Ankimimi i Partisë Demokratike mbi votimin në komunën e Shalës nuk arriti të merrej në shqyrtim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Rrëzimi i këtij ankimimi erdhi për arsyen e thjeshtë sepse nuk u arritën katër votat e nevojshme për ta marrë në shqyrtim, dhe në këtë mënyrë, e vetmja mundësi për Partinë Demokratike për të ndjekur ankimimin e saj për procesin në Shalë do të jetë vetëm Kolegji Zgjedhor. Ankimimi mori vetëm 3 vota, ndërkohë që kuorumi duhet të formohej nga 4 votat e anëtarëve të këtij komisioni, kjo pasi mungonin anëtarët Hysen Osmani dhe nënkryetarja Dëshira Subashi. Pas një debati mbi procedurën e kërkesës së PD-së, kërkesa u hodh në votim dhe doli rezultati 3 me 2 për marrjen në proces të saj, por që mungesa e votave rrëzoi automatikisht kërkesën e PD-së. Përfaqësues të Partisë Socialiste në KQZ, në fillim të mbledhjes e kanë kundërshtuar autorizimin e përfaqësuesit të PD-së, Ivi Kaso, i ngarkuar për të ndjekur procedurën ankimore. Duke iu referuar nenit 26 të Kodit Zgjedhor, anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ thanë se përfaqësuesi i çdo subjekti nuk ka të drejtë të lërë zëvendës të tij. Përfaqësuesit e opozitës deklaruan se detyra e lënë nga KQZ-ja nuk është plotësuar saktësisht dhe PD-ja nuk ka një përfaqësues sipas Kodit Zgjedhor për të ngritur ankimim kundër vendimit të KQZ-së në Kolegj. Sipas anëtarit të KQZ-së, Artan Lazaj, në bazë të nenit 26 të Kodit Zgjedhor, përfaqësuesi i çdo subjekti nuk ka të drejtë të lërë zëvendës të tij, ndaj, theksoi ai, kërkesa e PD-së nuk duhet pranuar si e paplotë. Por kjo solli një debat të ashpër disa minutash mes Ivi Kasos dhe përfaqësuesve të opozitës, Pandeli Varfi dhe Artan Lazaj, dhe me hedhjen në votim, kërkesa u rrëzua nga mosplotësimi i numrit të nevojshëm. Përfaqësues të PD-së, pas mbledhjes, thanë se do të shikojnë mundësitë ligjore për ta çuar ankimin në Kolegjin Zgjedhor. Partia Demokratike ka vetëm 5 ditë afat për të vendosur nëse do ta dërgojë procesin e votimit të komunës Shalë në Kolegj Zgjedhor. Më 21 gusht, në komunën Shalë u mbajtën zgjedhjet për kryetar, ku pas numërimit të votave në KQZ, fitues u shpall kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Bale Vuksani, me 644 vota, kundrejt rivalit të tij të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Dedë Tonaj, me 642 vota.
Shala mban “peng” zgjedhjet
Përsëritja tri herë e zgjedhjeve në komunën e vogël dhe të largët të Shalës ka shtyrë më se një muaj shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve lokale. Sipas ligjit, me përfundimin e procesit në të gjithë vendin, KQZ duhet të shpallë zyrtarisht fundin e procesit zgjedhor dhe të shpallë një raport final, por kjo gjë ka qenë e pamundur për shkak të komunës Shalë. Në këtë komunë zgjedhjet u përsëritën tri herë, pasi ka pasur tensione të mëdha mes kandidatëve dhe militantëve partiakë. Ndonëse një komunë e largët ku mungojnë rrugët e makinave dhe ka vetëm 5 fshatra, ajo ka qenë një mollë sherri, e cila ende mban peng rezultatin zyrtar të zgjedhjeve lokale të 8 majit.











