
Besimtarët myslimanë, peticion për garantimin e transparencës së censusit.Ndërsa ka përfunduar falja e namazit në qendër të qytetit, besimtarët e teologë të shumtë të Elbasanit kanë firmosur një peticion drejtuar Komunitetit Mysliman Shqiptar, nëpërmjet të cilit i kërkojnë kryeministrit të vendit, Sali Berisha, që të garantojë transparencë maksimale për sa i përket procesit të regjistrimit të popullsisë mbi bazën e etnisë dhe fesë. Teologu Arben Ramkaj, i cili ka lexuar përmbajtjen e peticionit, ka deklaruar se, bashkësia e besimtarëve myslimane të Elbasanit nëpërmjet këtij tij paralajmëron se në rast të evidentimit të parregullsive gjatë këtij procesi, ata do të iniciojnë bojkotimin e tij, jo vetëm në Rajonin e Elbasanit, por në të gjithë vendin. Ramkaj ka deklaruar se ky proces do të jetë i rregullt, ndërsa ka shtuar se në monitorimin e tij duhet të bëjnë pjesë edhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Edhe presidenti i Nderit të Xhematit të Elbasanit, Faik Çota, bën thirrje për kryerjen me përgjegjshmëri jashtëzakonisht të madhe të këtij procesi. Ndërkaq, imami Bledar Haxhiu i ka bërë thirrje qeverisë që të mos bjerë pre e kurtheve të dashakeqëve ndaj shtetit shqiptar. “I bëjmë apel qeverisë dhe qeveritarëve, që kanë mbi supe përgjegjësi të mëdha, të jenë të vëmendshëm gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë. Sa më e madhe që të jetë përgjegjësia, aq më e madhe është edhe llogaridhënia përpara popullit. Qeveria shqiptare duhet të rishikojë edhe një herë projektligjet për këtë proces kaq delikat dhe i bëj apel qeverisë që të mos bëhet pre e dashakeqësve që nuk duan që populli të jetë ballëlartë. Nuk pranojmë dhe nuk dëshirojmë që për interesat e vogla dhe mjerane të qeveritarëve, populli të bjerë në kurthe, për të cilat historia do i dënonte mjeranët dhe dashakeqët”, apelon imami Haxhiu. Vetëm nga Elbasani peticioni u firmos nga 2500 besimtarë.
PDIU: Refuzimi i çamëve në kufi, politik
PDIU reagoi dje ndaj qëndrimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë greke, Ikonomu. Përmes një deklarate për mediat, PDIU komenton heshtjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë greke. “I pyetur nga gazetarët shqiptarë mbi refuzimet e pleqve shqiptarë me origjinë çame në kufi, drejtori i Përgjithshëm nuk dha asnjë përgjigje me vlerë, ose refuzoi të përgjigjej. Me mospërgjigjen e tij ky zyrtar i lartë i Policisë greke konfirmoi se refuzimi i turpshëm i qytetarëve të moshuar shqiptarë me origjinë çame nuk është për shkaqe policore. Nëse do të ishte kështu, ai nuk do të kishte problem të jepte një përgjigje. Pra ky zyrtar konfirmoi në mënyrën më të mirë se vendimi për refuzimin e qytetarëve me origjinë çame është politik”, shprehet PDIU në deklaratën e saj.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU











