Ftesa
Një profesoreshë shumë e nderuar, në leksionin e saj shkencor me doktorantë, trajtoi rolin e pazëvendësueshëm të Presidentit amerikan Udrou Uilson (Woodrow Wilson) në Konferencën e Paqes në Versajë, më 1919-n. Uilson ishte i pari president amerikan që vinte në Europë. Si shtet fitues i Luftës së Parë Botërore, Presidenti erdhi pa ftesë dhe me Projektin e tij me 14 pika përmbyste filozofinë politike dhe diplomacinë e koncertit europian prej një shekulli. Presidenti propozoi paqe kundër luftës. Marrëveshje të çiltra e transparente, nën vëzhgimin e publikut, kundër politikës së vjetër të kulisave diplomatike. Vetëvendosje në vend të ndarjes së zonave të influencës. Zgjidhje me drejtësi e çështjeve kombëtare, në vend të ekuilibrave, për interesat e disa Fuqive të Mëdha. Presidenti amerikan u nis dhe u shoqërua me një ceremonial të pazakontë dhe u prit po ashtu në Francë. Erdhi për pak kohë dhe qëndroi gjashtë muaj, sepse projektin e kundërshtonin kryeministrat anglezë e francezë, Lloid Xhorxh e Zhorzh Klemanso. Ishte një sjellje e re politike dhe diplomatike. Vlerat e demokracisë amerikane kanë qenë e janë frymëzuese për kombe, shtete, elita e popuj kudo në botë. Emigrantët shqiptarë të fillim shekullit të 20-të, elementët e parë të demokracisë i morën pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Federata “Vatra” e Nolit dhe Faik Konicës dhe gazeta “Kombi” e Sotir Peçit aty u ngjizën me shpirtin demokratik. Vlerat e tyre demokratike shërbyen për krijimin e institucioneve politike në Kongresin e Lushnjës, ku u rikonfirmua edhe shteti i pavarur shqiptar. Në një pushim, profesoresha më foli për një ftesë të bërë nga Partia Socialiste për 20-vjetorin e themelimit. “Po bashkëshorti im është i ftuar?” – i kishte pyetur profesoresha? “Për atë nuk dimë gjë”, – i ishte përgjigjur bashkëbiseduesi. Bashkëshorti i profesoreshës është një nga themeluesit e Partisë Socialiste, me kontribute të spikatura, me vlera morale e profesionale, por tashmë i papreferuar dhe i paftuar. “Ftesë demagogjike kjo”, – tha profesoresha. “Me thënë të vërtetën, bashkëshorti më ka ‘lidhur’ me Partinë Socialiste, por vetë ai nuk qenka i ftuar”, – belbëzoi ajo. Duke e dëgjuar, m’u kujtuan titujt e gazetave në prag të 20-vjetorit të PS-së. Ngjarja më e madhe e ditës në një gazetë ishte ftesa. “Rama fton Nanon”, titullohej shkrimi i madh në faqe të parë të kësaj gazete. Titulli i një tjetër gazete ishte: “Nano përgënjeshtron: Nuk kam ftesë”. Çfarë komedie! Nuk di përse në moment kalova nëpër mend FTESAT që Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuesit më të lartë të institucioneve europiane, por dhe ambasadorët e tyre në Tiranë, u kanë bërë drejtuesve të PS-së. Ftesa nr. 1: “Luftën politike zhvillojeni në institucionet politike legjitime”. Ftesa nr. 2: “Hiqni dorë nga organizimi i demonstratave”. Ftesa nr. 3: “Mos i njehsoni interesat e partisë apo të individëve me interesat e shtetit”. Ftesa nr. 4: “Respektoni vendimet e organeve gjyqësore”. Por, këto e të tjera ftesa u mbuluan nga harresa. Nga harresa e amoralitetit dhe papërgjegjshmërisë politike. Një ditë, pas ngjarjes së hidhur të 21 janarit, publikova një shkrim të titulluar: “Paralelizmi historik dhe dështimi politik”. Aty i bëja ftesë PS-së për të dëgjuar Zërin e Amerikës – (Voice of America). Por, kryetari, Kryesia, Opozita e Bashkuar e analistë të ndryshëm nuk i pranonin ftesat. Disa analistë në emisione televiziv edhe emrin i “ngatërronin” ambasadorit amerikan! Madje nuk di përse m’u kujtua edhe ftesa që Ngjela i bënte një grupi që tuboi në Kamzë për vjedhjen e votave nga Rama në zgjedhjet lokale të vitit 2003. “T’u japim leksione demokrate tiranasve”, – ftonte Ngjela. “Amerika nuk aspiron kurrë për të majtën”, – shtoi Ngjela në këtë takim. (Shkrimi im me titull: “Semaforët politikë”, 10 prill 2004 – ZP). Ndërsa mbas 8 vjetësh Ngjela i këshillon ambasadorët që të mos ngatërrojnë misionin e diplomatit me atë të politikanit. E çfarë marrëzie tjetër nuk kemi dëgjuar! Por tani gjërat kanë ndryshuar. Kryetari i PS-së dhe aleatët e tij i bëjnë ftesë faktorit ndërkombëtar, të cilin nuk e pranonin që të ndihmojë kryetarin për të mbajtur Bashkinë. Ftesë e vonuar!
Modeli i munguar
Shqipëria është vendi i fundit ballkanik që u shkëput nga Perandoria Osmane. Shqipëria ishte vendi i fundit në Ballkan që lejoi pluralizmin politik. Shqipëria është bërë vendi që po e lodh komunitetin ndërkombëtar me mentalitetin dhe sjelljen politike. Europa, para 100 vjetësh na ndau padrejtësisht si komb. Europa po na lutet që t’i bashkohemi familjes europiane! E çfarë nuk po përdor Europa për të vendosur normalitetin e institucioneve politike, por pa sukses. Institucionet politike dhe politikanët europianë tani po e humbasin durimin dhe me siguri që mendojnë se vendimi i 29 korrikut 1913, në Londër, për ndarjen e trojeve tona, paska qenë i drejtë. Shqiptarët nuk kanë aftësi vetëqeverisëse, mund të mendojnë ata! Politika po i zbeh vlerat tona kombëtare. Dhe kjo është me të vërtetë një situatë e patolerueshme. Analistë, politologë, gazetarë dhe qytetarë, të lodhur nga politika e sherrnajës, po kërkojnë një tjetër model politikëbërje, një tjetër model qeverisjeje. Për mendimin tim kjo është një situatë politike, aspak normale dhe e pamerituar për shqiptarët. Tradita jonë historike nuk duhet të njësohet me mentalitetin lindor, të diktuar nga 500 vjet të sundimit osman, dhe as me mentalitetin e partisë-shtet që zgjati 50 vjet. Ne kemi qenë dhe jemi europianë jo vetëm gjeografikisht, por edhe në mentalitet. Shteti ilir konkurroi me Romën dhe me Maqedoninë e Aleksandrit të Madh. Perandori Ilir Dioklecian drejtoi Romën dhe bëri reformën më të madhe të ndarjes administrative dhe në Ilirik. Perandori tjetër ilir i Bizantit, Justiniani, krijoi të drejtën juridike (Kodi Justinian). Në mesjetë, Arbëria, ishte në një hap zhvillimi me Republikën e Venedikut dhe Raguzën. Statutet e Shkodrës, Drishtit, Durrësit, Tivarit, Ulqinit, pse jo, dhe të Vlorës, janë dëshmia më e gjallë e kulturës së lartë juridike dhe e rregullimit të marrëdhënieve shoqërore nga ligji dhe jo nga normat zakonore. E përse sot ne jemi në këtë nivel? Përgjigjja vjen e thjeshtë dhe spontane. Kjo është përgjegjësia e klasës politike. Kjo situatë është rrjedhojë e mentalitetit të partisë-shtet që trashëguam, që synohet të implementohet në demokraci. Politika, si art i qeverisjes, është profesion, dhe si e tillë, ajo duhet të bëhet nga politikanët profesionistë, jo nga njerëz – pjellë e “inkubatorëve politikë” që kultivohen në selitë e kryetarëve, për t’iu shërbyer kryetarëve. Humbja më e madhe në këto 20 vjet demokraci është “vrasja” e besimit te institucionet demokratike. Partitë politike në demokracitë parlamentare kanë një rol të pazëvendësueshëm. Ato, si institucione politike kushtetuese, janë ndërmjetëse midis popullit dhe institucioneve politike të shtetit. Vlerat demokratike, morale e profesionale të institucioneve përfaqësuese partiake janë premisë pozitive për funksionimin e institucioneve shtetërore. Kjo bëhet edhe më imperative kur ende administrata shtetërore ndryshon sa herë bëhet rotacioni politik, një tjetër traditë negative kjo, e cila duhet kuruar. Problemi më shqetësues është përputhja e sjelljes politike të opozitës me atë të maxhorancës. Mirëpo modelet janë dhe duhet të jenë të ndryshme. Partia Demokratike që në themelim është projektuar me një lidership të fortë, që pak u beson institucioneve dhe normave statutore. Partia Socialiste u kultivua si një parti liberale edhe për faktin se në përbërje të saj kishte anëtarë të Partisë së Punës, të frustruar nga centralizmi “demokratik”. Fryma liberale shërbeu për të krijuar shumë personalitete politike, pavarësisht nga “bezdia” që i sillnin lidershipit, duke kultivuar elemente të demokracisë funksionale. Tani këto elemente në Partinë Socialiste janë zhdukur. Rama (i sotëm) imiton Berishën (e djeshëm). Por Berisha nuk mund të konkurrohet dhe as mund të mposhtet politikisht me metoda, të cilat vetë i ka krijuar. Madje, fjalori politik i tij ka ndryshuar, ka evoluar. Tani Berisha flet për respektimin e Kushtetutës, respektimin e institucioneve, respektimin e vendimeve të pushtetit gjyqësor, respektime… Pra, Berisha është bërë shumë i sofistikuar dhe më i qëndrueshëm politikisht se Rama. Për këtë arsye ai vlerësohet nga përfaqësues ndërkombëtarë si burrë shteti. Edhe brenda PD-së ka pakënaqësi ndaj sjelljes politike, por ka edhe besim, se me karizmën e Berishës merret dhe mbahet pushteti. Përkundrazi, në PS, ku sundon autoriteti i Ramës, heshtja që duket si bindje, nuk vjen nga besimi që ekziston te Rama. Socialistët, më shumë sesa te Rama, besojnë te pakënaqësia që zgjedhësit mund të kenë te qeverisja e PD-së. Rama ka arritur ta komandojë me gisht Grupin Parlamentar. Ai e çon dhe e largon nga Parlamenti kur dhe sa herë që do. Me këtë sjellje politike ai mendon se u shërbehet më mirë interesave të tij egoiste për realizimin e ëndrrës. Por, me këto veprime depersonalizuese, ai nuk mund të sigurojë më mbështetjen e asaj pjese që ka aksionet e veta në politikë. Me këtë sjellje politike ai përditë bëhet i pabesueshëm edhe te faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Sjellja dhe mentaliteti veprues është i papajtueshëm me parimet e funksionimit të shtetit të së drejtës me të cilën monitorohet klasa politike. Me teorinë e tij të mosbindjes civile, të largimit nga institucionet politike dhe ushtrimin e politikës në rrugës, po manifeston tiparet e një njeriu që kërkon t’u imponohet me urdhra partiakë institucioneve politike. Opozita me këtë sjellje është bërë mosbesuese, duke i zgjatur jetën maxhorancës në pushtet. Për këtë situatë të pazakontë, përgjegjësi politike kanë edhe Kryesia e partisë dhe veçanërisht Grupi inekzistent Parlamentar. E bëj këtë vlerësim pasi edhe zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar, nëpërmjet Facebook-ut, u bën thirrje deputetëve që të shkojnë në Parlament, pasi, sipas tij, nga xhamat e selisë nuk tremben as laraskat. Mendoj se tashmë nuk mund të funksionojë më teoria e konsumimit deri në fikje e motorit të Ramës për të reaguar. Konkurrimi ndaj maxhorancës fillon nga krijimi i një modeli antipod me PD-në. Shumica e socialistëve kërkojnë një model tjetër qeverisjeje, që mund të realizohet përmes një procesi real demokratizues. Me sa kam perceptuar, këtë e shprehin dhe mjaft analistë e opinionistë si Lubonja, Nano etj. Demokratizimi nuk mund të bëhet duke u mbledhur nën çadrën e grevës së Edi Ramës. Humbësit nuk mund të gjenerojnë më energji e shpresë kur ende vazhdojnë të artikulojnë se Partia Socialiste është në rrugën e duhur.
© Panorama.al












