MYNIH- Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Mynihu se qeveria qe drejton do te beje gjithcka per të nxitur rritjen ekonomike, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e vendit dhe për të vazhduar përpjekjet për një zhvillim jeshil të vazhdueshëm të Shqipërisë.
Deklarata eshte bere në mbyllje të vizitës së tij në Mynih, në Gjermani, ku mori pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë.
Berisha ka theksuar rritjen ekonomike ne vend ne kater vitet e fundit, duke nenvizuar se merite e saj eshte modeli i ekonomisë në Shqipëri, model i cili është bazuar kryekëput, para së gjithash, në nxitjen e rritjes ekonomike, për rrjedhojë nxitjen e punësimit, rritjen e të ardhurave.
“Ky model ka nevojë të përsoset më tej. Natyrisht, jo me masa që godasin në palcë rritjen dhe biznesin, jo me masa të cilat nëpërmjet rritjes së taksave shkatërrojnë qindra dhe mijëra vende pune, por me standarde të tjera liberale të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset”- tha ai.
Sipas kreut te qeverise, analizohen dy modele: një model i bazuar në një faturë shumë të madhe sociale dhe taksat të larta, i cili përjeton vështirësi serioze, dhe një model tjetër i bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike, i cili i qëndroi krizës dhe nuk njohu recesionin.
“Vizioni apo mësimi që nxirret është që të bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që kemi në vend për ta nxitur atë, për të zgjeruar hapësirën, për të vazhduar përpjekjet për një zhvillim jeshil të vazhdueshëm të Shqipërisë”.
Konferenca në sesionin e pasdites pati si temë kryesore krizën ekonomike, krizën e borxheve dhe krizën e Euros”- theksoi ai.
Berisha beri nje pasqyre te zhvillimit te konferences, ne te cilen u diskutuan rruget e daljes nga kriza.
Sipas tij, u debatua gjerësisht dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm ishte mendimi i Presidentit të Bankës Botërore, Robert Zoellick, por edhe i personaliteteve të tjera, se masat e deritanishme, të ashtuquajtura masa të ashpërsisë, me rritje taksash, kanë qenë tërësisht të paefektshme. Robert Zoellick, Mario Monti, George Soros, së bashku me Presidentin e Deutsche Bank, zotin Ackermann, siguruan si një rrugë të re domosdoshmërinë e përqendrimit, para së gjithash dhe mbi të gjitha, te rritja ekonomike, e cila përbën shtyllën kryesore të shanseve të qytetarëve të këtyre vendeve.
“Natyrisht, parashikimet për daljen e eurozonës nga kriza nuk ishin dhe aq optimiste. Besohet se kjo do të jetë një krizë nga e cila do të duhen jo pak vite për të dalë, por e rëndësishme është se për herë të parë në këtë konferencë ndërkombëtare që u diskutua për krizën, u kërkua që të ndryshohen qëndrimet e deritanishme për daljen prej saj”- tha ai.
© Panorama.al











