Ratko Mlladiç del para gjykatës në Hagë

Jun 3, 2011 | 10:05

HAGE- Ish komandanti serb i Bosnjës, Ratko Mlladiç eshte paraqitur sot për të parën herë që nga dita e ekstradimit para Tribunalit të Hagës për Krimet e Luftës.

Në paraqitjen e tij të parë sot në Gjykatën e Hagës për Krime të Luftës, i akuzuari Ratko Mlladiç, tha se është “njeri shumë i sëmurë” dhe ka refuzuar të deklarohet lidhur me ato që i quajti, “akuza te papranueshme”, akuzat për genocid, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Gjyqtari kryesues, Alfons Ori, caktoi datën e re për deklarim për fajësinë më 4 korrik.

I pyetur nga gjyqtari Ori se a i kupton të drejtat e tij si i akuzuar i Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ish Jugosllavi, Ratko Mlladiç tha se është njeri shumë i sëmurë dhe se i duhet më tepër kohë për t’i kuptuar akuzat.

“Nuk dëshiroj të më lexohet aktakuza në asnjë fjalë dhe në asnjë fjali”, tha Ratko Mlladiç.

Mbi Mlladiç rëndojnë një seri akuzash, genocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në Bosnjë, në periudhën 1992-1995.

Ai është i akuzuar gjithashtu edhe për orkestrimin e masakrës së Srebrenicës, në vitin 1995, ku u vranë afro 8 mijë burra e djem myslimanë. Kjo është konsideruar si masakra më e tmerrshm ne Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ratko Mlladiç u arrestua javën e kaluar në Serbi, 16 vite pasi Tribunali i Hagës e kishte akuzuar atë.

© Panorama.al

Te lidhura