Murgesha del nga manastiri për herë të parë pas 84 vitesh

Aug 18, 2011 | 11:49

E ka kaluar çdo ditë të 84 viteve të fundit brenda mureve të manastirit në Spanjën Qendrore. Tani, murgesha 103-vjeçare, motër Teresita, më në fund do të dalë në botën jashtë mureve të premten, për një rast tepër special. Ajo do të takojë Papa Benediktin XVI gjatë vizitës së tij në Madrid, për të festuar Ditën botërore të të rinjve. Motër Teresita është anëtare e ‘Buenafuente del Sistal Convent’, rreth 80 km larg Madridit. Ajo ka banuar në manastir që nga 16 prilli 1927. Kjo për koincidencë është e njëjta ditë kur ka lindur Joseph Ratzinger, tani Papa Benedikt XVI. Hera e fundit kur njëshekullorja është larguar nga manastiri ishte gjatë luftës civile spanjolle, e cila u zhvillua  në vitet 1936-1939. Por, edhe atëherë ajo ishte larguar vetëm për disa orë për t’i shpëtuar luftimeve gjatë natës. Nëna superiore e manastirit, Maria, tha: ‘Ajo thotë se do ta bëjë udhëtimin duke mbajtur sytë mbyllur, kështu asgjë nuk do t’ia tërheqë vëmendjen’. Motër Teresita është pak si e famshme brenda manastirit, pasi aty u publikua edhe një libër mbi jetën e saj.

© Panorama.al

Te lidhura