnetin e tyre, vendet e Europës Perëndimore për shumë dekada i dorëzuan sovranitetin SHBA, sepse nën kujdesin e saj, ata e ndjenin veten të qetë, të mbrojtur, të sigurt. Pranuan dhe implementuan në praktikë vlerat dhe parimet e demokracisë liberale amerikane në ndërtimin dhe funksionimin e shoqërive të tyre që mbështeteshin në respektimin e dinjitetit njerëzor, pavarësisht origjinës, racës, gjuhës, ndarjen e pushteteve, ekonominë e tregut, lirinë e fjalës dhe të medias. Hapën tregjet për mallrat amerikane në një botë të polarizuar, ku për gati gjysmë shekulli depërtimi me brandet tregtare sado të njohura të ishin, ishte thuajse i pamundur. Miratuan dhe mbështetën çdo ndërhyrje ushtarake amerikane në vendet, ku pas përplasjeve ideologjike, qëndronin interesa gjeopolitike për hegjemoni globale. Madje, në një rast shpunë ushtritë e tyre në luftë për të qenë në krah të aleatit të madh të goditur nga terrorizmi. Marrëdhënia ishte reciproke dhe të dyja palët e pranonin statusin e tyre si diçka të natyrshme. Deri në mesin e 2010 dukej se ky raport do të vazhdonte derisa një ditë në krye të SHBA vjen një biznesmen, një showman i konvertuar në politikan, që e vlerëson në një prizëm tjetër bashkëpunimin me aleatët. Ai nuk është konvencional, nuk njeh gjuhën e qëndrimet diplomatike, është i drejtpërdrejtë dhe marrëdhënien me partnerët tradicionalë perëndimorë nuk i sheh më si winwin, por si WIN. Një president që në thelb mund të konsiderohet si sinonim i shprehjes lapidare të Kisinger se, “amerikanët nuk kanë armiq apo miq të përhershëm, ata kanë vetëm interesa të përhershme”. Me ardhjen e tij në pushtet, Pax Americana, që kish marrë jetë qysh nga lançimi i Planit Marshall, kishte marrë goditjen e parë, duke i lënë europianët të çoroditur, të frikësuar për sigurinë e tyre.

Më kot kishin shpresuar se gjithçka do t’i rikthehej “normalitetit” kur Biden fitoi katër vite më parë. Një pjesë jo e vogël me shpirt kishin dëshiruar, madje kishin kryqëzuar gishtat që të nesërmen e paszgjedhjeve amerikane të uronin Harris. Por amerikanët kishin vendosur ndryshe. Ata i kishin ridhënë pushtetin atij politikani, të cilin vetëm katër vite më parë e kishin larguar me votë plebishitare. Shumë europianë kishin shpresuar të kundërtën, por gjërat kishin ndryshuar njëherë e përgjithnjë. Gjithsesi, shpresa nuk mund të ishte përgjigje ndaj një realiteti që kish kohë që kish ndryshuar dhe kërkonte qasje tjetër. Establishmenti tradicional liberal europian po sfidohej hapur, pasi bota kish ndryshuar e bashkë me të edhe aleancat apo kundërshtarët ishin bërë më fluide.

Prej kohësh SHBA e ndjenin veten të kërcënuara nga ekspansioni kinez, që nën moton e ndërtimit të rrugëve dhe urave kish filluar të shtrinte influencën e saj në të gjithë globin.

Të dala si superfuqia e vetme pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, SHBA arritën brenda një kohe të shkurtër të jenë dominuese në tregjet e mëdha globale. Për gati dy dekada ato janë të vetme, janë të pakonkurrueshme. Është momenti i dominancës amerikane jo më në një pjesë të globit, por në të tërin. Është momenti i “amerikanizimit” global. Por, është edhe momenti i globalizmit, si dhe i lindjes dhe përhapjes së një prej arritjeve më të mëdha në historinë e njerëzimit, internetit, i cili zeron dimensionet fizike, zgjeron mundësitë dhe e bën botën një treg të madh të aksesueshëm me lehtësi. Nga ana tjetër globalizmi si një fenomen mbarëbotëror përmes ndërthurjes e ndërvarësinë së tij impakton jo vetëm politikat, por edhe ekonominë, sigurinë, kulturën e deri te mjedisi. Gjithashtu në një botë që kish vuajtur nga mungesa e lirisë, liria u bë kryefjala e gjithçkaje. Flitej dhe kërkohej liria politike, liria e fjalës, e lëvizjes dhe e tregut. Por liria bart edhe sfida. Lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, e ideve apo e parasë lulëzon, por bashkë me të rritet edhe rreziku i pandemive, terrorizmit, pastrimit të parave apo trafiqeve të ndryshme. Nga ana tjetër, hapja e tregjeve, shfrytëzimi i burimeve natyrore të shumë vendeve të pazhvilluara për interesa të kapitalit të madh amerikano-europian nuk u shoqërua me rritjen e nivelit të jetesës për banorët e këtyre vendeve. E kundërta ndodhi. Pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave erdhi duke u thelluar. Në shumë vende falë abuzimit me pushtetin, politikanë autokratë dhe diktatorë pasurohen, ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë margjinalizohet. Uria, ndryshimet klimaterike, luftërat janë shkaktarët e valëve migratore drejt vendeve perëndimore dhe SHBA. Kishin kaluar vetëm dy dekada nga rënia e murit dhe lufta ideologjike nuk është më ajo që vë përballë superfuqitë. Lufta për tregje kthehet në fushëbetejën kryesore të përplasjeve mes tyre ndërkohë që fillojnë dhe zbehen angazhimet në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të individëve apo pakicave etnike në një botë, ku konfliktet shpërfaqen në shumë pjesë të saj. Duke filluar nga 2010, sistemi ndërkombëtar nuk është më një polar. Kina ecën shpejt, konkurron dhe shpreh hapur ambiciet e saj për tregje dhe influencë jashtë vendit. Rusia e rimerr veten nga schock-u i shpërbërjes dhe tranzicionit dhe fillon të tregojë se edhe ajo kërkon vendin e saj e të dëgjohet në çështjet globale. Në botë krijohen disa pole rajonale, të cilat fillojnë të sfidojnë stausquo-në.

SHBA duken të pafuqishme të ndikojë dhe të jenë të pranishme në të gjitha këto spote, pavarësisht se vazhdon të jetë vendi me ekonominë më të fuqishme në botë, si dhe vendi më i fuqishëm ushtarakisht. Është momenti që del në skenë Donald Trump.

TRUMP DHE TRAMPIZMI

Trump si politikan dhe Trampizmi si ideologji e mënyrë qeverisjeje është produkt i kohës dhe sfidave me të cilat po përballen SHBA. Qasja liberale në marrëdhëniet ndërkombëtare që kish mbizotëruar për dy dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë me SHBA si superfuqi e vetme në botë, pas 2010 po rezultonte joefikase në zgjidhjen e çështjeve me të cilat përballeshin SHBA dhe bota. Fuqizimi i Kinës, Rusisë apo vendeve të tjera, konkurrenca e tyre dhe lufta për të fituar apo ruajtur hapësirat tregtare, zgjeruar zonat e influencës, fuqizimi ushtarak, krijimi i aleancave ushtarake dhe ekonomike të tyre, po i vinte në vështirësi SHBA, duke sfiduar hapur rendin botëror dhe rolin hegjemon të saj. Krizat dhe përplasjet kryesisht me bazë etnike filluan të jenë më të shpeshta. Menaxhimi i tyre gjithnjë e më i vështirë.

Institucionet ndërkombëtare mbi të cilat ishte mbështetur ruajtja e paqes dhe stabiliteti global në shumë raste kishin dështuar të kryenin rolin e tyre. Fuqia dhe veto e shteteve me peshë po i sfidonte ato gjë që i bënte të dukeshin si të vjetruara dhe jo adekuate për t’ju përgjigjur problemeve me të cilat përballej bota. Qasja liberale ishte e dobët për t’iu përgjigjur sfidave. Gradualisht fillon të dominojë qasja realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare apo siç njihet edhe si realpolitika. Pasiguria bën që shpesh shtetet të investohen më tepër për sigurinë e tyre sesa për sigurinë si realizim në kuadër të aleancave që përbëhen nga entitete shpesh me interesa të ndryshme. Ndërkohë që për amerikanët prej kohësh inflacioni dhe rreziku që vjen nga emigracioni i paligjshëm janë dukuri që kërkojnë zgjidhje radikale të menjëhershme për të garantuar rritjen ekonomike dhe sigurinë e tyre.

