Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, ka bërë një denoncim për dy doganierë në Sarandë, tek ka parë që kanë marrë një “dhuratë” nga një emigrante shqiptare.”Nëpërmjet pikës doganore të Qafë-Botës jam kthyer me automjetin tim me targë TR 3524 R, të markës ‘Citroen’, nga shteti grek, Korfuz, ku isha me pushime së bashku me familjen time, bashkëshorten dhe djalin. Gjatë pritjes në radhë të automjeteve dallova një doganier dhe një punonjës të policisë, të cilët i afroheshin çdo makine që priste në radhë duke biseduar me drejtuesit e automjeteve. Kur iu afruan automjetit që gjendej në krahun tim, i cili ishte me targë të huaj, italiane, i drejtuar nga një shtetas italian, i shoqëruar nga një shtetase shqiptare dhe që kishte disa kuti mbi tavanin e autoveturës, si dhe duke parë se sjellja ndërmjet punonjësit të doganës, drejtuesit të automjetit dhe gruas shqiptare nuk dukej aspak formale, aq sa gruaja po ndihej në siklet ç’po i thoshin ata, u bëra kureshtar dhe hapa xhamin e makinës të dëgjoja se çfarë po diskutohej ndërmjet tyre. Në këtë moment dëgjoj bashkëbisedimin e tyre me shtetasen shqiptare që ndodhej në makinë me shtetasin italian. Ky zotëria iu drejtua shtetases shqiptare, duke i thënë: ‘Me çfarë i ke këto kuti sipër makinës?’. Gruaja i përgjigjet: ‘Kam disa dhurata për familjarët e mi, pasi po shkoj në shtëpi në Vlorë’. Ky zotëria i thotë: ‘Vetëm për familjen tende paske dhurata, për ne nuk paske?’. Gruaja i përgjigjet: ‘Kam 23 vjet e larguar nga Shqipëria dhe i kisha harruar këto tradita. Do që t’i hap këto kutitë sipër?’. Zotëria i doganës i përgjigjet: ‘Jo, jo, lëre. Mos i hap fare, por këto tradita nuk duhen harruar’. Ndërkohë, shtetasi italian doli nga makina dhe e pyeti gruan. Ajo i përgjigjet italisht: ‘Asgjë, por zotëria kërkon një dhuratë’. Në këtë moment gruaja futet në makinë, nxjerr një shishe shampanjë dhe ia jep këtij zotërisë. Zotëria e merr dhe i thotë: ‘Ja, kështu po’. Zonja dhe italiani u futën në makinë dhe po bëheshin gati për t’u nisur, ndërkohë që ky zotëria, shishen e shampanjës e la rreth 2 metra larg makinës, në tokë. Në këtë moment unë dola nga makina dhe shkova drejt zotërisë së doganës, duke i thënë: ‘Të të vijë turp! Ti qenke rrugaç. Përse e more atë?’. Në momentin e parë ai u përgjigj duke më thënë se ia kishte dhënë vetë zonja dhe pastaj me tha: ‘Më fal, ishte lapsus’. Unë iu drejtova përsëri duke i thënë: ‘Merre përsëri çfarë u more atyre nga aty ku e le dhe ktheja mbrapsht zonjës’. Zotëria shkoi, e mori dhe ia dha zonjës shishen e shampanjës dhe duke m’u drejtuar me fjalët: ‘Bëra gabim, të kërkoj falje’. Në këtë moment dolën miqtë e mi nga makina, Krenar Canollari, kryetar i Njësisë Bashkiake Nr. 6, Tiranë, drejtuesit e automjeteve përreth, drejtuesi i automjetit italian si dhe kjo zonja shqiptare. Unë iu drejtova italisht drejtuesit italian të automjetit, duke i thënë: ‘Bëtë shumë gabim që i dhatë ryshfet këtij zotërisë’. Më pas u ktheva drejt makinës time. Drejtuesi italian i automjetit erdhi te makina ime duke më thënë: ‘Të lutem, nuk duam probleme. Ne donim vetëm të kalonim kufirin’. Pas kësaj unë hipa në makinën time dhe vazhdova për të kryer procedurat në pikën e kalimit kufitar të Qafe-Botës. Pasi kalova pikën doganore, u drejtova për në Komisariatin e Policisë Sarandë, për të denoncuar faktet që ndodhën në këtë pikë të kalimit kufitar, për të cilat unë u bëra dëshmitar”, tregoi deputeti Tahiri. Nga burime të “Panoramës” mësuam se Policia e Sarandës ka nisur hetimin për doganierët ishin F. M dhe A. B.
Sarande / Shpresa Dine











