
Vijnë në Berat për muaj mjalti, dhunë mes bashkëshortëve irlandezë. Kërkesa e divorcit dhe debati për ndarjen e pasurisë pak ditë pas martesës duket të ketë qenë shkaku i keqtrajtimit që 63-vjeçari Polket Doyel ka kryer ndaj gruas së re, Natalia Doyel, 56 vjeçe. Çifti ishte nisur nga Dublini për të kaluar disa ditë pushimi në qytetin e Beratit, por ka përfunduar në spital e më pas në Policinë e rrethit.
Ka qenë ora 12:00, pas një debati shumë të rëndë midis çiftit irlandez, burri ka nisur të ushtrojë dhunë ndaj së shoqes, duke i shkaktuar asaj fraktura të shumta. Sipas denoncimit të 56-vjeçares, ata janë përleshur mes tyre dhe më pas bashkëshorti e ka goditur me mjete të forta në këmbën e djathtë, në krah dhe në pjesë të tjera të trupit. Ngjarja është zhvilluar në ambientet e një hoteli në qendër të qytetit ku ishte ndalur çifti. Menjëherë gruaja ka kërkuar ndihmë, duke u transportuar drejt spitalit të Beratit me urgjencë për të marrë ndihmën mjekësore. Fillimisht ajo është dërguar në urgjencën e spitalit e më pas i janë kryer disa grafi për të parë dëmtimet e marra në trup. Sipas mjekëve të urgjencës, bëhet e ditur se gruaja kishte pësuar fraktura të shumta, kryesisht në gjymtyrë. Më pas ajo është shoqëruar te mjeku ligjor, ku ka marrë edhe një raport mjekësor mbi gjendjen.
Siç mësohet nga burime të Policisë së Beratit, 56-vjeçarja irlandeze ka treguar para oficerëve gjyqësorë se shkak i sherrit të djeshëm ka qenë një mosmarrëveshje në lidhje me pasurinë. Ajo ka treguar se i ka kërkuar divorcin bashkëshortit të saj pas një muaji martese. Mësohet nga Policia se 56-vjeçarja ka qenë e martuar më parë me dy persona të tjerë dhe pas një kohe shumë të shkurtër i kërkonte divorcin, duke u marrë dhe gjysmën e pasurisë. Këtë veprim ka dashur të bëjë dhe me bashkëshortin e tretë, Polket Doyle, 63 vjeç. Por, në momentin kur gruaja i ka kërkuar divorcin, bashkëshorti saj është acaruar aq shumë, sa nuk ka kursyer as forcën duke ushtruar dhunë mbi të. Në polici mësohet se ai ka thënë se nuk e priste këtë veprim të bashkëshortes. “Ne erdhëm në qytetin e Beratit si një nga ëndrrat tona për sa i përket bukurisë së rrallë që i ka falur natyra, ndërsa ajo më kërkon divorcin dhe gjysmën e pasurisë”. Ky ishte dhe motivi, sipas burrit, i ngjarjes që bëri jehonë dje në qytetin e Beratit.
Burrë e grua lihen të lirë
Burime të Policisë thanë për gazetën se me të marrë sinjalin, forca të saj kanë mbërritur menjëherë në spital, ku kanë kryer të gjitha veprimet procedurale. Pas denoncimit të 56-vjeçares, policia ka shoqëruar në Komisariat edhe bashkëshortin e saj, Polket Doyel. Pas marrjes në pyetje për ngjarjen e ndodhur, ai pas disa orësh është lënë i lirë. Burime të Policisë bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e 56-vjeçares nuk është cilësuar shumë e rëndë, veç disa frakturave. Gruaja është shoqëruar drejt Rinasit, prej nga do të fluturojë për në Irlandë. Policia ka njoftuar për ngjarjen edhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar.
BERAT/ DILAVER XHELILI











