Myftiu i Shkodrës, Braçes: Je meskin

Feb 20, 2012 | 11:34
Myftiu i Shkodrës, imam Muhamet Sytari

Sytari: Të mos tregohemi përçarës në këtë situatë kritike.

SHKODER – “Komunitetet fetare kanë qenë të parat që janë sensibilizuar me sinqeritet për të ndihmuar njerëzit në nevojë, jo me preferenca raciste, por për “hatër të Zotit” dhe pa dallime përçarëse. Ai që përpiqet të përfitojë nga situatat kritike që kalon vendi për qëllime meskine, është meskin”. Kështu ka pohuar myftiu i Shkodrës, imam Muhamet Sytari, gjatë një ceremonie për dërgimin e disa ndihmave ushqimore në favor të banorëve të izoluar, në rrethin e Pukës. Me anë të kësaj deklarate, myftiu i Shkodrës, imam Muhamet Sytari, ka replikuar në distancë me deputetit socialist Erjon Braçe. Imam Muhamet Sytari ka pohuar se ditët e fundit një deputet i Parlamentit shqiptar i ka bërë thirrje drejtuesve fetarë të kthejnë paratë e caktuara nga qeveria për këto komunitete, për të ndihmuar zonat e izoluara. “Deputeti në fjalë t’i ftojë kolegët e tij dhe të kontribuojnë me rrogën mujore për njerëzit e izoluar, jo të përpiqet të lartësohet me përmendjen e drejtuesve fetarë të vendit. Deputeti dhe kolegët e tij të mësojnë nga drejtuesit fetarë shqiptarë frymën e harmonisë, dialogut, bashkëjetesës dhe komunikimit paqësor, jo të përfitojë nga kjo situatë e vështirë për të nxitur përçarje meskine për interesa të ulëta!”, ka pohuar myftiu i Shkodrës. Paraditen e së dielës, Myftinia Shkodër ka vijuar me ndihmën e familjeve të izoluara nga dëbora e ditëve të fundit në zonën e Shkodrës. Një kamion me pako ushqimore për 100 familje janë dërguar drejt Pukës, ku nëpërmjet Myftinisë së këtij qyteti do të bëhet shpërndarja e ndihmave për familjet e izoluara në këtë zonë.                     r.d

Erjon Braçe

Erjon Braçe

Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist Erjon Braçe, i bëri thirrje krerëve të besimeve fetare gjatë seancës të së enjtes në Parlament, që të kthejnë mbrapsht fondet e përfituara një ditë më parë nga vendimi i qeverisë. Këto fonde, sipas Braçes, duhet të përdoren për banorët dhe emergjencat. Braçe akuzoi qeverinë se në kushtet e emergjencës civile të fatkeqësisë natyrore akordoi për komunitetet fetare në Shqipëri dy herë më shumë fonde se për zhbllokimin e rrugëve në zonat e bllokuara.

© Panorama.al

Te lidhura