Më në fund, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve del hapur kundër reformës në fushën e Trashëgimisë Kulturore, ndërmarrë nga këshilltari i Kryeministrit, arkeologu Neritan Ceka dhe drejtori aktual i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe. Mjaftuan ca deklarata mediatike të Cekës, që kritikonin punën e MTKRS-së në këtë drejtim, që institucioni të pozicionohej. Ka qenë zëvendësministri Nikoll Lesi, i cili dje pati një komunikim për mediat. Ai u shpreh se u detyrua t’i përgjigjej publikisht Cekës pas disa deklaratave, ku shprehet se MTKRS po punon kundër politikave të qeverisë për reformimin e këtyre sektorëve. “Më duhet t’i them z. Ceka se të dyja palët, ju si këshilltar i Kryeministrit, e ne si ministri, që kemi të njëjtin Kryeministër, ndaj nuk ka përse të akuzojmë njëri-tjetrin, aq më tepër ju me akuzat e egra ndaj nesh, ndërkohë që mund të zgjidhen duke dialoguar e debatuar, ndonëse akuzat tuaja janë kryekëput të pasakta e në mos keqdashëse. Reformimi, sidomos i Institutit të Ruajtjes së Monumenteve, nuk ka nevojë për centralizim siç kërkoni ju dhe ndonjë drejtor, por për decentralizim. Më lejoni t’ju them se ndonëse që prej tre muajve pa ministër, përsëri të tre zv/ministrat që jemi në detyrë e të gjithë stafi i Ministrisë po punojnë shumë për të krijuar kushte sa më të mira për turistët, për të cilat krenohet me të drejtë qeveria, Kryeministri e ju zoti Ceka”, u shpreh Lesi, duke fajësuar Ministrinë vetëm për një fakt, që ka lejuar në detyrë drejtues të cilët e kanë kaluar moshën e pensionit. “Ne si Ministri kemi bërë një gabim. I vetmi gabim është se nuk kemi zbatuar një vendim të Këshillit të Ministrave për largimin nga detyra të gjithë drejtorëve e këshilltarëve që kanë mbushur moshën e pensionit”, tha ai, duke shtuar se me ardhjen e ministrit të ri, do të ndërmerret pikërisht ky hap.











