Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, më pak se kurrë më parë arriti të mbronte fitoren e pamundur të Bashkisë në zgjedhjet e 8 majit, gjatë një interviste që dha të enjten për gazetarin Balla te Top Channel. Problemi kësaj here nuk ishte thjesht te pamundësia e argumenteve për të justifikuar këtë humbje. Jemi mësuar me këtë shterim të përditshëm që prej mesit të majit e deri më sot. Po aq nuk ishte dhe te mbështetja te mjetet e opozitës për të mbrojtur një gjë të humbur. Problemi ishte te një prodhim që ai ka bërë kujdes të ngjizë ditë pas dite e vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjesh, se Bashkia e Tiranës është një domen i Edi Ramës, një trashëgimi, e cila nuk duhet të preket as me zgjedhje, as me vota, as me vullnet qytetarësh. Edhe vetë ai është klimatizuar me këtë ide sa i është bashkuar, siç i bashkohet çdo besimtar udhës së vetme. Ai, edhe e ka shpikur, edhe është bërë ithtar i këtij besimi që Bashkia duhet drejtuar vetëm prej tij, dhe nga askush tjetër.
Edhe parmbrëmë këtë vazhdonte të besonte. Nuk i dukej fare e natyrshme dhe me rend që një ditë ai nuk do të ishte kryetar bashkie. Kjo ngulitje që ka hapur brazda për dhjetë vjet rresht në koshiencën dhe subkoshiencën e tij, është vështirë të riparohet.
Edi Rama e ka qeverisur Tiranën për tri mandate. Të gjithë e dinë që ka pasur efektivitet si kryetar për një mandat. Dy të tjerat i ka përdorur politikisht dhe financiarisht për të kapur kreun e partisë më të madhe të së majtës. Pra Bashkia ka qenë “zana” e Ramës dhe Rama ka qenë “Halili” që do të zaptonte PS-në. E mirëkuptojmë shumë mirë se për kaq vite dhe për kaq bashkëpunim mes tij dhe Bashkisë, normalisht që krijohen edhe lidhje të forta, që bëhen edhe emocionale. Jo më kot ai e kishte zyrën edhe studio për pikturat e veta, që në një rast tjetër shëmbëllente me kopshtin e shtëpisë në fshat ku rriteshin dy breshka.
Por, ndërkaq, jemi në gjendje të kuptojmë se sa e rrezikshme bëhet një ndjesi e tillë, e cila stimulon mbajtjen e një pushteti pa fund, derisa ndarja me këtë pushtet kthehet në një dramë të brendshme me synimin për ta shpërndarë si dramë edhe te qyteti, te qytetarët, votuesit, militantët dhe të gjithë të tjerët.
Ndjesia e pushtetit mbi diçka ndërthuret me ndjesinë e pronës, bile e furnizon shumë këtë të fundit. Edhe situatat intime që prodhohen në këto ambiente vijnë prej kësaj ndjesie. Nuk është problem i madh për shoqërinë kur kjo ndodh në zyra publike që prodhojnë pushtete apo shërbime të vogla, pasi ndjesia e pronës nuk reflekton thelbësisht te jeta e qytetarëve, por nuk krijon as probleme për demokracinë.
Në zyra të mëdha, kjo sjellje apo vetëndjesie krijon tjetër histori. Edi Rama e ka reflektuar këtë gjë. Në shtatë vite ai ka takuar vetëm dy herë të vetmit kryetarë minibashkish të djathtë që kishte Bashkia e Tiranës, atë me numër 8 dhe atë me numër 11. Është shumë pak për aq probleme ekstreme sa reflektojnë sot këto dy minibashki, njëra e mbushur me ndërtime informale, pra gjithkush ndërton gjithkund, dhe tjera e shpallur rezervat në mes të Tiranës, askush nuk mund të ndërtojë askund. Edhe me të tjerët ka folur shumë pak për hallet e qytetit, edhe pse ai ka pasur pjesë në pronë.
Megjithatë, besohet se problemet që lindnin prej Ramës nuk do të përsëriten më. Ai është larguar prej aty bashkë me depozitën e madhe të të ndjerit zot i Bashkisë së Tiranës prej nga nuk kishte burrë ta nxirrte.
Do të kishte qenë më mirë që të ishte liruar prej asaj depozite, e cila do t’i shkaktojë probleme edhe në krye të PS-së. Ta merrte më lehtë largimin prej kryetarit të Tiranës dhe ta shikonte si një normalitet në demokraci edhe humbjen. Se fundja, demokracia është edhe menaxhim i humbjes, jo vetëm i fitores.
Ka qenë bindje e tij dhe jo e qytetarëve se ai do ta drejtojë gjithë jetën Tiranën. Nuk i ka ndodhur asgjë Tiranës se Rama nuk është më kryetar i Bashkisë. Në demokraci edhe humb, edhe fiton. Në diktaturë pushteti mbahet me çdo kusht. Ka vetëm një ndarje, ajo e Ramës prej udhës së vetme, që ishte fund e krye Bashkia.
© Panorama.al












