
Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë sot të akuzuarin për vrasjen e bashkëshortes së tij, Eleni Basho, shtetasin Ilia Basho pas afro tre muaj qendrimi ne paraburgim
Gjykata ka dhënë masën detyrim me paraqitje për të akuzuarin e vetëm të ngjarjes, ndaj të cilit nuk janë gjendur prova që vërtetojnë se ai ka qenë ekzekutori i bashkëshortes në shkurt të këtij viti.
Përkundër provave të mbledhura për Ilia Bashon, grupi hetimor nuk ka arritur të identifikojë personin që ka qëlluar mbi viktimën, pasi nuk ka të dhëna se dorasi ka qenë pikërisht i shoqi i laborantes.
Vrasja e laborantes
Vrasja e Eleni Bashos ndodhi më 02.02.2012, rreth orës 18:30, në Shkozë. Laborantja dentare, bashkëshorte e Ilia Bashos, u qëllua me dy plumba në trup, ndërsa nga hetimet e Prokurorisë kanë dalë të dhëna që kanë krijuar dyshim të arsyeshëm se autori i veprës penale mund të jetë dhe i pandehuri Ilia Basho. Policia Gjyqësore, më datë 06.02.2012 ka pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni, të pandehurin Ilia Basho. Në këtë datë, Ilia Basho ka dhënë të dhëna të përgjithshme që kanë të bëjnë me periudhën para vrasjes. Ai, në këtë pyetje nuk ka pranuar që ka pasur marrëdhënie me shtetasen Yllka Shehaj. Po më datë 06.02.2012 është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni dhe shtetasja Yllka Shehaj. Në këtë datë ajo ka pranuar pjesërisht lidhjen që ka pasur me të pandehurin, duke dhënë shpjegime të ndryshme dhe është përpjekur që ta bëjë të parëndësishme lidhjen e tyre. Më datë 21.02.2012 është ripyetur shtetasja Yllka Shehaj. Ajo ka dhënë të dhëna që e kanë çuar organin e hetimit në dyshime të arsyeshme se i pandehuri mund të jetë autor i veprës penale. Yllka Shehaj, në këtë deklarim, ka thënë se me të pandehurin ka pasur raporte intime të vazhdueshme dhe se i pandehuri i ka propozuar për martesë. Sipas Yllka Shehajt, i pandehuri i ka kërkuar asaj që ta priste sa të zgjidhte problemet me gruan, me të cilën do të ndahej. Ai thotë: “Më prit dhe pak, më prit deri më 15.12.2012 dhe ajo do të largohet nga skena pa u bërë zhurmë dhe ti nuk do të kesh fare punë se si do ta rregulloj. Ti ke ngrënë një shpullë, por asaj do t’i kthehen dhjetë të tilla mbrapsht”. Po kështu, në deponimin e saj ajo shpjegon përpjekjet e të pandehurit për t’i mbushur mendjen që ta priste dhe të martoheshin bashkë, mbasi me gruan do t’i zgjidhte vetë problemet. Në dëshminë e shtetasit Jonuz Muça, del se i pandehuri i ka thënë atij që të shkonte të takonte Yllka Shehajn dhe t’i kërkonte asaj që të mos e merrte në telefon dhe të mos e takonte tre-katër muaj.
Dëshmia
Ilia Basho u ndalua nga policia dy javë pas vrasjes së gruas së tij, Elenit. Ai u mor në pyetje dhe fillimisht nuk pranoi asnjë gjë, duke mohuar madje edhe lidhjen intime me Yllka Shehajn, lidhje e cila ishte bërë shkak për konflikte në çift. Por dëshmia e Ilia Bashos ndryshoi në Gjykatën e Apelit, ku i pandehuri pranoi se ka pasur një ndjenjë të fortë për Yllka Shehajn. Ndërsa pranoi lidhjen intime me këtë person, Ilia Basho mohoi në mënyrë kategorike implikimin e tij në vrasjen e të shoqes.
Konfliktet
Dy bashkëshortët Ilia dhe Eleni Basho kishin prej vitit 2003 një kompani të përbashkët të tregtimit dhe shpërndarjes së produkteve mjekësore e farmaceutike. Ndonëse ishte krijuesi i kompanisë, Ilia kishte vënë emrin e të shoqes tek Nova Dental, në mënyrë që të shmangte konfliktin e interesit, pasi punonte në Tatime në momentin kur kompania u krijua. Mirëpo për shkak të konfliktit e mosmarrëveshjeve për lidhjen paralele të Ilia Bashos, dy bashkëshortët vendosën shitjen e aksioneve në kompaninë e produkteve dentare.











