
Kryeministri Berisha takon homologun e tij italian në Romë, e fton për 100-vjetorin e Pavarësisë.
“Duhet vullnet politik nga qeveria dhe opozita për reformat”
Kryeministri Berisha mori dje mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE nga homologu i tij italian, Mario Monti. Gjatë një konference për shtyp në selinë e Këshillit të Ministrave “Palazzo Chigi” në Romë, Berisha dhe Monti përforcuan idenë e vijimit të projekteve italiane në Shqipëri. “I kam shprehur vlerësimin tim Kryeministrit Berisha për të gjitha përpjekjet e kryera nga ana e qeverisë shqiptare për nisjen e paketës së reformave të duhura drejt rrugës së afrimit me Bashkimin Europian. Gjithashtu, është i domosdoshëm një vullnet i vendosur politik dhe një përkushtim konstant si nga ana e qeverisë, ashtu dhe nga ana e opozitës, për t’i lejuar Shqipërisë të kryejë progres të mëtejshëm, i cili kërkohet për përmbushjen e qëllimeve nga Bashkimi Europian. Kam konfirmuar se përsa i përket qeverisë italiane, ne do të mbajmë angazhimin tonë konstant dhe të fortë në favor të perspektivës europiane të Shqipërisë”, tha Monti gjatë konferencës për shtyp me Kryeministrin Berisha. Të dy kryeministrat, të cilët kanë njohje të vjetër për shkak të funksioneve që kanë mbajtur më parë, u shprehën të kënaqur për nivelin e marrëdhënieve dypalëshe, duke u angazhuar që të nxisin më tej bashkëpunimin ekonomik. Italia vazhdon të mbajë vendin e parë si partner ekonomik për Shqipërinë dhe shkëmbimet tregtare, siç tha Kryeministri italian, vazhdojnë të shënojnë rritje. “Pavarësisht nevojës në vazhdimësi të Italisë për të mbajtur nën kontroll shpenzimet publike, aktiviteti i Kooperacionit për Zhvillim në Shqipëri vazhdon të jetë i konsiderueshëm”, tha më tej Monti. Kryeministri shqiptar, nga ana e tij, foli rreth temave të diskutuara me homologun e tij italian.
“Diskutuam gjerësisht si t’i inkurajojmë investimet italiane në Shqipëri. Diskutuam për projektet e mëdha energjetike, diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe një theks të veçantë u vu në mbështetjen e Italisë për integrimin europian, mbështetje e cila ka qenë gjithnjë shumë e fuqishme”, u shpreh Berisha. Ai i bëri ftesë Kryeministrit Monti të vizitojë Shqipërinë. “Ne kremtojmë këtë vit 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit dhe ishte kënaqësi e madhe që një mik të shquar që e kam takuar në vitin 1996 si komisioner në Komisionin Europian, e takoj sot si Kryeministër dhe e ftoj të vizitojë vendin tim. Deri sot kam pritur të gjithë kryeministrat e këtij vendi mik, nga Betino Kraksi, Giulio Andreotti. Mos harroni se kam qenë 8 vjet në opozitë dhe jam i bindur se do të pres edhe Kryeministrin Mario Monti”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Napolitano: Shqiptarët nuk paragjykohen në Itali
Kryeministri Berisha, gjatë takimit me Presidentin Giorgio Napolitano në Quirinale, mori mbështetjen e tij dhe të Italisë në procesin e integrimit. Presidenti Napolitano shprehu vlerësimet më të larta për komunitetin shqiptar në Itali, duke theksuar se tashmë ai është një komunitet i mirintegruar, si dhe shprehu kënaqësinë që sindroma e paragjykimeve ndaj tyre tashmë është tërësisht e tejkaluar. Nga ana tij, Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen që populli italian i ka dhënë këtij komuniteti, jo vetëm komunitetit arbëresh, por veçanërisht në 20 vitet e fundit. Në këtë kuadër, Forumi i sotëm Ekonomik, i zhvilluar mes sipërmarrjeve italiane dhe shqiptare, ka një rol të madh në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike. Kryeministri e ftoi Presidentin Napolitano si një mik të ndërtuar të shqiptarëve që të marrë pjesë në festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