Donald Trump është ai që i premton se këto çështje do t’i zgjidhë në mënyrë radikale dhe merr mbështetjen e tyre. Është ai që premton se do të ringjallë Amerikën për ta bërë sërish të madhe. Pavarësisht se nuk e pranon se pandemia që shkaktoi inflacionin dhe emigracioni i paligjshëm në pjesën më të madhe e njerëzve që nga dëshpërimi dhe pamundësia për të jetuar në vendet e tyre janë të detyruar të largohen, nuk janë veçse pasoja të një sistemi të ngritur nga elitat politike dhe ekonomike të vendeve më të fuqishme të botës për interesat e tyre, pjesë e së cilave është edhe ai vetë. Ndërkohë që në politikën e brendshme ka premtuar se do të “thajë kënetën” dhe do të shkatërrojë “deep state”. Do të ndërhyjë dhe do të bëjë ndryshime kushtetuese, do të burgosë kundërshtarët politikë, të cilët i konsideron si “armiq të brendshëm që janë më të rrezikshëm sesa ata të jashtmit”, do të jetë “diktator” vetëm ditën e parë, do të bëjë të heshtë median e pavarur të cilën e konsideron “fake”, do të shkrijë departamentin e edukimit dhe do të ribëjë atë të drejtësisë duke larguar “të politizuarit” për t’i zëvendësuar me besnikët e tij që paradoksalisht do të jenë të “papolitizuar” e deri tek goditja e njërës prej shtyllave kryesore të shtetit, siç është drejtësia.

Me një fjalë do të ndjekë një politikë autoritariste që kërkon të ndërtojë një realitet që nuk funksionon mbi bazë të ndarjes së pushteteve dhe përgjegjësive, por që ka në qendër individin me pushtet absolut. Këtë formë qeverisje studiuesi Fareed Zakaria e ka quajtur demokraci iliberale. Europa ka kohë që përballet me këtë fenomen si në Hungari, në Republikën Çeke në Sllovaki, në Serbi apo dhe në Shqipëri. Por me fitoren e Trump, demokracia liberale që kish qenë forma qeverisëse për dekada me radhë në SHBA, por edhe në Europë ka marrë një goditje të rëndë. Ja si e komenton ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, rizgjedhjen e tij: “… nga janari i ardhshëm Trump fillon presidencën e tij të dytë, duke pasur krah tij të dy dhomat e kongresit, por edhe Gjykatën Supreme, gjë që do të thotë se ai do të qeverisë me lehtësi duke kërkuar që demokracinë liberale amerikane ta kthejë në një oligarki iliberale”. Po të shikosh disa nga të përzgjedhurit e Trump që do të fillojnë të qeverisin nga janari janë miliarderë, oligarkë që përpos fondeve publike që marrin nga buxheti federal për bizneset e tyre, tashmë përmes pjesëmarrjes në nivele të larta të vendimmarrjes do të kenë mundësinë edhe të mbrojnë bizneset e tyre. Është momentum-i i avancimit të individëve me agjenda radikale të ekstremit të djathtë dhe goditjes së institucioneve. Shtetet liberal demokratike në Europë janë nën presionin e ekstremit të djathtë me qasje radikale iliberale.

Gati një e treta e europianëve janë sot pro këtyre politikave, ata mbështesin lider me pikëpamje ekstremiste. Nga ana tjetër, ato shtete europiane që vazhdojnë të besojnë dhe drejtohen ende nga sisteme demokratike liberale, që besojnë ende te parësia e institucioneve përballë individëve autokratë ngjasojnë aktualisht si një ishull që goditet nga erëra të forta, me një perspektivë të paqartë dhe që nuk dihet edhe përsa kohë do t’i rezistojnë kësaj situate për më tepër që tashmë nuk kanë në krah tyre aleatin më të madh. Për më tepër, po të shikosh se cilët janë politikanët që Trump ka zgjedhur për të qenë në krye të politikës së jashtme dhe të sigurisë Europa duket që është në periferi të interesit dhe fokusit amerikan të paktën për katër vitet e ardhshme. Europianët duhet nga janari të përballen me një realitet shumë sfidues dhe për shumë çështje nuk do të kenë më në krah ish-aleatin e tyre të madh. Tani ata janë të detyruar të gjejnë rrugën e tyre.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura