Mlladiç “shpërthen” në lot para ekstradimit në Hagë

Jun 1, 2011 | 9:55

Ratko Mlladiç “shpërtheu” në lot dje kur u përshëndet me gruan dhe motrën e tij, pasi humbi betejën kundër ekstradimit në Hagë për t’u përballur me gjykimin për krime lufte.Me akuzat që ka, Mlladiç rrezikon burgun përjetë. Avokati i tij tha se takimi kishte qenë shumë “emocional” dhe se gruaja dhe motra e tij kishin mbërritur në burg me një valixhe të madhe me veshje për të, të cilat i duheshin për në Hagë. Më pas, një varg i gjatë makinash të blinduara u pa të largohej nga burgu. Besohet se në këto makina ndodhej Mlladiç, i cili nisi udhëtimin për në Hagë, edhe pse autoritetet serbe nuk e konfirmuan menjëherë për shkak të situatës së ndjeshme në Beograd, të krijuar nga ultranacionalistët që e mbështesin atë. Ministrja serbe e Drejtësisë tha më pas se Ratko Mlladiç ishte në avionin drejtuar për në Hagë. Snezhana Maloviç tha se procesi i ekstradimit të Mlladiçit në Hagë ka filluar. Pasditen e djeshme, autostrada kryesore që të çonte në Aeroportin e Beogradit ishte bllokuar nga forcat e sigurisë. Ka pasur një numër të jashtëzakonshëm policësh edhe përballë Gjykatës dje, gjatë kohës së procesit të Mlladiçit, gjë që rriti spekulimet se zyrtarët po përgatiteshin për ekstradimin e tij të menjëhershëm. Më parë Ratko Mlladiç ishte lejuar të linte qelinë e tij dhe nën mbikëqyrjen e shumë forcave policore vizitoi varrin e vajzës së tij, Ana, e cila u vetëvra në vitin 1994. “Ne kishim vendosur kamera në varreza dhe varri i Anës ruhej 24 orë, pra ai absolutisht nuk mund të shkonte atje”, tha prokurori Vukariç për AP. E bija e Mlladiçit, një studente Mjekësie, u vetëvra në vitin 1994, në moshën 23-vjeçare, me pistoletën e të atit. Ajo nuk ka shkruar një letër vetëvrasjeje, por mediat e asaj periudhe shkruanin se Ana i dha fund jetës së saj në shtëpinë e familjes në Beograd, për shkak të depresionit për rolin e të atit të luftë. Mlladiç e ka refuzuar versionin zyrtar të hetimit mbi rastin e saj dhe tha se Ana ishte vrarë nga armiqtë, pasi pistoleta ishte gjetur në dorën e saj të majtë, kur ajo punonte gjithnjë me të djathtën. Kadira Gabeljiç, bashkëshorti dhe dy djemtë e së cilës u vranë në masakrën e Srebrenicës, reagoi me zemërim dhe për pak humbi ndjenjat kur mësoi se Mlladiç ishte lejuar të shkonte në varrin e së bijës. “Dua djemtë e mi, ishin 16 dhe 21 vjeç kur u vranë. Unë kam 16 vjet që po kërkoj trupat e tyre. Ai u lejua të vizitojë të bijën? Unë kam vetëm eshtrat e tim shoqi për të vizituar dhe mund të vdes para se të gjenden trupat e fëmijëve të mi”, tha ajo për “Globe&mail”. Nga varrezat, Mlladiç u dërgua në Gjykatën e Beogradit, ku përpjekjet e tij për t’i shpëtuar ekstradimit në Hagë, dështuan. Krimineli më i kërkuar i Europës për krime lufte u arrestua në enjten në mëngjes, në fshatin Lazarevo, në Veri të Beogradit, pas 16 vitesh në arrati. Mlladiç është akuzuar nga gjykata për krimet e kryera nga trupat serbe gjatë luftës së Bosnjës, në periudhën 1992-1995.

“Përgënjeshtrimi”

Autoritetet në Beograd nuk duan ta pranojnë versionin e koincidencave. Presidenti serb, Boris Tadiç, i ka refuzuar zërat se ata e kishin ditur se ku fshihej Mlladiç dhe e kishin vonuar arrestimin e tij që të përkonte me vizitën e kryediplomates së BE-së, Katerin Ashton. Zërat ishin shtuar shumë për shkak se Mlladiç u arrestua vetëm pak kilometra larg kryeqytetit, Beograd, në shtëpinë e një kushëriri, që duhej të ishte ndër vendet e para për të kontrolluar për një të kërkuar. “Çdo koment i kësaj natyre është pa kuptim”, tha Tadiç.

Protesta

Nacionalistët serbë në Serbi dhe në disa pjesë të Bosnjës, të cilët e konsiderojnë Mlladiçin një hero, kanë protestuar kundër ekstradimit të gjeneralit dje. Në qytetin boshnjak të Banja Llukës, mijëra mbështetës të Mlladiçit organizuan protestën më të madhe në historinë e këtij vendi, për të kundërshtuar arrestimin e gjeneralit “hero”. Protestuesit thërrisnin emrin e Ratko Mlladiçit dhe mbanin fotografi të tij bashkë me ato të kryeministrit rus, Vladimir Putin dhe të presidentit Dimitri Medvedev, të cilët ata i konsiderojnë aleatët më të fortë të serbëve.

Vizita “sekrete” në varreza

Pak minuta para se të dërgohej në Gjykatën e Krimeve në Beograd për seancën e tij të apelit, Ratko Mlladiç ka vizituar varrin e vajzës së tij, Ana, të vetëvrarë në vitin 1994, kur babai i saj drejtonte luftën në Bosnjë. Vizita, e cila zgjati 22 minuta, u mbajt sekret. Mlladiç kishte kërkuar që në momentin e parë të arrestimit, të enjten, që të vizitonte varrin e së bijës. “Ne nuk e bëmë publike vizitën e tij në varreza sepse është një gjë personale dhe përbënte edhe rrezik për sigurinë”, tha zv.kryeprokurori i Serbisë për krime lufte, Bruno Vekariç. “I gjithë operacioni zgjati ekzaktësisht 22 minuta dhe kaloi pa asnjë problem. Ai qëndroi në varrin e së bijës për pak minuta”, shtoi Vekariç. Mlladiç vizitoi varrin me mermer të zi me një kryq, në kodrën e varrezave Topciderskos, në Beograd. Atje ai la një qiri dhe një buqetë me lule të bardha, me një trëndafil të kuq në mes.

APELI

Apeli i dëshpëruar i avokatit të Mlladiçit për të mos lejuar dërgimin e tij në Hagë dështoi. Të hënën, avokati i tij, Milos Saljiç, u dërgoi një letër autoriteteve ku apelonte ekstradimin e Mlladiçit me arsyetimin se ai nuk është mendërisht dhe fizikisht mirë për të përballur gjyqin. Saljiç kërkoi gjithashtu që disa mjekë ta vizitonin sërish atë, pas deklaratave nga familja dhe klienti i tij se ai ka kaluar tri infarkte. E njëjta taktikë mbrojtjeje ishte përdorur edhe gjatë seancës së parë të gjyqit.

Akuza

Në seancën e djeshme të gjyqit të kërkuar nga avokati i Mlladiçit, prokurori Bruno Vekariç e akuzoi Mlladiçin se po përdorte taktika të vonesës dhe tha se asgjë nuk do ta pengojë ekstradimin e tij në Gjykatën e Hagës. “Mjekët po thonë se ai është në gjendje ta përballojë gjyqin”, tha dje Vekariç në gjyq, duke shtuar se Mlladiç do të marrë mjekimet e duhura sapo të mbërrijë në paraburgimin e Gjykatës së Kombeve të Bashkuara në Hagë.


© Panorama.al

Te lidhura