Moratoriumi i skafeve, rrëzohet projektligji i PS

May 30, 2012 | 12:58

Komisioni i sigurise

Debat në Komisionin e Sigurisë për propozimin e PS.

Gaçi: E ardhmja është turizmi bregdetar. Peka: Rrezikojmë liberalizimin e vizave.

Komisioni Parlamentar i Sigurisë ka rrëzuar dje me 10 vota kundër dhe 9 pro propozimin e Partisë Socialiste për shfuqizimin e moratoriumit të skafeve. Drafti i propozuar nga opozita është paraqitur nga deputeti Artan Gaçi, i cili e ka quajtur aspak të dobishëm mbajtjen në fuqi të këtij moratoriumi që është shndërruar në pengesë për turizmin bregdetar. Sipas Gaçit, tashmë strukturat e Policisë Kufitare dhe sistemet e përdorura për monitorimin e vijës bregdetare hedhin poshtë rëndësinë e mbajtjes në fuqi të moratoriumit të mjeteve lundruese. “Kam dëgjuar dhe prononcime ku flitet për disa skafe. Këtu flitet për të ardhmen e Shqipërisë. Nuk është ideja se ka njëri apo tjetri skaf. A preket një kategori e vogël qytetarësh? E ardhmja e Shqipërisë do të bazohet aty ku bazohet e ardhmja e vendeve të tjera të Europës, Greqia, Franca, që kanë dalje në Mesdhe. E ardhmja e Shqipërisë është turizmi bregdetar dhe nuk do të jetojë Shqipëria as me shfrytëzimin e maleve dhe as me shfrytëzimin e këtyre pak tokave ish-këneta që kemi”, theksoi deputeti i PS-së. Por, sipas zv.ministrit të Brendshëm, Avenir Peka, moratoriumi i skafeve është vlerësuar nga raportet e ndërkombëtarëve si një ndër sukseset kryesore të luftës ndaj trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike. Sipas tij, nuk mund të rrezikohet futja e Shqipërisë në listën e vendeve problematike për menaxhimin e kufijve, për shkak të një numri të kufizuar të personave që disponojnë mjete lundruese. “Qeveria ka pasur një parim kur ka marrë këto masa, që lidhet me sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe liberalizimin e vizave. Parim që nuk mund të rrëzohet për hir të 00.001% të shtetasve shqiptarë që disponojnë mjete lundruese. Dhe Për këtë fakt nuk mund të sakrifikojë të ardhmen e 99.999%  qytetarëve të tjerë. Dhe Shqipëria deri tani ka bërë performancën më të mirë nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, dhe nuk kemi ndër mend të çedojmë në asnjë moment që është në interesat e qeverisë shqiptare dhe publikut shqiptar. Pretendimet nuk qëndrojnë. Kam ardhur të shpreh qëndrimin e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit në mbështetje të vazhdimit të moratoriumit”, deklaroi zv.ministri i Brendshëm. Por, sipas nënkryetarit Gjoni, moratoriumi është diskriminues për qytetarët që disponojnë mjete lundruese. “Këtu është krijuar një kundërshti logjike: ose duhet të pranojmë moratoriumin, ose të pranojmë sukseset. Dua t’ju theksoj se dhe ajo 0.001% e popullsisë ka vlerë demokracie dhe në këtë shoqëri, dhe ata nuk duhen diskriminuar. Ky është parimi demokratik në çdo shtet normal”, theksoi Gjoni.

IRONIA
Deputeti i PS, Piro Lutaj, ka ironizuar dje qëndrimin e qeverisë për mospranimin e shfuqizimit të moratoriumit të skafeve për shkak të trafikut të narkotikeve. Lutaj theksoi se qeverisë në këtë pikë i mbetet vetëm të vendosë një moratorium për mjetet motorike dhe motoçikletat. “Për këtë mjafton t’ju tregoj rastin kur disa qytetarë të huaj kanë shkuar me motoçikleta dhe kanë parë një fshat shumë normal, por që kishte shumë bar”, tha Lutaj.

Krahasimi
Anëtari i Komisionit të Sigurisë, Asllan Dogjani, e quajti moratoriumin e skafeve si ligjin e klasave në kohën e komunizmit. Sipas tij, qeveria, për të parandaluar trafikun, duhet të merret me burimin, pastaj me pasojat. “Kjo më kujton edhe luftën e klasave, ku penalizohej gjithë fisi e familja. Edhe ne sot po penalizojmë Shqipërinë, pasi nuk ka pasur respekt për parandalimin e drogës në trafikimin italian”, tha Dogjani.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura