Mustafaj: Mënjanimi i Oketës nga Kryesia, shenjë e sëmundjes së PD

Jul 25, 2011 | 9:50

Ish-anëtari i Kryesisë së PD-së dhe ministër i Jashtëm, Besnik Mustafaj,  kritikon mënyrën se si u bë mbledhja e Këshillit Kombëtar dhe zgjedhjen e
Kryesisë së re. Në një mesazh të lënë në rrjetin social “Facebook” ai pasi
uron 24 anëtarët e rinj të kryesisë, vë theksin te fakti se ata do të kenë një mandat dyvjeçar, për shkak se zgjedhjet për këtë forum u bënë 2 vjet me vonesë. Sipas Mustafajt, në mbledhjen e së shtunës Këshilli Kombëtar
duhet të bënte një analizë të thellë të zgjedhjeve të 8 majit dhe të mos mjaftohej vetëm me fjalën e kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

“Me këtë rast, Kryesinë e re e uroj për zgjedhjen, sado që do të gëzojë vetëm gjysmë mandati, dhe jo për fajin e saj. Pas dy vjetësh, nëse nuk shkelet përsëri statuti, duhet të mblidhet kongresi tjetër. Më vjen shumë keq që nuk u bë as edhe analiza më e vogël për zgjedhjet e porsambyllura. Gjithkush e di se analizë do të thotë debat midis anëtarëve të Këshillit Kombëtar për të nxjerrë në pah me realizëm e logjikë politike arritjet e dobësitë, gjë që nuk e përmbush dot një fjalim i radhës i kryetarit. Unë besoj se ne demokratet kemi shumë nevojë për një analizë të tillë serioze dhe të sinqertë”, u shpreh Mustafaj. Duke  komentuar listën fituese të Kryesisë së PD-së, ish-sekretari për marrëdhëniet me jashtë në këtë parti kritikon edhe faktin që jashtë këtij forumi ngeli Gazmend Oketa. Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i qarkut të Durrësit, i njohur si një nga mbështetësit e Presidentit Bamir Topi, mori shumë pak vota dhe u rendit në vendet e fundit të kandidatëve.

Mustafaj e vlerëson Oketën si një politikan të pjekur dhe me integritet të lartë. “Po ashtu, shenjë e një sëmundje të rëndë për artinë ishte edhe mënjanimi nga votimi i kandidaturës së Gazmend Oketës për në Kryesi, një politikan i pjekur tashmë dhe i çmuar nga mbarë opinioni ynë publik për integritetin e tij të lartë”, shprehet më tej Mustafaj. Ndonëse përflitej si një nga emrat e mundshëm që të paktën do të ishte në listën e kandidatëve për në Kryesinë e re të demokratëve, gjatë leximit të emrave nga ana e Berishës, u vu re mungesa e emrit të tij.

Mustafaj mungoi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, duke mos pasur mundësitë të votonte për forumin me 25 anëtarë. Ai e justifikon
mungesën me një angazhim të planifikuar kohë më parë dhe që nuk mund ta
shtynte. “Dëshiroj t’i sqaroj të gjithë dashamirësit e mi e veçanërisht demokratët pse mungova në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të
Partisë Demokratike: ‘Ndodhesha jashtë me një angazhim profesional të përcaktuar muaj më parë e që nuk mund ta ndërprisja'”, shprehet Mustafaj
në komunikimin me miqtë e tij në rrjetin “Facebook”. Mesazhin ish-ministri
i Jashtëm dhe një nga ishbashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit Berisha e mbyll me premtimin për mbështetësit e tij se në muajin gusht do të flasë më gjatë për atë që po ndodh në Partinë Demokratike. “Gjithsesi,
u jap fjalën dashamirësve të mi dhe të Partisë Demokratike se me t’u kthyer në Tiranë nga mesi i gushtit, do t’i shpreh më gjerësisht në shtyp mendimet e mia rreth kësaj problematike, mprehtësia e së cilës, për vetë rolin që ka PD, prek thelbin e demokracisë së mbarë vendit”.

Të humburit në Kryesi: Pranojmë rezultatin, u votuan më të mirët

Kandidatët humbës në garën për anëtarë të Kryesisë së PD-së shprehen për gazetën se rezultati i dalë nga votimi duhet vetëm të respektohet. Tritan
Shehu, Ardian Turku dhe Ilir Bano thonë se në zgjedhjet e së shtunës u votuan më të mirët e kandidatëve. Sipas ish-kreut të PD-së deri në vitin 1997, Tritan Shehu, “në demokraci vlen të përdoret vetëm shprehja; ‘rezultati
i votimit respektohet, por nuk komentohet'”. Ndërsa nënkryetari i Parlamentit dhe deputeti i qarkut të Elbasanit, Ardian Turku, thotë se të jesh
anëtar i Kryesisë së PD-së duhet të kesh një kontribut më të gjatë në këtë parti. Sipas tij, Këshilli votoi kandidatët më të mirë. “Ishte një garë ku të gjithë ata që ishin kandiduar ishin dinjitozë. Në demokraci ka një votim, i cili pasi përfundon,  gjithsecili duhet që patjetër që nëse fiton të vlerësojë fitoren dhe nëse humb, kjo nuk është fatale. Të qenit anëtar në Kryesinë e PD duhet ta kesh merituar këtë vend në sajë të një aktiviteti politik të gjatë dhe unë s’bëj pjesë në grupin e njerëzve që kanë kontribut prej 15 apo 20 vitesh”, thotë Turku. I të njëjtit mendim është edhe Ilir Bano, ish-anëtar i Kryesisë, por që këtë herë nuk mori votat e mjaftueshme. “Në një votim është më
se normale që një pjesë do të fitojë. Për mua, ata që kanë fituar janë me të vërtetë figura që përfaqësojnë më së miri pjesën më të mirë të Këshillit Kombëtar për në Kryesi. Nga 42 që ishin kandidatë, dihej që një pjesë do të
fitonte dhe një pjesë nuk do të fitonte”.

© Panorama.al

Te lidhura