Montobio, një guidë poetike për Shqipërinë

Jun 22, 2011 | 10:56

Që kur Shqipëria u hap për botën, kanë qenë të shumta guidat turistike të botuara, por një guidë poetike ama nuk ishte botuar asnjë më parë. Vetëm para pak ditësh në Spanjë është hedhur në qarkullim në rrjetin e librarive, në internet si edhe është promovuar në takime të posaçme gjatë Panairit të Librit, një libër kushtuar Shqipërisë me titullin “Guida poetike e Shqipërisë”. Ky botim është fryt i bashkëpunimit mes shtëpisë së njohur botuese spanjolle “Icaria” dhe “Botimeve Poeteka”. Në vendin e tij, Spanjë, autori është emër i njohur në Spanjë, pasi nuk është hera e parë që boton. Ndërsa për lexuesin në Shqipëri, ky emër përbën befasi, pasi Manuel Montobbion lexuesi shqiptar është mësuar ta shohë zakonisht nën petkun e përfaqësuesit diplomatik, që vetëm pesë vjet më parë themeloi dhe vuri në funksionim shërbim diplomatik të Spanjës në Shqipëri pas viteve ‘90. “Guida poetike e Shqipërisë” (Guía poética de Albania) është ftesë për një rrugëtim nëpër Shqipërinë historike, kulturore dhe gjeografike. Një rrugëtim në zemrën dhe shpirtin e Shqipërisë, dramës, miteve, universit të saj simbolik. Guida na udhëheq drejt 5 stacioneve: Tirana, Bunkerët, Burrneshat, Erërat e Shqipërisë dhe Qiejt e Shqipërisë. Është një simfoni më vete, me pesë lëvizje, përmes së cilave hyjmë në realitetin dhe përvojën e ngjarjeve të mëdha përcaktuese për Shqipërinë bashkëkohore, individët dhe referuesit e saj kolektivë, si dhe në çështjet dhe dëshirat e mëdha që shqiptarët përballin në botë. Por, pavarësisht nga trajtimi dhe titulli intrigues, kinse një giudë-udhëzues, libri mbetet poetik mbi të gjitha. Pjesë të zgjedhura të këtij libri tashmë janë botuar nga revista “Mehr Licht”, ndërkohë që si libër pritet të dalë së shpejti në qarkullim edhe në gjuhën shqipe, nën përkthimin e Mira Meksit dhe Lorida Demiraqit, sërish nën logot e “Botime Poeteka” dhe “Icaria”.

© Panorama.al

Te lidhura