Monumentet, s’ka listë të objekteve me qira

May 9, 2012 | 15:25
Komisioni Parlamentar i Arsimit dhe Medias

Vetëm dy ditë pasi Forumi në Mbrojtje të Trashëgimisë lëshoi prej Kalasë së Lezhës edhe një herë apelin kundër “kthimit në motele” të monumenteve, ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi raportoi para Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Kishte muaj që Komisioni kishte kërkuar këtë raportim nga ana e Bumçit për projektin e bujshëm për “rijetësimin e monumenteve të kulturës”, që ka ngjallur jo pak debate, pasi ky plan parashikon dhënien me koncesion të disa monumenteve, subjekteve private. Gjatë takimit të djeshëm, Bumçi ofroi një material për mbështetjen ligjore të projektit, eksperiencat e ngjashme në vende të ndryshme të Europës, por nuk u paraqit një listë me monumentet që janë parashikuar të jepen me qira. Qysh se ky projekt filloi të konturohej dhe të promovohej, nga MTKRS u fol për një numër 30-40 monumentesh, ndërsa dje Bumçi nuk dha asnjë shifër, madje u shpreh se do të tregoheshin shumë të kujdesshëm, duke dhënë si fillim një numër të vogël objektesh, për të parë ecurinë e mëtejshme. Gjatë seancës së djeshme, Bumçi iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, sidomos në aspektin ligjor, ku mbështetet projekti. Deputeti i djathtë Mark Marku u interesua për simbiozën monument-shërbime. “Sistemi i shërbimeve do të jetë brenda objektit kulturor apo do të jetë jashtë objektit kulturor. Dua të di nëse objekti kulturor do të jetë në varësi të shërbimeve apo shërbimet në varësi të objektit kulturor. Kemi rastin e Kalasë së Petrelës, e cila faktikisht nuk është një kala por një lokal i rrethuar me muret e kalasë. Asgjë për trashëgiminë nuk të flet ajo kala”.
Debatet
Ashtu si edhe parashikohej, projekti pati oponencë nga deputetët e opozitës, të cilët, duke iu referuar eksperiencave të mëparshme dhe konkretisht Kalasë së Lëkurësit dhe të Petrelës, u shprehën se ky është një projekt shkatërrues. Por duket se në këtë rast deputetët e opozitës i “dolën në shteg” Bumçit, i cili i përdori këto raste në favor të vet. “Në momentin që përdorni fjalët nisma të rrezikshme apo të frikshme, nuk kemi asgjë ku të ndërtojmë një emërues të përbashkët. Nuk desha ta bëj, por kjo është kontrata që ka firmosur zoti Rama në vitin 2000 për Lëkurësin. Nëse ka bërë z.Rama diçka të rrezikshme dhe të frikshme, deputetët e nderuar dhe ekspertët e shoqërisë civile që kanë qenë drejtues, që kanë konceptuar këto kontrata, të shkojnë njëherë e të bëjnë protesta tek Partia Socialiste”, tha Bumçi. Deputetët socialistë shprehën shqetësimin për mënyrën se si do të procedohet dhe do të monitorohet ky projekt, sidomos kur në të të ndërhyjnë privatët. “Ai që synon të ndërtojë, do të shkojë të ndërhyjë me furçë e me lupë, si e kërkon arkeologjia apo me kazmë, me buldozerë apo me skrep për të ngritur restorante dhe hotele sipas një përvoje që, për fat të keq, ne e kemi provuar në këta 20 vjet”, tha deputeti socialist, Fatmir Toçi. Ndërsa deputetja Valentina Leskaj u interesua për destinacionin që do të kenë këto monumente. “Do marrë prioritet trashëgimia kulturore apo restorantet me qofte”. Ajo gjithashtu iu referua Kalasë së Lezhës, ku specialistët po vënë alarmin për betonizimin e saj. “Shqetësimi ynë është edhe cilësia e realizimit të kësaj nisme, sepse nëse si në rastin e Lezhës apo dhe vende të tjera do të hidhet beton, pa dyshim që trashëgimia kulturore merr fund”.

© Panorama.al

Te lidhura