Një shpërthim i madh ka kthyer në qytetin gjerman, Mynih, kohën e Luftës së Dytë Botërore, pas detonimit të kontrolluar të një bombe të gjashtëdhjetë viteve më parë. Fuqia e shpërthimit ishte e ngjashme me bombardimet e luftës. Bomba u gjet në vendin ku ekzistonte lokali “Schwabinger 7”, i frekuentuar në vitet ’70 nga legjendarët “Rolling Stones”. Shpërthimi i kontrolluar u bë rreth orës 22:00 të së martës në mbrëmje. Qielli u bë i portokalltë, dy shtëpi aty afër morën flakë dhe shrapneli u përplas në një urë. Dritaret e ndërtesave u thyen në dhjetëra metra rreth e qark zonës, por askush nuk u plagos. Rreth 30 makina zjarrfikëse dhe 200 zjarrfikës ishin në gatishmëri pranë vendit të shpërthimit. Ekspertët thonë se gjermanët duhet të mësohen me këto skena, sepse qindra-mijëra bomba të pashpërthyera qëndrojnë në qytetet e tyre. Plani aktual ishte shkatërrimi i detonatorit, por më pas u vendos të shpërthehej e gjithë bomba pasi ishte shumë e rrezikshme. Pak orë pas shpërthimit të kontrolluar, 3 000 personat e evakuuar të zonës u lejuan të riktheheshin në shtëpitë e tyre.











