Ç’ndodh me dikë në mes të detit në momentin që s’ka asnjë busull pa idenë se ku mund të jetë bregu dhe nëse është apo jo në koordinatat ku kalojnë anije? Besoj se të gjithë jemi në një mendje se shpresat e këtij njeriu janë të vakëta se do të mund të mbijetojë. Deti është i gjerë, por atij i duhet bregu – një breg që është edhe kufi në të njëjtën kohë. Pra, në këtë rast, kufiri është fillimi i shpresës, fillimi i lirisë për të vendosur. Në sistemin tonë, në “detin e lirisë dhe mundësive” që të jep demokracia, ne të gjithë kemi nevojë për kufij – për kufij vlerash, për kufij moralë, për të ditur se çfarë vlen e çfarë nuk vlen, e sidomos për të ditur ata kufij që na bëjnë të ndihemi të vlerësuar dhe të vlerësojmë.
Por a i kemi ne sot këta kufij në këtë det lirie që na jep sistemi aktual?
Unë besoj se shumica e prindërve shqiptarë sot është mes një dyzimi të plotë në lidhje me orientimin e fëmijëve. Në një situatë të ngjashme janë edhe shumica e mësuesve, sepse kriza e orientimit në familje pasqyrohet në çdo shkollë. Ndërkaq, edhe familja është pjesë e krizës së përbashkët shoqërore, një shoqërie ku kanë ndryshuar kufijtë e turpit, të vlerave dhe të asaj që e diskutojmë sot si të moralshme apo të pamoralshme.
Sot ka gjithnjë e më pak mësues që mund të flasin për atdheun nëpër shkolla. Himni, edhe pse me ligj, thuajse nuk këndohet në asnjë shkollë. Ndërkohë që sfilatat e modës apo konkurset e ndryshme të bukurisë ia kanë zënë vendin konkurseve të poezisë dhe historisë.
Ndërkaq, tek të rriturit ka humbur mundësia për t’u krenuar lidhur me studimet, me ndonjë libër, ndërsa titulli shkencor, që dikur gati adhurohej nga aplikuesit, duket tashmë si çështje “për punë” dhe nuk përbën më asnjë kënaqësi profesionale.
Në jetën e përditshme, pyetja e parë është: “a ke bërë ndonjë para”?, ndërkohë që rrezikon të përfundosh i injoruar nëse u flet për shqetësime që kanë të bëjnë me profesionalizmin, për përkushtimin në punë, për idenë se si mund të promovosh ide të reja. Por, ndoshta rrezikon më shumë të përfundosh i tallur, nëse idetë e tua i lidh me atdheun, me të ardhmen, me të nesërmen.
Por pse kemi ardhur deri këtu, në këtë mungesë kufiri, në këtë mungesë orientimi?
Sepse sot janë të pakta institucionet që kanë mundur të mbeten të pakontestueshme. Ata që paguhen për të dhënë mendime, thuajse kanë heshtur, ndërkohë që një pjesë vijon të mbetet ende peng i së kaluarës së sistemit të shkuar, për shkak të dosjeve që i kanë mbetur pezull, me frikën se dikush do t’ia përdorë. Kjo mungesë e së vërtetës në komunikimin e shoqërisë ka bërë që të ndërtojmë një komunikim të gënjeshtërt e, për pasojë, edhe të kemi referenca të gënjeshtërta, që shpesh nuk na japin asnjë zgjidhje për konfliktet, qofshin këto politike, sociale apo ekonomike, duke lënë gjithçka në kufirin e rrjedhës, çka e bën të pamundur zgjidhjen përmes logjikës. Pasi kur mbetesh në duart e rastësisë, atëherë më shumë do të anosh nga forca sesa nga mendja.
Për të shmangur këtë situatë kaotike vlerash, i duhet hapur rruga një debati të vërtetë, duke nisur me të vërtetën për të djeshmen, e cila vijon të mbajë peng shumë nga ata që paguhen sot për të folur, por që dikush tjetër ua mban “kyçin e fjalës”.
* * *
Siç vëren një nga studiuesit më të njohur në botë për funksionimin e demokracisë, Tokvili, që nga aplikimi fillestar, ky sistem e ka vënë njeriun në një gjendje gati paradoksale: mes dëshirës për të qenë i lirë dhe nevojës për t’u drejtuar. Por, nga abuzimi që i bën vetë lirisë, njeriu rrezikon anarkinë, sidomos anarkinë e vlerave. Ndërkohë, abuzimi që mund t’i bëjnë të tjerët duke e drejtuar, mund t’ia heqin pikërisht vlerat e vërteta të lirisë themelore të njeriut, duke e shndërruar pushtetin në diktaturë, edhe pse formalisht mund të jemi në sistem demokratik.
Por, është vetëm bashkëjetesa me moralin dhe vlerat njerëzore që mund t’i japin lirisë dhe drejtimit kufirin e vet, kufirin që orienton qytetarët në bashkëjetesë me të tjerët dhe me ligjet. Por, për të arritur këtë, kemi nevojë të ngutshme për autoritete të besueshme, për të ruajtur vlerat, për të vlerësuar atë që na bën njeri e më pas qytetarë të dobishëm.
Personalisht njoh shumë nga ata që u mungojnë njerëzit rreth e rrotull me të cilët dëshirojnë të diskutojnë për një ëndërr, për një ide që e kanë dashur apo e duan ende. Njoh dhe dëgjoj ende shumë zëra që shqetësohen për të nesërmen, për të ardhmen e fëmijëve, për shkollat, për fqinjët. Dhe këta më bëjnë të besoj se nuk e kemi humbur trenin e kufijve që ruajnë lirinë tonë, pa e shkëmbyer atë me humbjen e çdo lloj turpi apo vlere.
Por, nëse nuk bëjmë diçka për të sqaruar vlerat, për të saktësuar atë që është e mirë për ne dhe këtë vend, rrezikojmë që të dorëzojmë pak e nga pak edhe lirinë, duke u bërë skllevër të sistemit që të çon drejt xhepit e jo drejt mendjes. Ndaj, për të mos qenë pa busull në këtë det lirie dhe mundësish që na jep sistemi, duhet të ndërtojmë sistemin e duhur të vlerave, që të mos jemi skllevër të nevojave.
© Panorama.al












