Muamar Gedafi bëhet një nga njerëzit më të kërkuar në botë

Jun 28, 2011 | 10:40

Muamar Gedafi u bë dje një nga njerëzit më të kërkuar në botë, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës e nxori në kërkim ndërkombëtar.Mandatet e arrestit nga Gjykata e Hagës dolën për Muamar Gedafin dhe djalin e tij, Seif al-Islam, si dhe kreun e shërbimeve sekrete, Abdullah al-Sanousi, me akuzën e krimeve kundër njerëzimit. Në mandat thuhet se ata kanë orkestruar vrasje, plagosje, arrestime dhe burgosje të qindra civilëve gjatë 12 ditëve të para të protestës. Forcat kundër Gedafit u frymëzuan pas kësaj dhe u afruan më shumë se kurrë në rajonin perëndimor pranë kryeqytetit të Libisë, duke arritur në qytetin strategjik Bir al-Ghanam, ku ende po luftojnë me forcat e Gedafit për të marrë kontrollin e qytetit. Rebelët u afruan dje 80 kilometra larg Tripolit, fortesë e Gedafit dhe besnikëve të tij. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, ka përshëndetur urdhër-arrestin dhe ka vlerësuar se vendimi është një sinjal i qartë se diktatorët dhe dorasit e tyre nuk qëndrojnë jashtë ligjit. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, tha në Bruksel se ka një izolim gjithnjë e më të dukshëm të regjimit në Tripoli. Ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hague, kërkoi nga të besuarit e Gedafit ta braktisin atë ose të dalin para drejtësisë. Ndërkohë, në qendrën e kryengritësve, në Benghazi, vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare u prit me brohoritje dhe të shtëna në ajër për të festuar. Bori makinash dëgjoheshin nëpër rrugët e Benghazit, vetëm pak sekonda pasi Gjykata Ndërkombëtare shpalli urdhër-arrestin. Flamujt e rebelëve libianë valëviteshin nëpër dritaret e makinave dhe nga këmbësorët. Qëkur nis rebelimi në Libi në muajin shkurt, Benghazi u bë kryeqendra e rebelëve. Drejtuesit e tyre thanë se ekziston ende plani për t’iu afruar Tripolit nga shumë rrugë, për të mundur mbështetësit e Gedafit dhe për ta paraqitur atë para rebelëve brenda qytetit.

NATO

Aleatët e NATO-s po shqetësohen për mbarëvajtjen e misionit dhe jetëgjatësinë e tij. Ata dje mbushën 100 ditë në Libi. Edhe pse në pjesën lindore të vendit ata mbështeten nga rebelët dhe vlerësohet se ndërhyrja e tyre ka dobësuar forcat e Gedafit, dhe në Tripoli vazhdojnë bombardimet edhe mbi rezidencën e liderit libian, televizioni shtetëror i akuzoi ata për vrasjen e 15 civilëve në kryeqytet.

© Panorama.al

Te lidhura