Mblidhet Komiteti Ndërministror i Emergjencave

Feb 7, 2012 | 18:36

TIRANE- Me urdhër të kryeministrit Sali Berisha, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ka mbledhur sot Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, nisur nga situata e rënduar në disa zona të vendit, si pasojë e motit të keq.

Në fjalën e tij, ministri Nishani e cilësoi situatën si shumë të rëndë, ndërsa tha se tashmë janë ngritur të gjitha Komitetet Rajonale të cilët do të japin informacion të vazhdueshëm për situatën, me qëllim ndërhyrjen sa më të shpejtë për dhënien e çdo ndihme.

Nishani adresoi të gjitha detyrat për ministritë dhe drejtoritë e tjera, duke e cilësuar si një nga detyrat më të rëndësishme koordinimin e punës me drejtoritë rajonale.

Ministria e Brendshme tha ai, do të sigurojë  mjetet e transportit me kalueshmëri të lartë që tu vihen në dispozicion shtabeve të emergjencave rajonale.

Policia duhet të shtojë masat e kontrollit, sidomos në zonat me rrezik të shtuar si dhe duhet të rritet gadishmëria e forcave të ndërhyrjes së shpejtë në zonat me vështirësi.

Sipas Nishanit, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale duhet të përgatisë stogun e nevojshëm ushqimor për të përballuar të gjitha rastet ku do të kërkohet ndërhyrja. Duhen marrë masa për përgatitjen e paketave për komunitetin e prekur. Të gjitha mjetet logjistike dhe njerëzore të Drejtorisë të vihen në dispozicion.

Ministria e Mbrojtjes, vazhdoi ministri, duhet të zhbllokojë dhe të vejë në dispozicion pesë borëpastruese, 2 nga të cilat do të përdoren për mbajtjen hapur të Rrugës së Kombit, ndërsa  të tjerat do të shpërndahen në zona të tjera problematike.

Po ashtu, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura duhet të këtë në gadishmëri dhe të ketë në dispozicion të gjitha mjetet, si dhe duhet angazhuar njësia e helikopterëve për ndërhyrje nga ajri në rast nevoje.

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit duhet të sigurojë mirëmbajtjen e akseve rrugore të prekura nga dëbora, përdorimin e kripës dhe skories. Ministria e Bujqësisë të jetë në gadishmëri të plotë, ndërsa duhet të sigurojë rezerva për gjënë e gjallë. Ministria e Shëndetësisë, e cila ka nisur punën duhet të sigurojë medikamentet e nevojshme. Të sigurojë furnizimin e plotë në ato vende që do të ketë kërkesa. Shumë e rëndësishme të jenë në gadishmëri mjekët dhe infermierët për të ndërhyrë në çdo rast. Ministria e Arsimit ka nisur punën përmes komunikimeve dhe udhëzimeve. Ky Komitet kërkon të mbahet nënkontroll procesi i mësimdhënies.”- theksoi Nishani.

Ai kërkoi edhe nga Operatori i Sistemit të Transmetimit të mbajtjë në gadishëmri linjat e transmetimit. Gjithashtu,  kërkohet bashkëpunimi me CEZ, pasi furnizimi me energji kërkon një angazhim total, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura