Moikom Zeqo, i përjetësuar në panteonin e studiuesve më të shquar të kombit! Kontributi i çmuar në fushën e historisë dhe arkeologjisë

Jun 6, 2024 | 8:42
SHPËRNDAJE

Një ceremoni e veçantë u mbajt para pak ditësh në Durrës me rastin e vendosjes së emrit të personalitetit të njohur Moikom Zeqo parkut në ‘Lagjen 17’.

parku moikom zeqo

Në këtë ceremoni merrnin pjesë familjarë, të afërm, miq e kolegë të shkrimtarit, historianit, publicistit, studiuesit të njohur të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale të popullit shqiptar, njeriut erudit dhe veprimtarit politik, Moikom Zeqo. Emri i tij është i lidhur jo vetëm me Durrësin, të cilit, me veprën e tij të shumanshme, i dha nder e krenari, por në shkallë kombëtare e ndërkombëtare.

Që prej rinisë së hershme e deri në ditët e fundme të jetës, Moikom Zeqo ishte i pranishëm në shtypin e shkruar, me mendimin dhe kulturën e tij të gjerë. Ai është autor i 62 librave me poezi, studime arkeologjike për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma. Libra të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Moikom Zeqo ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e historisë dhe arkeologjisë duke përfaqësuar me dinjitet vendin tonë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare. Ai ka punuar shumë në drejtim të zbulimit dhe evidentimit të vlerave tremijëvjeçare të qytetit antik të Durrësit. Në nderim të këtij personaliteti të shquar të kulturës sonë kombëtare i vendosëm emrin e tij parkut në ‘Lagjen 17’, në hyrje të Durrësit, qytetit të tij të lindjes, të cilit ai i kushtoi një pjesë të madhe të jetës dhe veprimtarisë së tij kulturore e shkencore.

Moikom Zeqo është cilësuar si një erudit i shoqërisë shqiptare, për kontributin që ai dha midis dy shekujve, duke jetuar mes pasionit për letrat dhe arkeologjinë. Ndaj në 75 vjetorin e lindjes, kujtimi i Moikom Zeqos u rikthye në lagjen ku jetoi për vite të tëra, me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Zeqo lindi në Durrës më 3 qershor 1949 dhe vitet e para të karrierës së tij ja dedikoi qytetit bregdetar. Këshilli Bashkiak Durrës vendosi që në përvjetorin e lindjes së tij, të emërtonte një prej hapësirave kryesore urbane, zonën e gjelbër në hyrje të qytetit. Familjarët, përfaqësuesit e autoriteteve vendore dhe dashamirësit, mbollën gjithashtu një pemë ulliri në Parkun “Moikom Zeqo”, në kujtim të kontributit të tij. Ai u shuajt 4 vjet më parë, në mëngjesin e 15 qershorit 2020, duke u përjetësuar në panteonin e studiuesve më të shquar të kombit shqiptar. Zeqo u përball për disa vite me leuceminë akute dhe i kaloi javët e fundit të jetës midis apartamentit në kryeqytet dhe pavijonit të spitalit. Zeqo nuk reshti së publikuari poezi dhe publicistikë edhe në ditët e tij më të liga për nga shëndeti. “Fata Morgana” ishte metafora me të cilën e titulloi librin e fundit.

Që herët, me mbarimin e studimeve të larta në degën e Gjuhë-Letërsisë, ai punoi si redaktor letrar në gazetën “Drita”. Por shpejt pasionin për poezitë e ndërthuri me atë për arkeologjinë. Në vitin 1979 iu bashkua për 8 vjet Muzeut Arkeologjik të Durrësit, duke vijuar më tej si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Zeqo ishte ndër të parët që realizuan zhytje me qëllime njohëse të arkeologjisë nënujore në Shqipëri, pak të njohur deri në atë kohë.

Ndër vite ai ngriti zërin për dëmtimin e arkeologjisë në Shqipëri, e sidomos asaj në Durrës. Zeqo u kthye në një opozitar të projekteve publike dhe jo vetëm, të cilat dëmtonin trashëgiminë kulturore dhe shtresat arkeologjike. Eruditi Zeqo është edhe autor i 100 librave në poezi, prozë, eseistikë dhe publicistikë. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, si në anglisht, spanjisht, gjermanisht etj. Në kohën e lirë ai i përkushtohej edhe pikturës, e po aq kritikës së artit. Në vitet e para të pluralizmit politik ai u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Po në vitin 1991 u zgjodh deputet i Partisë Socialiste dhe shërbeu deri në vitin 1996, duke spikatur si një deputet me profil intelektual.

Pas shkëputjes nga politika ai u emërua drejtor në Muzeun Historik Kombëtar. Zeqo vlerësohet sot si një nga personalitetet më të njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik të ngjeshur dhe njihet si pionier i post modernizmit në letrat shqipe. Për kontributin e tij për kombin, ai është dekoruar më herët me Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Moikom Zeqo, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë më 15 qershor 2020. Nderim dhe mirënjohje për kontributin e tij në histori, publicistikë dhe artin shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura